Ministrja Hoxha: Kosova dhe Kanadaja- miqësi shembullore

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim, Ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, jorezident për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk, me të cilin diskutoi për procesin integrues dhe angazhimi institucional në këtë drejtim.

Zbatimi i MSA-së, është detyrë me prioritet e Qeverisë, theksoi Ministrja Hoxha, duke theksuar se kjo Marrëveshje është kontrata e parë në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ministrja po ashtu, çmoi lartë përkrahjen e Kanadasë dhe miqësinë e saj, për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, duke e quajtur, miqësi shembullore.

“Procesi integrues është prioritet konsensual i vendit tonë, i partive politike dhe institucioneve qendrore e lokale, pa dallim. Ne kemi dëshmuar se jemi gati për procesin e liberalizimit të vizave, kemi plotësuar të gjitha kriteret si dhe jemi gati të zbatojmë obligimet tjera që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se reformat e ndërmarra dhe intensifikimi i angazhimit institucional për procesin integrues janë gjithëpërfshirëse.

Ambasadori jorezident për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk, theksoi se përkrah përkushtimin e Kosovës për rrugën integruese, duke ofruar përkrahjen e vendit të tij në këtë proces. Kanadaja ka qëndruar dhe qëndron krah Kosovës, theksoi ai, si një vend mik që kontribuon edhe në integrimet në institucionet ndërkombëtare.