LDK: Telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së prof. Hajzer Krasniqi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Krasniqi, me rastin e vdekjes së ish-kryetarit të Komunës së Vushtrrisë dhe ish-kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri, prof. Hajzer Krasniqi.

“E nderuara familje Krasniqi me pikëllim dhe dhimbje mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të LDK-së, Prof. Hajzer Krasniqi, prandaj pranoni ngushëllimet tona dhe strukturave të LDK-së, për humbjen e anëtarit të familjes tuaj. Kjo nuk është një humbje vetëm për familjen tuaj, por edhe për LDK-në dhe vendin tonë.

Prof. Hajzer Krasniqi, për vite të tëra punoi për Komunën e Vushtrrisë dhe dha kontribut të vecantë në ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke qenë kështu anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe bashkëpunëtor i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe gjithë qytetarët e Vushtrrisë, do ta nderojnë gjithmonë Prof. Hajzer Krasniqin si veprimtar të devotshëm dhe të palodhshëm në shërbim të qytetarëve vushtrrias dhe gjithë Kosovës.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”