KosovaLive360

Mekaile Veselaj, është një nga dy femrat e vetme instruktore të autoshkollës “Lumi” në Pejë dhe ndër femrat e rralla që e ushtrojnë këtë profesion.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, në Kosovë janë të regjistruara 275 autoshkolla në të gjitha kategoritë. Në këto autoshkolla ka gjithsej 1098 shoferë instruktorë prej të cilëve 172 nga gjinia femërore.

Studentja nga Prishtina, Nora Rama konsideron se paragjykimet ndaj femrave dhe ngasjes së makinave burojnë në faktin se meshkujt, në një mënyrë apo tjetrën, rriten me idenë për të pasur makina, për vozitje dhe se për këtë, në mekanikë shihen si më të aftësuar qysh herët.

“Në përfilljen e rregullave dhe kujdes gjatë vozitjes femrat janë shumë më të mira, por për të mësuar vozitjen më shpejtë meshkujt janë më të aftë. Personalisht për të mësuar vozitjen më janë dashur ndoshta dhjetë orë ushtrime më shumë sesa vëllau im i cili edhe me më pak orë ushtrime ndihet më i sigurt sesa unë në vozitje dhe vozitë si një profesionist”, thotë ajo.

Ky paragjykim, gjithsesi ekzistonte edhe për femrat instruktore.

Dhjetë vjet më parë, kur Veselaj filloi punën në autoshkollë, ajo kishte marrë licencën nga Ministria e Infrastrukturës si instruktore e kategorisë B.

Veselaj tregon se nganjëherë, ndonëse jo shpesh, gjatë punës së saj mund të ketë pasur reagime kur klienti ndihej i nënçmuar që të ushtrojë me një instruktore femër. Por, sipas saj, pa kurrfarë arsye.

“Femrat janë shumë rrallë shkaktare të aksidenteve e aq më pak me fatalitet, prandaj meshkujt paragjykojnë derisa edhe vet binden se është e kundërta. Ka raste, por të pakta në raport me punën që ne bëjmë gjatë vitit, ku ndonjë mashkull të moshës 18-19 vjeçare i duket nënçmim që një femër ta mësojë të vozisë makinën”, thotë ajo.

E diplomuar në drejtimin e biznesit, Veselaj aktualisht është duke studiuar edhe në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, me synim që në të ardhmen të bëhet një edukatore, mirëpo duke vazhduar punën si instruktore me orar më të shkurtër.

Ajo tregon çka e ka shtyrë të ushtrojë këtë profesion.

“Dëshira ime për vozitje dhe që të shpërndaj dije ka qenë e kahmotshme dhe këtë dëshirë e realizova duke qenë afër klientëve të cilet duan të jenë shoferë të suksesshëm. Gjithashtu, fakti që autoshkolla është pronë e bashkëshortit dhe mundësia më e lehtë e punësimit, është një arsye tjetër,” thotë Veselaj.

Yllëza Mazrekaj, studente e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, e cila kishte kryer ushtrimet e vozitjes me një instruktor të gjinisë mashkullore në po këtë autoshkollë, thotë se gratë paragjykohen se janë më të ngathëta sa i përket ngasjes së automjetit, dhe se ajo nuk do të kishte aspak problem dhe do të ndihej njëjtë me një instruktore femër.

Nga ana tjetër, Defrim Kurtaj, student i arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, i cili mori patentë shoferin para katër muajve, është edhe më kategorik.

“Unë praktikën e vozitjes e kam mbajtur me një mashkull, përveç se orën e fundit me instruktore femër, ku kam kaluar shumë mirë. Në raste të ndryshme, varet edhe nga personi, femrat janë instruktore më të afta dhe të mësojnë shumë mirë”, thotë ai.

Doruntina Stojkaj

Të Rekomanduara