KosovaLive360

Nga data 26 gusht deri më 10 shtator, 2017 artistët/et e Teatrit La MaMa nga qyteti i New York-ut në partneritet me Qendrën Artpolis, do të jenë në Prishtinë për të mbajtur punëtori që fokusohet në eksplorimin e zërit, muzikës dhe gjesteve, si dhe duke përdorur tekstin nga produksioni i famshëm i La MaMa’s së vitit 1974 “TROJANET”.

Një mundësi e mirë për të gjithë artistet/ët kosovarë të cilët duan të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të shprehin talentin e tyre. Këta të rinj dhe të reja përveç që do përfitojnë njohuri dhe eksperiencë profesionale, do të mund të krijojnë lidhje për të vazhduar karierat e tyre artistike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rreth La Mama-së:

Teatri eksperimental La Mama i është dedikuar të gjithë artisteve/ëv kudo nëpër botë. Teatri u themelua në vitin 1961 nga Ellen Stewart, ndërsa tradicionalisht njihet si teatri i të gjitha kulturave botërore. La Mama ka prezantuar më shumë se 150.000 artistë nga mbarë bota në qindra vende të ndryshme. Çdo vit teatri La Mama prezenton mbi 80 produksione, ndërsa vizitohet nga 34.000 vizitorë të të gjitha moshave. Ky teatër përkrahë çdo individë që krijon art duke ju dhënë mundësi promovimi dhe mbështetje financiare.

Rreth bashkëpunimit dhe projektit në Kosovë:

Projekti “Trojanet” është një program i arteve perfomuese që merret me artist/artiste dhe gjithashtu komunitete të cilat kanë qenë pre e konflikteve ose vazhdojnë të jenë. Projekti “Trojanet” do të merret drejtëpërdrejt me ato komunitete të cilat shfaqin interesim për adresimin e çështjeve bashkëkohore duke përdorur fuqinë e teatrit. Projekti përbëhet nga produksioni i njohur botëror La MaMa’s me titullë “Trojanet”, i cili u krijua në vitin 1974. Ky produksion do të kombinojë gjuhën e shpikur dhe gjestet duke i përdorur ato si mekanizëm për eksplorim. Kjo shfaqje bazohet në dramën 2500 vjeçare “Trojanet” dhe në temat e saj të luftës, zhvendosjes, dhunës kundër grave, fëmijëve dhe gjenocidit.

Funksioni i teatrit për shekuj me radhë ka qenë gjetja e një arsye dhe ndjenjës së përbashkët të njerëzimit për të krijuar një botë më të mirë. Inskenimi i saj është unik në mënyrën se si ndërveprojnë aktorët dhe publiku. Fuqia e kësaj shfaqje të veçantë është vërtetuar në prezentime gjatë 40 viteve të fundit dhe në më se 30 kombe.

Projekti “Trojanet” është i veçantë sepse përdorë një kombinim të punëtorive, provave, prezantimeve, dialogut dhe ndërgjegjësimit të komunitetit.

Gjatë fazës së parë do të mbahen takimet 2-3 javor me ekipin e projektit për të ndarë një qasje specifike jo tradicionale në performancë me elemente të muzikës, lëvizjes, dhe historisë së Trojaneve. Kjo do të jetë e mundur me ndihmën e një grupi pjesëmarrësish që reflektojnë kulturën dhe diversitetin shoqëror të zonës.

Gjatë fazës së dytë, prej një periudhe 5 – 6 javore të provave dhe eksplorimit do të shpie në prezentimin e shfaqjes. Elementet e lidhjeve personale dhe kulturore të grupit me materialin do të jenë të përfshira në produksion.

Gjatë fazës së tretë – pas largimit të ekipit La MaMa në fund të fazës së dytë, pjesëmarrëset/it do të inkurajohen që të përdorin mësimet paraprake në krijimin e shfaqjeve për të rritur dhe për të zhvilluar punën e tyre.

Ndërsa, gjatë fazës së katërt – zhvillimi i vazhdueshëm i rrjeteve ndër-kulturore, në nivel personal, lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, me artistë dhe komunitete të cilët kanë marrë pjesë në Trojanet.

Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrëset/it do të eksperimentojnë me metodat për forcimin e zërit dhe përdorimin e tingullit të pastër. Ata/Ato do të hulumtojnë gjestet dhe gjuhën e trupit. Artistët/et do të mësojnë muzikën dhe disa nga inskenimet e produksionit të La MaMa’s. Nga artistët/et do të kërkohet që të zgjerojnë materialin duke sjellur këngë, tregime dhe levizje nga përvojat e tyre personale. Bashkëpunimi do të jetë në ansambël. Do të krijohet një hapësirë për diskutime mbi procesin e punës, temat e shfaqjes si dhe lidhjet me jetën tonë personale. Në fund të punëtorisë do të ketë një prezentim publik të punës së arritur para një audience të ftuar.

La MaMa dhe Artpolis janë duke kërkuar artistë/e të teatrit të cilët janë të interesuar të eksplorojnë dhe zhvillojnë zërat dhe aftësitë e tyre të aktrimit;

– Të cilët janë të gatshëm të ngrisin paralele ndërmjet historisë së vjetër të luftës, zhvendosjes, gjenocidit dhe botës bashkëkohore;

– Po ashtu, ata të cilët janë në gjendje të angazhohen plotësisht gjatë kohës së nevojshme për të krijuar sëbashku një shfaqje teatrale.

Të Rekomanduara