Libri i parë i Michelle Obama

Ndonëse nuk është më zonja e parë, Michelle Obama vazhdon të ndihmojë njerëzit në nevojë dhe të frymëzojë me mesazhet që përçon.

Pas përfundimit të mandatit të Barack Obama si president, ai dhe familja e tij iu larguan vëmendjes së mediave dhe përgjegjësive politike dhe filluan jetën e tyre të re jashtë Shtëpisë së Bardhë. Por me përfundimin e mandatit, nuk përfunduan edhe projektet e tyre. Michelle Obama në të vërtetë ka një projekt mjaft të madh- publikimin e një libri. Kjo do t’u mundësojë njerëzve edhe ta takojnë ish-zonjën e parë por tani në rolen e autores.

Vetë Michelle ka treguar se e ka përfunduar punën me librin e saj dhe se ai do të publikohet më 13 nëntor. Përmes një postimi në Instagram, ajo ka rrëfyer se për të kjo është një ditë shumë e rëndësishme dhe se ndihet shumë e lumtur që do të mund të ndajë me botën jetën jashtë Shtëpisë së Bardhë. Libri do të përfshijë reflektimet e saj mbi njerëzit, historitë dhe të gjitha përvojat që e kanë bërë Michelle personin që është sot.