KosovaLive360

KosovaLive –  Dikur, me çdo 1 prill, mediat e shtypura dhe ato elektronike, në faqet e tyre apo emisionet informative, plasonin ndonjë lajm të pabesueshëm, qesharak apo të trilluar, ndaj të cilëit lexuesit apo shikuesit do të reagonin me habi – por vetëm për disa minuta, derisa të kuptonin se është 1 prilli – Dita e Gënjeshtrave apo Dita e Batutave. Lajmet e tilla ishin të padëmshme, e sot me zhvillimin e teknologjisë dhe hapjen e portaleve të panumërta, lajmet gjysmë të vërteta, të trilluara dhe ato të rrjeshme, janë bërë përditshmëri, që kanë ndikimin të konsiderueshëm në publik.

Rahman Paçarizi, korrespondent shumëvjeçar i Radio Evropa e Lirë, sot profesor universitar i gjuhës shqipe, thotë se edhe shoqëria kosovare ballafaqohet me fenomenin global të lajmeve të rrejshme e të fabrikuara, që në Perëndim njihen si “fake news”.

“Këto janë lajme që kanë synim të caktuar, para se gjithash, komprometimin dhe diskreditimin e kundërshtarëve, qoftë ekonomikë apo politikë. Këto lajme fabrikohen në periudha të caktuara dhe për këtë arsye thelbësisht dallojnë nga lajmet e rëndomta të rrejshme. “Fake news” me teknika të avancuara i prodhojnë personat e nivelit të lartë, që merren me propagandë, dhe të cilët shumë mirë e njohin psikologjinë e publikut. E dijnë si funksionojnë rreth çështjeve të caktuara dhe pastaj i ‘godasin’ pikat e dobëta ku publiku mund të bie nën ndikimin e lajmeve të tilla”, thotë Paçarizi.

Agron Bajrami, kryeredaktor i së përditshmes “Koha Ditore” dhe anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara, thotë se kohëve të fundit është shtuar numri i atyre që i ankohen këtij institucioni, duke pohuar se lajmet e botuara rreth tyre në media janë të rrjeshme. Ai thotë se shumë nga ta nuk e kuptojnë se nuk është fjala gjithnjë për lajme të rrejshme që synim kanë shkaktimin e dëmit apo elemente të propagandës.

“Në rastin e Kosovës, shumë më shpesh bëhet fjalë për lajmet që nuk janë të trilluara, por është fjala për lajmet që kanë mangësi profesionale. Në të shumtën, këto nuk janë lajme të rrjeshme, por kemi të bëjmë me lajmet që përbëjnë shkelje të etikës gazetareske shkaku i moskujdesit, mosdijes profesionale dhe të ngjashme,” thekson Bajrami.

Ai konsideron se lajmet e fabrikuara kanë ekzistuar edhe më parë, por janë quajtur “propagandë”, dhe se sot lehtë mund të konkludohet se lajmet e tilla i “prodhojnë” individët që duan të përfitojnë ose financiarisht ose politikisht dhe se kryesisht gjenden në institucione.

Me këtë konstatim pajtohet edhe Faik Ispahiu, drejtori i organizatës joqeveritare “Internews Kosova” që merret me zhvillimin e mediave dhe gazetarinë hulumtuese në Kosovë, në kuadër të të cilit funksionon edhe portali Kallxo.com.

“Fatkeqësisht, në Kosovë kemi parë kryeministra, kryetarë të parlamentit, kryetarë, kemi parë pronarë të korporatave dhe kompanive të fuqishme që drejtpërdrejt i kanë paguar ‘prostitutat e tilla gazetareske’. Kanë themeluar media synim kryesor i të cilave është përhapja e ‘mjegullës dhe timit’, përhapja e të pavërtetës dhe ngulfatja e së vërtetës”, thotë Ispahiu.

Mediat e tilla ai i quan “instant media” që themelohen për përdorimin të njëhershëm, e që për detyrë kanë përhapjen e ndonjë fushatë apo propagande, pas së cilës “shemben”.

