KosovaLive360

Për katër absolvente të Fakultetit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, kanë qenë katër muaj dinamikë për lansimin e aplikacionin online për edukatën seksuale dhe shëndetin reproduktiv.

Në nëntor të vitit 2016, Dea Rexhepi, Tuena Govori, Eurisa Rukovci dhe Vlora Shabani fituan grantin për krijimin e platformës “Shnet”, në konkursin  “Upshift” të cilën e organizon “Innovation Lab Kosova” në Prishtinë, me temën barazia gjinore.

Projekti u lansua në shkurt të këtij viti.

“Innovation Lab”, të cilën e ndihmoi UNICEF-i dhe disa partnerë që të rishohin zhvillimin në fushën e teknologjisë, beson se nëpërmjet rrjeteve sociale mund të inicojë dialog për tema të ndryshme dhe të komunikojë si instrument strategjik për të ndikuar në shoqëri.

Këtë mundësi e kanë shfrytëzuar edhe studentet e psikologjisë. Aplikacioni  “Shnet” është lansuar tash për tash vetëm në sistemin operativ Android në tri gjuhë – në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe.

Dea Rexhepi, njëra nga ideatoret e këtij aplikacioni, thotë se ideja për këtë ka rrjedhur si pasojë e rasteve të shumta të shtatëzanive të hershme dhe seksit të pambrojtur që vajzat fillimisht i kishin dëgjuar në rrethin ku jetojnë.

“Informacionet kanë qenë shumë të mangëta edhe sa u përket sëmundjeve jo vetëm seksualisht të transmetueshme, por edhe infeksionet e ndryshme që vijnë si rrjedhojë e mosinformimit apo keqinformimit”, thotë Rexhepi.

Ajo dhe tri shoqet e saj nga muaji shkurt deri më tani (qershor) kanë informuar për përmbajtjen e aplikacionit drejtpërdrejt me nxënësit e dy shkollave fillore, dhe tetë shkolla të mesme.

Rexhepi tha se gjatë realizimit të këtij projekti është përballur me dy realitete: mungesa e fondeve për mbajtje të ligjëratave në më shumë shkolla dhe mungesa e vullnetit të administratës së një numri të shkollave për nevojën e informimit të nxënësve për këtë çështje.

Ajo është e sigurt se ka më shumë nevojë për informim për jetën seksuale, sidomos tek adoleshentët, sikur edhe për rreziqet e mosinformimit. Përvoja e saj me nxënës tregon se arsimtarët, sidomos të lëndës së Biologjisë, shpesh I shmangin leksionet që trajtojnë anatominë e njerëzve, ku përmenden edhe organet gjenitale dhe funksionet e tyre.

“Me lansimin e këtij aplikacioni shumë njerëzve u ka shkuar mendja te marrëdhëniet seksuale, për shkak se sidomos vajzat kanë hasur edhe në reagime negative, sepse është menduar menjëherë te marrëdhënia, dhe jo tek edukata apo shëndeti”, ka pohuar Rexhepi.

Në Kosovë nuk janë të rralla rastet kur për shkak të mosinformimit vajzat shumë të reja të mbeten shtatëzënë.

Emine Lushaku nga Klinika Gjinekologjike Obstetrike për KosovaLive thotë se vetëm në vitin 2016, kanë lindur 163 vajza nga mosha 15-të deri në 20-vjeçare.

“Në moshën 15-vjeçare është bërë nënë një vajzë. Nëntë vajza të moshës 16-vjeçare kanë lindur në këtë klinikë, ndërsa 12 vajza të moshës 17-vjeçare janë bërë nëna.  Në moshën 18-vjeçare janë bërë nëna 16 vajza, ndërsa 44 lindje kanë qenë nga vajzat 19 vjeçe dhe 81 lindje nga vajzat 20-vjeçare”, thotë Lushtaku.

Një ndër shkollat e mesme ku është prezantuar platforma për edukatën seksuale “Shnet” është “Don Bosko” në Prishtinë.

Prindërit dhe nxënësit e kanë pritur shumë mirë këtë mundësi.

A.K., nëna e një nxënëseje në klasën e 11-të (emri i njohur për redaksinë) ka thënë se ajo si prind i një vajze 17-vjeçare e sheh si shumë të qëlluar idenë.

“Mungon komunikimi prind-fëmijë. Tash të paktën do të kem ku ta adresoj vajzën që të informohet sa i përket edukatës seksuale”, thotë A.K.

Edhe nxënësi, L.K. i klasës së 11 ka thënë se kjo ide ka qenë më se e domosdoshme për moshatarët e tij. I pyetur se a komunikon me prindërit për sfidat me të cilat ai është përballur si adoleshent, ai është përgjigjur negativisht.

“Për gjërat e tilla jam informuar nga platformat e internetit”, thotë L.K.

Organizata joqeveritare “Labyrinth” kohë pas kohe mban ligjërata në shkollat e Kosovës për rreziqet e përdorimit të drogave dhe pasojat e kësaj dukurie mes të cilës janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Safet Blaka, drejtor i kësaj organizate ka thënë se ata e kanë një plan vjetor në kuadër të të cilit diskutojnë nëpër shkolla për sëmundjet seksualisht të transmetueshme si HIV/AIDS, por më pak për edukatën seksuale.

Në Kosovë nuk ekziston statistikë e përgjithshme se sa lindje ose aborte ka nga të miturat, sepse në raste të tilla shumica nga to përdorin klinikat private. Gjithashtu nuk ka statistika se sa psh. për një vit është numri i të prekurve nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Katër shoqe, psikologe të ardhshme mendojnë se mënyra e infomimit të rinisë me aplikacione të ngjashme është e rëndësishme dhe e qëlluar sidomos kur dihet se edhe sot për shumicën temat qe janë të lidhura me jetën seksuale janë tabu.

Fillimi, ndërkaq është shpresëdhënës: vetëm për katër muaj, 1500 persona kanë shkarkuar aplikacionin për edukatën seksuale “Shnet”.

Shqipdona Ademaj

 

Të Rekomanduara