KosovaLive360

Dyzet të rinj, 20 shqiptarë dhe po aq serbë, këto ditë janë duke mësuar bashkë gjuhën angleze, aty buzë urës së lumit Ibër, i cili që nga përfundimi i luftës e ndan Mitrovicën veriore me shumicë serbe dhe atë jugore me shumicë shqiptare.

Vendmbajtja e kursit dyvjeçar të mësimit të gjuhë së huaj, është objekti të cilit mitrovicasit i referojnë si CBM (Community Building Mitrovica), dhe që po ashtu ka staf të përzier nga të dy komunitet. Në vitin e parë të punës CBM kishte dy seli – një në veri, tjetra në jug, ndërkohë që stafi mes veti komunikonte në anglisht, gjuhë të cilën tash bashkërisht po ua mësojnë të rinjve nga të dy anët e urës.

Iniciativa me qëllim të zbutjes së marrëdhënieve mes të rinjve serbë dhe shqiptarë fillimisht ishte mbështetur nga Ambasada e Holandës, ndërkohë që viteve të fundit mbështetet edhe nga Bashkimi Evropian, por edhe institucionet e Kosovës.

Për drejtoreshen e CBM-it, Afërdita Sylaj, qëllimi parësor është ndërtimi i dialogut e kontaktit si dhe krijimi i besimit në mes të dy palëve, “besim të cilin lufta e viteve ‘98-‘99 e ka shkatërruar”.

“Gjenerata e pas luftës nuk kanë njohuri të bollshme sa i përket problemeve ndëretnike. Paragjykimet i kanë krijuar kryesisht nga rrethi familjar,” thote Sylaj dhe shton se përmes aktiviteteve të saj, mes tyre edhe kampeve verore, po synojnë zhdukjen e këtyre paragjykimeve dhe krijimin e raporteve shoqërore,

Këtë synim ka edhe i ashtuquajturi “Rock school”, i cili që nga viti 2008 i tubon të pasionuarit pas muzikës rock, që është kultivuar në Mitrovicë që prej vitesh. Në Lagjen Minatori, në veri të Mitrovicës, me vite funksiononte edhe qendra e grave nga të dy anët.

Ura që nga viti 1999 i ndanë dy komunitetitet ndërkaq ende vazhdon të jetë përkujtues i historisë së vonshme të këtij qyteti.

Natasa Saveljic, projekt koordinatore në CBM konsideron se mund të vërehet dallimi mes marrëdhënieve ndërnacionale përpara dhe sot, por…

“…konkretisht qarkullimi i njerëzve në pjesën veriore është më i vogël, kurse qarkullimi në jug nga pjesa veriore është më i dukshëm. Por, lëshimi i urës mes dy pjesëve rrit qarkullimin e njerëzve në të dy pjesët e qytetit”, thotë ajo.

Sipas saj, me kalimin e kohës mund të konstatohet se nxënësit dhe studentët e nacionalitetit serbë i kanë kaluar botëkuptimet e vjetra, frikën të cilën e kanë pasur dhe traumat e pasviteve të luftës.

Edhe kolegia e saj Sylaj vlerëson se prej vitit 2011 situata në Mitrovicë është në përmirësim, pavarësisht ndarjes së qytetit.

“Më parë ka pasur probleme dhe shumë incidente të ndryshme, tash jane të reduktuara. Situata është e relaksume dhe të rinjtë mund të dalin në veri dhe të flasin shqip, pa problem”, thotë ajo.

Lulzim Hoti, drejtori i OJQ “7 arte” thotë se ata mbështesin artistët e rinj, pavarësisht etniciteteve të tyre apo përkatësisë fetare.

“…kemi provuar që të angazhojmë sa më shumë  të rinjtë, të bëjmë projekte që janë në dobi të promovimit të vlerave, si kulturore si dhe talenteve të ndryshme në fusha të ndryshme të kulturës dhe artit”.

Përpjekje po bëhen edhe duke biseduar me prindërit, të cilët jo rallë kanë qenë pengesë e mosangazhimit të të rinjve në këto aktivitet të përbashkëta.

Por, sipas Hotit, politika e ka rolin kryesor ne thyerjen e këtyre barrierave.

“Nuk mund të themi që kemi arritur shumë, meqë politika është ajo qe i dikton a duhet të marrin pjesë apo jo serbët në aktivitete të tilla. Dhe…meqë politika është ajo që i dikton, është e pamundshme që ne si organizata të bëjmë ndonjë hap më pozitiv apo më konkret në këtë drejtim,” shprehet ai.

Megjithatë, as ai por as vullnetarët e aktiviteteve të përbashkëta me shqiptarë dhe serbë nuk po dorëzohen para politikës.

I vetëdijshëm se nuk do të mund të synojnë sukses pa bashkëpunim me serbët, Hoti kishte filluar të organizojë aktivitete të përbashkëta me Global Initiative in Mitrovica – The Way Out,  në mesin e tyre edhe Green Fest-in, që hyri në vitin e shtatë të ekzistimit si një festival tradicional i muzikës. Festivali përshkohet edhe me debate publike, ku personalitetet publike u drejtohen të rinjve.

Vullnetari, Donjet Bislimi konsideron se raportet mes komuniteteve, ndonëse jo të shkëlqyeshme, megjithatë “janë të mira”.

“Për shkak se të gjithë jemi mitrovicas, të gjithë i takojmë një qyteti, jemi komshinj, jetojmë bashkë, të njëjtat halle, të njëjtat probleme i ndajmë bashkë dhe integrimi në jetë i njëri-tjetrit është i domosdoshëm”, thotë ky i ri mitrovicas.

Shkurte Berisha

Të Rekomanduara