KosovaLive360

Në një nga lagjet më të njohura në qendrën e Prishtinës -“4 Llullat”, vështirë që gjen ndonjë dyqan ose market për të blerë pije alkoolike.

Xhejlane Gashi, 32-vjeҫare banore e kësaj lagjeje, konsideron se mungesa e këtyre pijeve mund të jetë e ndaluar nga Bashkësia Islame. Arsyeja tjeter, sipas saj, mund të jetë edhe respekti i banorëve dhe pronarëve të bizneseve ndaj xhamive të cilat janë në këtë lagje.

Supermarketi “Maxi”, i cili gjendet nën xhaminë e lagjes, është njëri nga këto vende që nuk mbajnë pije alkoolike. Granit Zullufi, asistent-menaxher tregon se supermarketi nuk furnizohet dhe nuk bën shitje të këtyre pijeve pasi që objekti është i Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Në kontratë gjithashtu është e cekur kjo pikë. Për këtë arsye edhe nuk kemi alkool. Gjithashtu kërkesat për këto pije janë të rralla nga konsumatorët e lagjes”, tregon Zullufi.

Sul Rexhepi, sekretar i Bashkësisë Islame të Kosovës, thotë se Bashkësia Islame nuk ua ka ndaluar asnjë lokali apo biznesi pijet alkoolike. Ai thotë se krejt rastësisht pronarët vendosin të mos mbajnë këto pije, përveҫ supermarketit Maxi, i cili është në kuadër të objektit të Bashkësisë Islame, që nuk lejojnë në asnjë mënyrë të shitet alkooli.

“Jo vetëm në këtë lagje, po në cilindo vend, nëse Bashkësia Islame ka një objekt të saj nuk lejojmë të bëhet shitja e këtyre pijeve”, rrëfen ai. 

Sipas Rexhepit, në vendet, lagjet, në të cilat nuk pihet alkooli edhe problemet shoqërore mund të jenë më të vogla, p.sh. pasi që nuk ka njerëz që dehen, që bëjnë zhurma natën e që thejnë gjëra.

Megjithatë një market i vogël me emrin “Mix market”, i cili gjendet në hyrjen e BIK-ut, është njëri ndër të paktë të kësaj lagjeje që është i furnizuar me pije alkoolike. Bejtush Gerbeshi, pronar i këtij marketi, pranon se ka pak përfitim nga shitja e alkoolit, sepse shumë rrallë banorët e kësaj lagjeje e vizitojnë për të blerë pije alkoolike.

“Ka banorë që më kritikojnë pse mbaj alkool në market, pasi që jam shumë afër xhamisë, mirëpo unë mendoj që biznesi është biznes. Kam dashur që lokali të posedojë shumicën e gjërave, as alkoolin s’e shoh përjashtim. Ka kërkesa shumë të pakta për të, për këtë arsye edhe kam pak lloje të këtyre pijeve”, rrëfen Gerbeshi.

Hajdar Shkoza 66 vjeҫar, banor i vjetër i kësaj lagjeje tregon se lagjeja ka ndryshuar shumë, sidomos pesë vitet e fundit. Sipas tij, ҫdo ditë e më shumë “banorët po largohen nga traditat shqiptare, duke i zëvendësuar me ato arabe”, tani edhe rrallë që dëgjon përshendetje në gjuhën shqipe në lagjen e “4 Llullave”.

“Unë vet jam musliman edhe konsumoj alkool, por nuk po më pëlqen imponimi i fejës që po bëhet këtu”, rrefen Shkoza.

Përveҫ supermarketit “Maxi”, gjithashtu edhe në “Emona City”, e cila gjendet në fillim të lagjes, nuk gjenë pije alkoolike.

Sokol Ismaili, menaxher i burimeve njerëzore në “Emona City”, thotë se pronari i ka disa parime që ka vendosur të mos mbajë alkool në supermarketet e Emonës. Ismaili thotë se nuk ka ndonjë arsye specifike, thjesht për momentin është kështu, ndoshta edhe mund të ndryshojnë këto parime nëse ndërrohet pronari, ose nëse ka kërkesa të mëdha nga konsumatorët.

“Mungesa e alkoolit në supermarket në disa raste ndodh që të jetë pozitivisht e lidhur me tërheqjen e konsumatorëve. Në disa raste ka ndikim negativ, p.sh., ka pasur raste kur një konsumator, pasi i ka vendosur të gjitha gjërat që ka dashur t’i blej tek arka, i ka lënë aty, sepse e ka kuptuar që nuk posedojmë pije alkoolike”, thotë Ismaili.

Ai thotë se nuk janë penguar nga askush që të mbajnë alkool, mirëpo ka qenë vendim i pronarit të biznesit.

Edhe pronari i dyqanit “Al Jilbab” me mall fetar, Betim Kosumi, konsideron se vendet, lagjet që nuk kanë alkool janë më të qeta, në kundershtim me ato që kanë.

Përballë këtij dyqani gjendet qebaptorja e mirënjohur “Cana” e cila, e cila pos prodhimeve të rregullta ushqimore, njihet në lagje për shërbimin e pijeve alkoolike, në veҫanti të rakisë.

Luan Cana, pronar i kësaj qebaptorje, tregon se lokali vizitohet nga grupmosha të ndryshme, dhe nga një numër i madh i banorëve të kësaj lagjeje, dhe se, edhe pse “jemi muslimanë po shërbejmë dhe konsumojmë alkoolin.”

Ai, megjithatë, tregon se ka pasur kërkesa indirekte që të mos mbajë alkool në lokal.

“Nuk jam kundër fejës islame, por jam gjithmonë kunder sekteve fetare, pse nuk po i veshin veshjet kombëtare, po ato arabe. Nuk po e kuptoj ҫka simbolizojnë këto veshje. Përshendetje tjeter përveҫ, ‘Selam alekum’ nuk ndëgjon…”, tha Cana.

Premton Gashi, 27-vjeҫar banor i ri në këtë lagje, tregon se nuk konsumon shpesh alkool, mirëpo për ndonjë festë ai furnizohet me këto pije nga marketet jashtë lagjes.

Në rrugicat përreth, jo larg “4 Llullave”, alkooli është i gjithëpranishëm si në market eedhe në kafenetë e restorantet.

Vetëm disa qindra metra larg është edhe rrugica të cilës tash një kohë i referojnë si “Te kafet e rakisë”, një ndër skutet më të frekuentuara, sidomos nga të rinjtë në Prishtinë.

Sipas ligjit “Për veprimtaritë hoteliere dhe turistike”, në Kosovë hotelieri nuk guxon t’i shërbejë pije alkoolike klientëve më të rinj se 18 vjeç.

Lirak Juniku menaxher në kafiterinë “Taverna Tirona”, tregon, se lokali vizitohet nga mosha të ndryshme.

“Deri në ora 23:45 lokali është i hapur dhe shërbejmë alkool, mirëpo vetëm (atyre) mbi moshën 21 vjeҫ,” rrëfen Juniku.

Nafie Sylejmani

Të Rekomanduara