KosovaLive360

Shoqëria kosovare duhet të vetëdijesohet, t’i thërras ndërgjegjes dhe të bëhet më e ndjeshme ndaj diskriminimit dhe padrejtësive që u bëhen pjesëtarëve të këtij komuniteti, kurse pjesëtarët e LGBT duhet të tregohen më të guximshëm në raportimin e shkeljeve të të drejtave të tyre.

Shkruan: Nezaqete Rukovci  

Ka kaluar një çerek shekulli qëkur Organizata Botërore e Shëndetësisë më 1991 ka mënjanuar homoseksualizmin nga klasifikimi i saj ndërkombëtar i sëmundjeve. Megjithatë nuk është i pakët numri i atyre që ende vazhdojnë ta konsiderojnë për të tillë.

Pjesëtarë të komunitetit LGBT vazhdojnë të ngurojnë të pranojnë identitetin e tyre gjinor, hezitojnë të paraqesin rastin kur ndjehen të diskriminuar vetëm sepse janë ndryshe nga të tjerët për shkak të stereotipeve shoqërore për këtë komunitet. Krahas fyerjeve me të cilat ndeshen jo rrallë do të dëgjojnë edhe paragjykimet si: ”Ata nuk janë në të vërtetë homoseksualë, vetëm se improvizojnë ashtu, ndoshta ju duket modë”.

Këso komentesh do të dëgjoni kur bashkëbiseduesit nuk e dinë se ju jeni një përfaqësues i të drejtave të njeriut. Ata do të përmbahen deri diku pasi të shohin se jeni fort të vendosur në respektimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta, megjithatë jo me dëshirë do ta vijojnë një trajnim në të cilin ekskluzivisht do të bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

Përvojat e përditshme jetësore të shumicës së personave LGBT karakterizohen nga frika, ankthi, fshehja, si në sferën private ashtu edhe në atë publike, gjë që krijon një boshllëk të madh në mes të ligjit dhe të realitetit. Rasti i një djaloshi të komunitetit jo shumicë nga një qytezë afër Prishtinës, i cili kishte qenë në prag të  vetëvrasjes, por për fatin e tij të mirë kishte rënë në kontakt me një shoqatë dhe pas bisedave të njëpasnjëshme kishte hequr dorë nga më e keqja, tregon se sa shumë kanë nevojë për pranim dhe mbështetje pjesëtarët e komunitetit LGBT.

Po aq empatik është edhe rasti i një nëne (V.S), nga kryeqyteti, e cila pas peripecive të shumta dhe një rrugëtimi tejet të vështirë dhe largimit të tyre për një kohë nga shtëpia ishte bindur t’i pranojë djemtë e vet si normalisht ndryshe dhe krahas kësaj t’i inkurajojë edhe prindërit e tjerë që t’i mbështesin fëmijët e tyre.

Mirëpo nuk është i pakët numri i atyre që vazhdojnë të jetojnë si të padukshëm në shoqërinë tonë, të cilët nuk i shohim por janë këtu, mes nesh.

Studimi i IPSOS-it, organizatë kjo ndërkombëtare e njohur në fushën e hulumtimeve i bërë vitin e kaluar  nxori në pah se shumica e kosovarëve – rreth 97 për qind e tyre – kanë dhënë përgjigje se nuk do të shoqëroheshin me persona që i përkasin komunitetit LGBT, ndërkohë që 81 për qind e njerëzve që i përkasin këtij komuniteti në Kosovë e që janë anketuar nga IPSOS-i kanë pohuar se ndihen të diskriminuar për shkak të orientimit të tyre seksual.

Kosova printe në studim edhe për faktin se prindërit nuk janë të parët që informohen se fëmija i tyre i përket komunitetit LGBT. Po ky raport konstaton se në Kosovë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pjesëtarët e këtij komuniteti janë më të ekspozuarit ndaj abuzimit psikologjik, dhunës verbale, komenteve përbuzëse, fyerjeve dhe kërcënimeve me dhunë fizike.

Në dy dekadat e fundit shumica e qeverive të rajonit kanë ndërmarrë hapa pozitiv në mbrojtje të personave LGBTI nga diskriminimi dhe ngacmimi. Kjo u ka mundësuar atyre që të shprehen më lirshëm nga homofobia dhe transfobia si dhe nga tendencat konservatore dhe autoritare të disa qeverive që kanë penguar këtë komunitet në realizimin e plotë të të drejtave dhe nga kërkimi i mbrojtjes kur ato janë shkelur.

lgbt

Edhe në Kosovë veçanërisht dy viteve  të fundit kanë ndodhur disa ndryshime esenciale pozitiven  në adresimin problemeve me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit (LGBT) në  Republikën e Kosovës. Qeveria e vendit dy vite më parë ka themeluar Grupin Këshillëdhënës dhe Koordinues (GKK) për të drejtat e Komunitetit LGBT (lesbike, gej, biseksual dhe transgjinor). Qëllimi i këtij Grupi është krijimi i partneriteteve dhe bashkëpunimit në mes të institucioneve lokale dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave jo-qeveritare të kyçura në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit LGBT në Kosovë.

