KosovaLive360

Adaptimi ndaj ndryshimeve, integrimi i teknologjisë, ngritja e vetëdijes kundër ngacmimit në mes moshatarëve në shkollë dhe ndërtimi i shprehisë së të pyeturit tek nxënësit, ishin disa nga temat që u diskutuan gjatë ditës së parë të konferencës ‘Kosovo Learning Summit’ që u organizua nga American School of Kosova.

Ky samit bëri bashkë shumë mësimdhënës frymëzues nga e gjithë bota, që të ndërtojnë bashkëpunim me mësimdhënësit nga vendi, të diskutojnë dhe të shkëmbejnë idetë, metodat dhe praktikat më të mira të mësimdhënies.

Dy nga fjalimet motivuese, sot, ishin ‘Të mësosh nga Ajnshtajn’ nga Shannon Bruce Ramaka dhe ‘Të inspirosh njerëzit’ nga Steve Sostak dhe Aaron Moniz.

Mësimdhënësit nga të gjitha shkollat publike dhe private të Kosovës patën gjithashtu mundësi të zgjedhin që të jenë pjesë e dy seminareve nga 19 që ofroheshin në tema të ndryshme. Të gjitha seminaret dhe prezantimet e përgatitura kishin qëllim kryesor të zhvillonin të menduarit e hapur tek mësuesit, gjë që do ua mundësonte atyre që së bashku me nxënësit të bënim ndryshime të mëdha.

Dita e dytë e samitit do të përmbajë dy fjalime tjera inspiruese nga Aimee Meditz dhe Robin Hansen, të cilat poashtu do të përcjellen me seminare të ndryshme gjatë ditës.

Kosovo Learning Summit është konferencë dy-ditore për zhvillim profesional, inicuar nga American School of Kosova, më 2017. Qëllimi kryesor i këtij organizimi është të iu ofrojë të gjithë mësimdhënësve të Kosovës, një konferencë internacionale dhe mbi të gjitha, të nxisë bashkëpunimin në mes shkollave publike dhe atyre private. Kosovo Learning Summit është mundësuar nga Ministria e Shkencës Arsimit dhe Teknologjisë, Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Swiss Diamond Hotel.

Të Rekomanduara