KosovaLive360

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, uron xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi për medaljet e arta të fituara në Grand Prix që po mbahet në Hagë të Holandës nga sot deri më 19 nëntor.

“Fitoret e Norës ndaj gjermanes Theresa Stoll në kategorinë 57kg, respektivisht Distrias kundër spanjolles Estrella Lopez Sheriff, në kategorinë 52kg, janë një sukses i jashtëzakonshëm për xhudistet tona dhe ua lehtësojnë rrugën për në Lojërat Olimpike të Tokios që do të mbahen më 2020-tën”, tha ministri Gashi.

“I uroj Norën, Distrian, trajnerin Kuka, drejtuesit e Federatës së Xhudos, për suksesin e arritur. Puna e juaj duhet të jetë model edhe nxitje për të gjithë ne”, theksoi ministri Kujtim Gashi.

Ministri gjithashtu u shpreh se ngadhënjimi i dy xhudistëve tona është një lajm i mirë jo vetëm për xhudon kosovare e për sportin, por është një sukses që e mirëpret i tërë vendi ynë.

“Sukseset dhe fitoret e xhudisteve tona jo vetëm që na gëzojnë por edhe na bëjnë të ndjehemi të gjithëve krenarë. Tashmë ky sukses është një konfirmim se rezultatet që kemi në sportin e xhudos nuk janë një rastësi por se kemi ndërtuar një traditë dhe jemi model edhe për vendet tjera shumë më të mëdha dhe më të fuqishme ekonomikisht se Kosova”, theksoi ministri.

Ministri Gashi përmes këtij urimi shpreh përkushtimin e tij dhe të MKRS-së se sporti, federatat sportive dhe sportistët do të përkrahen edhe në të ardhmen në bazë të rezultateve që ata do të arrijnë. Është obligim i ministrisë që të përmirësojë e plotësojë infrastrukturën ligjore e fizike për sportistë në mënyrë që të krijohen lehtësira për sportistë që ata të ushtrohen e garojnë për të prezantuar veten dhe Kosovën sa më cilësisht dhe me rezultate kulmore, nënvizoi ministri.

Të Rekomanduara