KosovaLive360

http://safejournalists.net/“Konferenca për shtyp për sot nuk ka më, sot kemi konferencë për publik dhe këto janë kryesisht konferenca të një personi të vetëm. Ato janë konferenca që nuk janë dedikuar për shkëmbim informatash, janë konferenca që janë për lavde të një personi, një njeriu dhe një politike”, thotë Slaviša Lekić, kryetar i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë.

Deklarata e Slaviša Lekić-it në një formë të ashpërsuar definon qëndrimin mbi sjelljen e politikanëve ndaj gazetarëve dhe mediave, karakteristik për Grupin për lirinë e mediave, synimi i të cilëve është lufta kundër “territ medial”. Kërkesa e parë e këtij grupi dërguar Qeverisë dhe Kuvendit të Serbisë është që funksionarët shtetëror të ndërprejnë ofendimin dhe injorimin e gazetarëve dhe mediave që shtrojnë pyetje të vështira, meqë publiku ka të drejtë të di, e puna e përfaqësuesve të pushtetit është që t’u përgjigjen pyetjeve.

Situatat në të cilat zyrtarët ofendojnë dhe injorojnë gazetarët, i shmangin përgjigjet dhe flasin atë që u konvenon, pothuajse janë bërë rregull.

Aleksandar Vučić, kryetar i Serbisë me një rast ka thënë se i pëlqen të përgjigjet si dëshiron vet, e jo si pret gazetari, ndërkohë që Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes ka thënë se do të përgjigjet kur të don ai vet.

Profesoresha e Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Snježana Milivojević konsideron se arsyeja për një sjellje të tillë të pushtetit qëndron në supozimin se nuk ka bisedë, dialog dhe se nuk është e vendit të strohen pyetjet e përgjegjësisë për hapat që merren.

“Ne këtë e shohim në një varg çështjesh, por parasegjithash në përçmimin e shoqërisë civile, në rrënimin e institucioneve kontrolluese dhe në raportin ndaj gazetarëve. Gazetarët janë të parët aty në listë meqë një pushtet, që ka investuar krejt në atë që të përvetësojë teknikën e fitimit të zgjedhjeve, e ka të paimagjinueshme që përballë të jetë dikush me kë duhet të bisedojnë”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesit e asociacioneve të gazetarëve theksojnë se konferencat për shtyp janë shndërruar në takime për opinionin publik, edhe pse rregullat e tyre janë të qarta gjithkund  – gazetari pyet, e përfaqësuesi i pushtetit përgjigjet.

“Dihet se cila punë është e kujt, puna e politikanëve është që të punojnë në të mirën e qytetarëve dhe të jenë aty për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, e puna e gazetarëve është të insistojnë ta marrin përgjigjen në pyetjet që i shtrojnë”, thotë Vladimir Radomirović, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë.

Insistimin në përgjigje, politikanët – të opozitës e pushtetit, por edhe përfaqësuesit e ministrisë së këtij resori, më së shpeshti e interpetojnë si një jokulturë dhe provokim të gazetarëve, me përpjekje që t’ua “mësojnë” punën gazetarëve.

“Mendoj se në këto konferenca për shtyp gazetarët vijnë shumë të papërgatitur. Pyetjet që shtrohen aty – unë nganjëherë vërtet jam i zënë. Ato pyetje jo vetëm se janë të paqarta, por ajo që më befason vërtet – i dëgjojmë përgjigjet që ndoshta janë pak më të gjera dhe pastaj menjëherë pas tyre vjen pyetja e përgjigjja tashmë është dhënë,” thotë Aleksandar Gajović, sekretar në Ministrinë e Kulturës dhe Informimit.

Kështu kryetari Vučić e ka vlerësuar si provokim të gazetarit atë se shtatë herë është ndërprerë me nënpyetje, ndërkohë që Goran Vesić, menaxher i qytetit në Beograd, insistimin në përgjigjen e tij të gazetares së TV N1 Maja Nikolić e ka vlerësuar si ofendim dhe i ka porositur se në dëshiron të polemizojë me të atëherë duhet të anëtarësohet në atë parti.

“Deri më tash nuk kemi dëgjuar, së paku nuk më kujtohet, se kur doni t’ia shtroni një pyetje zyrtarit të pushtetit të qytetit të cilin ju e paguani si tatimpagues, duheni të kandidoheni. Kam reaguar për këtë meqë nuk lejoj që dikush në teren të më etiketojë, e nuk është rasti i parë që na etiketojnë si kundërshtarë politik”, rrëfen Maja Nikolić. 

Gazetarët, e sidomos ata që merren me gazetari hulumtuese, shpesh ballafaqohen me heshtjen e organeve të pushtetit, kështu që duhet të kërkojnë ndihmën e zyrtarit për informata të një rëndësie publike në mënyrë që të marrin të dhënat e duhura. Por as atëherë, sipas fjalëve të Maja Živanović-it, gazetare e BIRN-it , nuk vjen përgjigjja e plotë.

“Përgjigja e rëndomtë është një formë e dokumentit ku është errësuar krejt, ku me marker të zi është errësuar nis prej pjesës së nënshkruesit të dokumentit deri te përmbajtja e atij dokumenti,” ka thënë Maja Živanović.

Rodiljub Šabic, përgjegjës për informatat prej interesit publik ka theksuar se disa të dhëna shpesh nuk u jepen gazetarëve me arsyetimin se bëhet fjalë për sekret zyrtar.

“Si mundet, për hir të Zotit, publikimi i çfarëdo informate se si ndonjë zyrtar e ka fituar pronën apo të ardhurat, t’i rrezikojë rëndë interesat e Serbisë?” pyet Šabić.

Gazetarët, ndryshe e kanë “vërshuar” zyrtarin për shtyp me kërkesa që arrijnë mesatarisht mbi 300 në vit. Përgjigja arrin në 96 për qind të rasteve , por vitin e kaluar përqindja e suksesit ka rënë për katër për qind dhe vazhdon të bie. Edhe zhagitja edhe suksesi gjithnjë më i dobët i procedures, duken si porosi për gazetarët se, edhe kur e kanë ligjin në anën e tyre, nuk mund të arrijnë lehtë tek informatat.

“Nga një anë e keni ligjin i cili publikut, mediave, qytetarëve u garanton procedurën përkatëse dhe qasje në informata prej interesit publik. Nëse organet shtetërore nuk e respektojnë atë ligj dhe nëse ato organe tjera shtetërore që janë të obliguara t’i detyrojnë t’i respektojnë, po ashtu nuk e respektojnë ligjin, atëherë shteti de facto përqesh ligjin vetanak”, thotë Šabic.

Nga Bashkimi Evropian me vite të tëra tërheqin vërejtjen se mediat në Serbi nuk janë të lira, se shteti nuk bën asgjë për përmirësimin e situatës dhe merr pjesë në shkeljen e lirive të garantuara. Të dhënat e Reporterëve pa Kufij tregojnë se Serbia që nga viti 2014 në mënyrë të vazhdueshme bie në listën e lirisë së mediave, kështu që më 2016 ka rënë për shtatë vende, duke e zënë kështu pozitën numër 66.

Të Rekomanduara