“Fatkeqësisht, shumicën e këtyre ‘instant mediave’ i financojnë mekanizmat shtetëror përmes fondeve që ministritë e ndryshme i kanë për promovmin e aktiviteteve të tyre, pastaj ndërmarrjet publike, sikur janë Posta dhe ndërmarrjet e tjera, që kanë fonde për krijimin e mediave”, thotë Ispahiu.

Nëse kihet parasysh se sot çdo qytetar me krijimin e ueb-faqes së tij mund të plasojë lajme të pavërtetuara, që varësisht nga interesi politik e ekonomik, kopjohen nga portalet e tjera, atëherë është e qartë shpejtësia e dezinformimit potencial, që mund të ketë ndikim të fuqishëm në krijimin e opinionit publik.

“Koha e zakonshme e paraqitjes së këtyre ‘instant mediave’ dhe ‘instant gazetarëve’ është në prag të zgjedhjeve, por jo edhe vetëm atëherë, por kurdo që është e nevojshme, kur duhet trilluar ndonjë temë, kur duhet shmangur ndonjë temë, kur duhet lëshuar ‘një grusht mizash’ në kohë të vështira, sikur është sot”, shpjegon Ispahiu.

Në Kosovë ekzistojnë me qindra ueb faqe dhe portale pronarët e të cilave kryesisht janë të panjohur, megjithëse Agron Bajrami dhe Faik Ispahiu konsiderojnë se ato nuk mund të jenë konkurrencë e vërtetë e mediave profesionale. Problem më i madh, sipas Ispahut, është se mediat profesionale janë të anashkaluar në aspektin financiar meqë, si thotë, fondet e pakëta në marketingun kosovar janë politikisht të orientuara.

Bajrami e paraqet qëndrimin se këta njerëz apo këto grupe që prodhojnë lajme të rrejshme me qëllim të përfitimit personal politik apo ekonomik, nuk janë gazetarë.

“Ata vetëm aktrojnë se kinse janë gazetarë dhe nuk janë konkurrencë, mirëpo janë problem jo vetëm i mediave por edhe i shoqërisë dhe ky problem, mendoj duhet zgjidhur përmes arsimimit të shoqërisë për të kuptuar se çka është një media, çka është e çka nuk është lajm”, thotë Bajrami.

Rrahman Paçarizi konsideron se është shumë me rëndësi që në shkollat e mesme të futet lënda e edukimit medial, në mënyrë që të rinjtë të jenë në gjendje të njohin lajmin e rrjeshëm, si ta trajtojnë dhe ta përdorin atë.

Vitin që shkoi Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës hodhi në debat publik Koncept-dokumentin për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, në kuadër të të cilit përfshiu edhe lajmet e rrejshme dhe dënimin me burg për ata që i publikojnë. Ekspertët e mediave dhe shoqëria civile konsiderojnë se me miratimin e një dokumenti të tillë do të rrezikohej liria e shprehjes, sidomos në mediat sociale. Agron Bajrami nuk e përjashton mundësinë që sanksionet e tilla ligjore do të keqpërdoreshin mu prej atyre që, sipas tij, janë edhe “prodhues” kryesor të lajmeve të dyshimta.

“Shumicën e lajmeve të rrejshme, së paku në Kosovë, i prodhojnë politikanët, nuk i prodhojnë as mediat as qytetarët. I prodhojnë personat që janë në politikë dhe shpesh i prodhojnë publikisht, duke mos u fshehur. Dhe çfarë të bëhet me ta kur ata rrejnë në çdo moment dhe me çdo rast?! T’i fusim në burg?! Ky është një problem që duhet zgjidhur në mënyrë tjetër”, thekson Bajrami.

E derisa të mos gjenden mekanizmat për zvogëlimin e ndikimit të të ashtuquajturave paramedia, dhe për margjinalizimin e informatave të pavërtetuara dhe të trilluara, publiku kosovar edhe tutje do të “jetojë” me lajme të tilla, rrjedhimisht edhe me pasojat e tyre.

 

 

 

 

 

Të Rekomanduara