KosovaLive360

Kryesia Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, me pjesëmarrjen edhe të kryetarëve të grupeve parlamentare, vendosi që Kuvendi të mblidhet këtë javë në seancë plenare.

Të enjten, më 25 janar 2017, në orën 10:00, Kuvendi do të shqyrtojë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 14 dhjetor 2017. Kështu, fillimisht do të votohet Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016 dhe do të shqyrtohet Raporti i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016. Po ashtu, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2018. Po në këtë seancë pritet formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.

Pas përfundimit të këtyre pikave, Kuvendi do të fillojë seancën e re plenare. Pas pikave të zakonshme të rendit të ditës, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të zhvillohet interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtje me armë nga Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Më pas, pritet të shqyrtohet Propozim-rezoluta për miratimin e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm – Agjenda 2030 për Kosovën, si dhe Projekt Kodi i Drejtësisë për të Mitur.

Punimet e Kuvendit do të vijojnë me shqyrtimin për herë të parë të gjashtë projektligjeve: Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115 dhe Ligjin 05/L-080, Projektligjit për azil, si dhe Projektligjit për standardizim.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe Raporti i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016, si dhe ai i Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2016.

Në vazhdim, deputetët do të shqyrtojnë Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026, si dhe pritet të zgjedhin një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe pesë zëvendës të Avokatit të Popullit.

Seanca pritet të përmbyllet me propozimin e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare, si dhe propozimin për emërimin e tre anëtarëve në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Kështu, Kryesia miratoi Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2017, si dhe ngarkoi komisionet parlamentare për hartimin e planeve të tyre të punës për vitin 2018.

Ndërkaq, u proceduan për mendim në qeveri: Projektligji për shfuqizimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe  Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nisma legjislative e Projektligjit për amnistinë, hartuar nga kryetari i GP të AAK-së, Ahmet Isufi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë të tjerë, si dhe nisma legjislative e Projektligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i hartuar nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media.

Kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së për seancë të jashtëzakonshme, ndërkaq, u procedua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Të Rekomanduara