Me këtë janë bërë hapat fillestarë dhe të rëndësishëm në bashkëpunimin e të gjitha institucioneve si: pjesëmarrja në grup, ndarje të informatave dhe marrje të iniciativave ndërinstitucionale, për të identifikuar fushat ku mund të bëhet përparim në zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, më 2015.

Ky Grup në vitin 2015 ka aprovuar planin vjetor të veprimit një vjeçar, i cili kishte filluar zbatimin e tij me aktivitete që synonin kontributin e institucioneve të ndryshme për avancimin e politikave kundër diskriminimit për të vijuar me Planin vjetor nëntor 2016 – nëntor 2018 i cili synon monitorimin e zbatimit të Ligjit të ri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me fokus në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të cilat janë të përfaqësuara në GKK për të zbatuar dispozitat e këtij Ligji, sidomos në relacion me mbrojtjen e komunitetit LGBTI në Kosovë nga diskriminimi.

Synim tjetër është përmirësimi i zbatimit të politikave për mbrojtje nga diskriminimi që derivojnë nga ky ligj, sidomos në fushën e reformimit të kurrikulave, që do të përfshinin çështjet e mbrojtjes nga diskriminimi. Po ashtu plani synon edhe fillimin e zbatimit të standardeve të OBSH-së për mos-diskriminim në fushën e shëndetësisë, si dhe trajnimin e konsiderueshëm të profesionistëve të shëndetësisë në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi si dhe ngritjen e mëtejme të vetëdijes së qytetarëve nëpërmjet zgjerimit të fushatave të vetëdijesimit me angazhimin e 15 trajnerëve të certifikuar për çështje të barazisë nëpërmjet Projektit të binjakëzimit të mbështetur nga BE.

Themelimin e këtij Grupi dhe paradat e qeta në kuadër të shënimit të 17 majit – Ditës ndërkombëtare kundër transfobisë dhe homofobisë i ka mirëpritur dhe vlerësuar si progres edhe Komisioni Evropian.

Ditë më parë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ERA–LGBTI Equal Rights Association për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë organizuan Konferencën e Parë rajonale të ERA-së në temën:“Përse ligjet nuk mjaftojnë? Drejt përfshirjes sociale dhe barazisë së personave LGBTI në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”. Fokusi i konferencës ishte gjetja e mekanizmave që zvogëlojnë hendekun në mes të institucioneve dhe komunitetit duke i vënë çështjet e qasjes, përfshirjes sociale dhe zbatimit të ligjit në qendër të debatit dhe avokimit për të drejtat e personave LGBTI.

Kjo ngjarje bëri bashkë më shumë se njëqind e njëzet përfaqësues të pjesëtarëve të organizatave ERA dhe organizatave të tjera LGBTI dhe për të Drejtat e Njeriut, përfaqësues qeveritarë të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, dhe komunitetit ndërkombëtar të partnerëve dhe donatorëve duke synuar një platformë të rëndësishme për gjenerimin e ideve dhe diskutime mbi sfidat dhe mundësitë që do të kontribuojnë në fuqizimin e lëvizjes LGBTI në rajon.

Nga sa u apostrofua në këtë Konferencë, por edhe në takimet ku diskutohet për pozitën e këtij komuniteti nënvizohet se jo shumë shoqëri kanë shënuar arritje në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT. Çështje kjo, për të cilën, edhe në vendet më të zhvilluara, vetëm pas shumë përpjekjeve është arritur të mendohet si diçka normale dhe njerëzit e këtij komuniteti të pranohen në shoqëri pa diskriminim. Kur thuhet diskriminim mendohet në kuptimin më të gjerë të fjalës që nga problemet gjatë punësimit, por edhe trajtimit në institucione arsimore dhe shëndetësore. Diskriminimi nëpërmjet dhunës fizike më së shpeshti është i pranishëm në ambientin e familjes.

Vizita e të dërguarit special të Departamentit Amerikan të Shtetit, Randy Berry, për të drejtat e personave LGBT dhe takimet e realizuara me nivelet me të larta të përfaqësuesve të vendit bëri që krerët e shtetit të flasin publikisht për këtë komunitet.

”Çdo qytetar i vendit ka të drejtat e veta dhe këto të drejta ata duhet t’i shfrytëzojnë”, ka thënë presidenti Thaçi,duke shtuar se Kosova është evropiane dhe të gjitha të drejtat e çdo komuniteti janë të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

Berry kishte ftuar institucionet e Kosovës, që të flasin hapur për të drejtat e personave LGBT dhe integrimin e tyre në shoqëri.

