“Letërsia lëvizëse” për herë të parë në Kosovë

‘Letërsia lëvizëse’, një seri ngjarjesh letrare e organizuar për herë të parë nga Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë “Alter Habitus” mbahet në qytete të ndryshme të Kosovës.

Gjatë edicionit të parë, letërsia e shkrimtarëve si Fehime Selimi, Shpresa Vinca Tuda dhe Mirko Gashi do të lexohet në vende të hapura si në sheshet e qyteteve dhe të lagjeve apo edhe në oborret e shtëpive të tyre në mënyrë që të përkujtohet dhe nderohet jeta dhe vepra e tyre.

Ky edicion filloi rrugëtimin të martën në Istog, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës. Gjatë kësaj ngjarjeje, u diskutua veprimtaria letrare e shkrimtares Fehmie Selimi.  Musafire ishin edhe autoret Naime Beqiraj, Shukrije Gashi e Ilire Zajmi të cilat lexuan krijimet e tyre poetike.

Kjo ngjarje kulturore do të vazhdojë edhe sot në qytetin e Ferizajit, përkatësisht në sheshin “Ismail Kadare”. Kësaj here do të lexohet e reflektohet mbi veprën dhe punën letrare të shkrimtares Shpresa Vinca Tuda. Mbrëmja letrare organizohet në bashkëpunim me Komunën e Ferizajit si dhe Klubin Letrar ‘De Rada’, ku musafirë do të jenë shkrimtarët: Agim Vinca, Qibrije Demiri Frangu, Kaltrina Lohaj dhe Mirlinda Koxha.

Ndërsa në kryeqytet ‘Letërsia lëvizëse’ do të vijë të hënën, me 17 shtator dhe do të mbahet mbi Kurriz në Dardani. Aty do të flitet rreth letërsisë së Mirko Gashit. Mbrëmja letrare në Prishtinë organizohet në bashkëpunim me zinën ‘Lirindja’ ndërsa të ftuar janë shkrimtarët: Ardiana Shala Prishtina, Aurela Kadriu, Arbër Selmani, Avni Zogiani dhe Donika Dabishevci.