KosovaLive360

15 Shkurt 2017
MF diskuton me komunitetin e sportit për efektet e Ligjit për subvencione dhe donacione

Ministria e Financave ka mbajtur sot takim publik me përfaqësuesit e komunitetit të sportit në Kosovë ku është diskutuar për efektet e ligjit për subvencione dhe donacione që trajtohen për efekt të Tatimit  në të Ardhurat e Korporatave dhe të Tatimit  në Ardhurave Personale.

Me këtë rast , Ministri i Financave Avdullah Hoti theksoi se takimi i sotëm ka për qëllim t’ju informojmë se ky ligj është në fuqi që prej shtatorit të vitit të kaluar.

“Ky ligj është ndryshuar me qëllim për të krijuar hapësirë për mbështetje të sportit dhe të aktiviteteve të tjera, por realisht nuk është që biznesi privat është involvuar shumë në këtë aspekt dhe nuk e ka shfrytëzuar shumë këtë ligj”, tha ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se  deri në shtator të vitit 2015 mundësia që të mbështeten klubet e ndryshme dhe sporti në përgjithësi ka qenë 5 për qind me ligj nga shtatori 2015 është 10 për qind, pra është dyfishuar, dhe është lënë edhe një 10 për qind shtesë që shkon me vendime edhe me udhëzime që jepen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ligji për të ardhurat e Korporatave është Ligj që e quajmë organik dhe ky ligj vlen përpara të gjitha Ligjeve të tjera, kur vjen çështja e pagesave taksave  të tjera dhe çfarëdo marrëdhënie me Administratën Tatimore, Administrata obligohet që ta përdor këtë Ligj dhe ky ligj ka thënë 10 për qind plus 10 për qind sipas vendimeve që i nxjerr Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shtoi ministri Hoti.

Ai gjithashtu tha se “Le ta marrim këtë si hap i parë vetëdijesues dhe më tutje unë do të bisedojë me Ministrin e MKRS-së për bashkimin e resurseve ndërmjet  Ministrisë së Financave, ATK-së, dhe institucioneve të tjera që të shtypim udhëzime dhe në takimet e rregullta që i ka ATK-ja me tatimpagues, shoqata të ndryshme dhe Odat Ekonomike t’i shpërndajmë  informatat sa më të sakta për mënyrën se si mund ta shfrytëzojmë këtë ligj.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, bëri të ditur se  Ligji për të Ardhurat për Korporata ofron një mundësi më të gjerë të donacioneve dhe përfitimeve që mund ti kenë bizneset nga zbritja që bëhet prej bazës tatimore.

“Koncepti bazë i donacioneve është i ndërtuar mbi fitimin e tatueshëm, e njëjta bazë që shërben për llogaritjen e tatimit shërben edhe për llogaritjen e kontributeve bamirëse që gëzohen nga ky ligj që ofrohen si mundësi”, shtoi drejtori Imeri.

Ndërsa, përfaqësuesit e komunitetit të sportit e vlerësuan lartë iniciativën e Ministrisë së Financave për të diskutuar me komunitetin e sportit për efektet e Ligjit për subvencione dhe donacione që trajtohen për efekt të Tatimit  në të Ardhurat e Korporatave dhe të Tatimit  në Ardhurave Personale.

Ata gjithashtu, shprehën gatishmërinë e të gjithë komuniteteve të sportit për të bashkëpunuar me institucionet e vendit në këtë fushë, e cila sipas tyre ka rëndësi të veçantë edhe për shtetin e Kosovës.

Të Rekomanduara