”Kur i keni këto ligje të mira, atëherë nuk duhet thënë që vetëm të mbetet qëllimi i mirë, por duhet të ketë zbatim, sepse sfida kryesore është zbatimi i tyre”, pati nënvizuar Berry.

Agim Margilaj nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore thekson se në Kosovë po hartohen ligje, por nuk po interpretohen siç duhet dhe nuk po gjejnë zbatimin e duhur.

“Sikur të ishte edhe zbatimi i ligjeve në Kosovë, sikur ato të respektoheshin, besoj që çdo rast i komunitetit LGBT që do të raportonte shkeljet do të ndjehej më mirë në shoqëri. Pra, nëse këto raste do të merreshin me ndjeshmëri nga institucionet përkatëse, atëherë do të kishim numër më të madh të rasteve të raportuara nga komuniteti LGBT. Sepse kemi shumë nga to që nuk janë të raportuara, pikërisht ngase hezitojnë për shkak të barrierave të ndryshme duke filluar nga familja injorimi i rasteve deri te paragjykimet”, thotë Margilaj.

Nga rastet e referuara te organizata CSGD, Margilaj përmend vetëm një rast kur gjykata ka marr vendim që të dënojë me burgim efektiv dhe burgim me kusht të akuzuarit për shkeljen e të drejtave të komunitetit LGBT. Një rast tjetër është ende në proces gjyqësor, thotë ai.

Se me miratimin e pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut në Kosovë është arritur një progres i dukshëm pohoi edhe Avokati i popullit, Hilmi Jashari.

“Vetëdijesimi dhe promovimi i të drejtave janë dy anët e medaljes për të luftuar krimin nga urrejtja”, Monitorimi hap pas hapi i planit të veprimit nga Qeveria nëpërmjet mekanizmave të krijuar tashmë nëpër institucione siguron se nuk ka arsye më që asnjë person LGBT të trajtohet ndryshe”, tha Jashari.

Igli Totozani, Avokat i Popullit të Shqipërisë, tha në konferencë se kushtëzimi i Evropës është instrumenti më i mirë që edhe kur vendet nuk i duan ndryshimet t’i bëjnë ato. Sidoqoftë çelësi i fitores, sipas tij, është tek vetë personat LGBT. “Për këtë duhet guxim dhe vetëm guximi është veprimi më i fuqishëm që gjërat të mos ngelin vetëm në letër”, tha Totozani.

 “Shoqëria duhet t’i kushtojë  vëmendjen e duhur barazisë duke shpallur zero tolerancë ndaj fjalimeve të urrejtjes. Vlerat  fetare, tradicionale dhe kulturore nuk duhet të përdoren për të arsyetuar diskriminimin,” theksoi  në konferencë Allan Jones, udhëheqës për politika dhe strategji të zgjerimit nga misioni evropian.

foto-2

Ajo që nevojitet, sipas tij, është që tek personat LGBT të arrijë mesazhi se jeta e tyre është po aq e vlefshme sa edhe e personave heteroseksualë dhe të  krijohet një ambient në të cilin çdo person LGBT të ndjehet i pranueshëm dhe krenar për identitetin e vet.

Në rastet e grupeve të margjinalizuara si komuniteti LGBT, nuk mjafton vetëm ekzistimi dhe zbatimi i ligjeve. Shoqëria kosovare duhet të vetëdijesohet, t’i thërras ndërgjegjes dhe të bëhet më e ndjeshme ndaj diskriminimit dhe padrejtësive që u bëhen pjesëtarëve të këtij komuniteti. T’i shohë ata në radhë të parë si qenie të brishta njerëzore, që kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të bëjnë ç’të duan me trupin e tyre. Kurse pjesëtarët e LGBT duhet të tregohen më të guximshëm në raportimin e shkeljeve të të drejtave të tyre.   

Të akuzosh një person për shkak të përcaktimit të tij gjinor ose seksual është njësoj sikur të akuzosh ndonjërin pse ka sy të gjelbër ose tjetrën se ka flokë të verdhë.

“Të gjithë njerëzit janë të ndryshëm. Dhe, do të duhej të bënin krejt çka munden që kështu të mbetet”, thotë shkrimtari i njohur brazilian Paolo Coelho në librin “Të jesh sikur lumi”. “Çdo qenie njerëzore ka orientimin e vet seksual dhe mund ta praktikojë pa ndjenjën e fajit përderisa nuk i detyron të tjerët që ta praktikojnë”, thotë autori.

Me këto dy sentenca të shkoqitura nga libri i Coelhos mbase do të përmblidhej më së miri mënyra se si shoqëria do të duhej t’i qasej dhe ta trajtonte një komunitet të margjinalizuar siç është LGBT.

 (Ky shkrim është mbeshtetur nga Friedrich  Ebert Stiftung Prishtinë)

Të Rekomanduara