KosovaLive360

Ndonëse në kohët e sotme paja llogaritet vetëm si argëtim dhe humbje kohe, Ajshja-77 vjeçare rrëfen se në kohën kur është martuar ajo, ajo ka qenë një domosdoshmëri.

“Paja është nevojitur pasi ishim shumë anëtarë të familjes, e me atë pajë jemi mbuluar, kemi shtuar sepse atëherë nuk kishim kushte për të blerë të gatshme. Atëherë nuk ka pasur ‘qebe’ apo gjëra të tjera por janë shfrytëzuar gjërat që janë punuar në pajë,” thotë ajo.

Pajën ajo e ka punuar për tri vite, për aq sa ka qëndruar e fejuar. Ajshja shpjegon se familja e burrit e dërgonte materialin me të cilin duhej të punohej paja.

“Familja e burrit më sjellte leshin e deleve të cilin është dasht me e la, me e tjerrë e pastaj me përdorë për të punuar qylyma, dekica, pëlhurë, çarçafë, jastekë, marhama, çorape, pshollak, xhampera, pollovera e gjëra të tjera,” pohon ajo.

Atëherë kishin pasur mjaft kohë, ndonëse vajzat kryenin edhe punë të shtëpisë prapë kanë pasur kohë edhe për pajë.

Ajo po ashtu shton se kush nuk ka punuar fare ose ka punuar pak është vlerësuar sikur “dembelicë”, sikur nuk di asgjë dhe nëna ka faj që nuk e ka mësuar.

Sa i përket mospunimit të pajës në ditët e stoma nga vajzat e reja ajo thotë se tash e kanë shumë lehtë vajzat se i blejnë të gatshme çdo gjë që u duhet për t’u martuar.

“Tash asnjëra nuk punon dhe nuk konsiderohen ‘dembelica’ pasi nuk është vetëm një që nuk punon por asnjë,” thotë Ajshja.

Fetia, 52 vjeçare, që është martuar që plot 24 vite thotë se në kohën e paraluftës paja ka qenë traditë dhe askush nuk është martuar pa pajë. Nëse nuk ke punuar pajë je llogaritur sikur një femër që nuk di të punojë dhe nuk je e zonja, rrëfen ajo. Madje thotë se sa ma shumë që ke punuar aq me mirë dhe dikush që ka sjellur shumë pajë është marrë si shembull për të mirë.

“Për shembull motra ime e madhe që ka dërguar dy qerre me pajë, të quajtur seksane, në shtëpinë e burrit është përmendur një kohë të gjatë për të mirë, madje të tjerët kanë shkuar të marrin modele”, thotë ajo.

Ajo shpjegon se në seksane janë përfshirë gjëra të punuara me vek, duke përfshirë edhe veshën kombëtare, të cilën gratë e kanë veshur tërë kohën. Më vonë, vesha kombëtare nuk është bartë tërë kohën e edhe puna me vek është lënë. Pastaj kanë filluar të punojnë tentene me grep dhe të qëndisin çarçafë, goblena e gjëra të tjera, thotë ajo.

“Pasi përgatitja e pajës merrte shumë kohë, vite madje, ne fillonim të mësonim kur ishim shumë të reja, na mësonin nëna dhe motrat më të mëdha. Unë kam punuar tentene me grep”, thotë Fetia.

Ajo thekson se çdo herë në kohë të lirë ka punuar pajë. Madje edhe kur ka shkuar në fakultet e ka marrë punën me vete dhe pasi provimet i ka pasur vetëm në qershor, ka pasur mjaftë kohë të lirë dhe atë kohë të lirë e ka shfrytëzuar së bashku me shoqe të punojnë pajë.

“Pra kemi menduar edhe për martesë gjatë tërë kohës, nuk jemi angazhuar vetëm me fakultet”, pohon ajo.

Tash është penduar shumë që e ka punuar pasi sot paja që e ka “nuk shërben për asgjë por vetëm zë vend në dollap”. Fetia thekson se ndonëse mirë që tani vajzat e reja nuk punojnë pajë, prapseprapë është mirë të dinë pak pasi sot të rejat as një pullë nuk dinë ta qepin.

“Nuk është e thënë të punojnë sikur atëherë por të paktën një pullë të dinë ta qepin”, thotë ajo.

Kurse nga vajzat e reja, në ditëm e sotme punimi i pajës shihet si diçka e kot dhe humbje kohe. Fatjona Isufaj, 21 vjeçare-studente në Universitetin e Prishtinës, thotë se ajo nuk punon pajë dhe as nuk do të punojë ndonjëherë.

“Nuk mendoj se paja ka vlerë tani, punimi i pajës është veç humbje kohe”, pohon ajo.

Nëse familja e burrit do t’i kërkonte pajë ajo thotë se mund ta blejë të gatshëm pasi ka të tillë që shesin por ajo nuk do ta punonte.

Më herët ajo mendon se paja është punuar pasi vajzat kanë pasur mjaftë kohë sepse shumica nuk janë shkolluar dhe e kanë parë punimin e pajës si diçka me për të kaluar kohën ose si argëtim.

“Më mirë të shfrytëzohet koha e lirë duke bërë punë vullnetare, duke lexuar libra ose mësuar një gjuhë tjetër, pra diçka që nevojitet në jetë sesa duke punuar pajë që tani nuk ka ndonjë vlerë”, shton ajo.

Gentiana Maxharraj

Të Rekomanduara