KosovaLive360

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, përzgjedhësin e kombëtares, Driton Kuka dhe kampionen olimpike të xhudos, Majlinda Kelmendi.

Kryeministri Haradinaj tha se është për admirim puna e ekipit, e cila, jo çdoherë në rrethana të lehta, i ka sjellë Kosovës medaljen e artë olimpike, që në pjesëmarrjen e parë.  Njëkohësisht, tha se, kjo fitore, përpos për Majlindën,  është një e arritur shumë e madhe edhe për Kosovën.

Kryeministri i falënderoi për punën e madhe që kanë bërë, duke shprehur gatishmërinë që në perspektivë të vendoset një marrëdhënie më e mirë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe Federatës së Xhudos së Kosovës, që mundëson vazhdimin e punës tuaj pa preokupime.

“Ju e keni nxjerrë Kosovën ashtu siç kishim pasur dëshirë të jemi në të gjitha aspektet tjera”, tha kryeministri.

Kryetari i Federatës, Agron Kuka, e njoftoi Kryeministrin Haradinaj për aktivitetit aktuale të sportistëve dhe kërkoi mbështetjen institucionale rreth sfidave me të cilat përballen. Ai kërkoi që të bëhet kategorizimi i sportistëve dhe trajnerëve, të zbatohet ligji për sponsorizim si dhe të vazhdohet memorandumi i MKRS dhe Federatës së Xhudos të Kosovës për Majlindën.

Po ashtu, Toni Kuka u interesua për pasaporta diplomatike për sportistët kulmorë si dhe për sigurimet shëndetësore për sportet luftarake.

“Majlinda, si kampione olimpike, është paguar sipas Memorandumit dhe prej 1 janar 2017, ka mbetur pa status”.

Kryeministri Haradinaj i siguroi ata se Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të rregullohet deri në fund të këtij viti dhe se memorandumi do të zbatohet në retro-aktiv.

Të Rekomanduara