KosovaLive360

Medina Mehmeti, studente në Universitetin e Prishtinës  (UP) – dega e Gjuhës Shqipe, niveli Master,  mendon se vendimi për mospërfshirjen e studentëve të masterit në konkursin për bursa është i padrejtë.

‘’Gjatë studimeve në nivelin Bachelor, çdo vit kam qenë përfituese e bursës universitare. Këtë vit, edhe pse kam një mesatare të lartë, jam e vetëdijshme se nuk kam të drejtë të aplikoj për bursë sepse Universiteti ynë nuk i përfshin studentët e nivelit Master në listën e bursave. Ky fakt më shqetëson duke marrë parasysh se shpenzimet e një studenti janë mjaft të mëdha.Të gjithë e dimë se një semestër në nivelin Master kushton 150 euro, që do të thotë se një vit studimi kushton 300 euro, duke mos përfshirë shpenzimet për libra dhe gjëra të tjera të nevojshme’’, thotë Mehmeti.

Universiteti i Prishtinës, në vitin akademik 2016/2017 ka regjistruar 2,617 studentë, prej të cilëve 1.925 të rregullt.

Prorektorja e Buxhetit dhe Financave në UP, Myrvete Badivuku, thotë se 84.70% e kategorisë së transfereve dhe subvencioneve, në fakt bursat, financohen nga të hyrat vetanake të universitetit. Por, kjo ka të bëjë vetëm për studimet Bachelor.

Me vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së, studentët e nivelit të studimeve master nuk marrin bursa, duke pasur parasysh se bursat u ndahen vetëm studentëve të nivelit Bachelor, por në të ardhmen nëse kjo linjë buxhetore krijon të hyra më të mëdha, qoftë nga Qeveria ose të hyrat vetanake, atëherë ai vendim mund të ndryshohet”, thekson Badivuku.

Edhe Gresa Halimi, studente në nivelin Master në drejtimin e “Inxhinerisë Elektrike dhe Kompujterike”, thotë se vendimi për mosdhënien e bursave po i dëmton studentët.

Sipas saj, ky vendim mund të ndikojë edhe në uljen e cilësisë.

“Më ka mbetur vetëm edhe një provim dhe të diplomoj. Notën mesatare e kam 10, mirëpo nga universiteti nuk po marrim asgjë që të na lehtësojë sadopak gjendjen financiare. Bursa do të na motivonte të gjithëve edhe më shumë, mirëpo mundi ynë nuk po shpërblehet”, thotë Halimi.

Edhe prorektorja Myrvete Badivuku, po pajtohet me atë se bursa do t’i mbante të motivuar studentët, mirëpo sic thotë ajo, UP është duke vepruar në bazë të mundësive buxhetore dhe kritereve që cakton Këshilli Drejtues i UP-së.

Në vitin akademik 2016/17 në Universitetin e Prishtinës kanë përfituar bursa 1,565 studentë të nivelit Bachelor, për të cilët janë ndarë subvencione dhe transfere me vlerën prej 1,299,000 euro.

Studentët të nivelit Bachelor të cilët kanë fituar bursa kanë marrë vetëm 400 nga 600 euro të vlerës së bursës sa u takon.

Sipas Badivukut, shpërndarja e bursave në këtë shumë është bërë pasi ato financohen nga të hyrat vetanake të Universitetit dhe sic thotë ajo pjesa e mbetur e shumës do të ndahet në një afat optimal.

Arbresha Berisha

Të Rekomanduara