KosovaLive360

Vlora Krasniqi, studente, ka më shumë se pesë vite që merret me vullnetarizëm. Për dy vite kishte qenë kryetare e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Vushtrri dhe përgjatë asaj kohe së bashku me të rinjtë tjerë vushtrrias, u angazhua për t’i ndihmuar komunitetit.

Krasniqi insiston se aktivitetet lokale i kanë tejkaluar kufijtë e vetëm vullnetarizmit.

Ajo thotë se Vushtrria ka një numër të madh organizatash rinore dhe numër të konsiderueshëm të të rinjve që merren me vullnetarizëm, dhe mes tjerash përmend organizatën rinore “Lëvizja Koha”, që u angazhua me çështjen e  arsimit dhe të kulturës dhe “Kult Studio” që merret me pikturë dhe art.

Numër të saktë të vullnetarëve aktivë nuk ka, sepse ndryshon vazhdimisht. Mobilizimi i vullnetarëve të rinj është i madh, dhe rëndom ata janë edhe nismëtarë të disa aktiviteteve.

“Kur kemi pasur ndonjëherë probleme rinore, që kanë qenë prekëse për neve kemi qenë të parët që kemi ndërmarrë iniciativa. Po e përmendi rastin e Kalasë së Vushtrrisë, kur ajo veç se është dashur të privatizohet e me u dhënë si kafeteri, kanë dalur shoqëria civile, kryesisht të rinjtë me parullën që të ruhet ky monument dhe të shfrytëzohet si objekt ku munden me u mbajt të gjitha trajnimet apo seminaret dhe çdo aktivitet tjetër”, thotë Krasniqi.

Ndër aktivitetet tjera Krasniqi veçon Panairin e Shkencës dhe të Kulturës, ku të rinjtë inovativë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria e Mali i Zi, kanë pasur mundësinë të mblidhen dhe të shpalosin aftësitë e tyre në shkencë dhe kulturë.

Në frymën e vullnetarizmit lokal, tridhjetë vullnetarë të moshës 14 deri në 22 vjeç, që nga muaji shtator po angazhohen për të ndihmuar shumë familje në nevojë, përmes realizimit të disa aktiviteteve. Iniciatore ishte Edina Imeri, studente, që qëllim kishte tubimin e një grupi të rinjsh, që do të punonin vullnetarisht në shërbim të komunitetit, duke iu ofruar ndihmë familjeve në nevojë, me gjëra ushqimore dhe me veshmbathje.

Edina mendon se të rinjtë duhet të zgjedhin sa më shumë punë vullnetare dhe shton se është ndjenjë e mirë kur bën diçka të mirë për komunitetin. E sidomos ndjehet tejet e kënaqur me vizitën që këta të rinj ua bën fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Ndjenjë shumë e mirë. Ata fëmijë janë shumë të dashur, dinë të falin dashuri të sinqertë dhe të pakushtëzuar. Ka qenë ndjenjë e papërshkruar”, thotë Imeri.

Në një lokal afër Kalasë së Vushtrrisë në fund të muajit janar një grup të rinjsh mblodhën veshmbathje për familjet në nevojë. Veshmbathjet janë shpërndarë në disa fshatra të komunës së Vushtrrisë, një pjesë në fshatin Druar, një pjesë në fshatin Kollë, një pjesë do të shpërndahen te “Kryqi i Kuq” në Vushtrri dhe një pjesë tjetër në komunën e Prishtinës.

Për Arbesa Hoxhën, nxënëse në shkollën e mesme të lartë në Gjimnazin “Eqrem Qabej”, momenti më i vështirë ka qenë kur i ka pa fëmijët e këtyre familjeve pa veshmbathje.

“Ka qenë me të vërtetë prekëse t’i shohësh familjet në gjendje të mjerueshme,” thotë Hoxha, dhe shton se të rinjtë duhet të merren sa më shumë me punë vullnetare.

“Pak nga ne, do të thotë shumë për të tjerët”, thotë Arbesa.

Arbër Hoxha, student i Fakultetit Filozofik, tregon me plotë krenari se deri tash kanë ndihmuar gjashtëmbëdhjetë familje. Ndër aktivitetet e para kishte qenë vizita dhe dhurimi i lodrave për fëmijët me nevoja të veçanta në klasën e bashkangjitur në Shkollën Fillore “Ali Kelmendi”, në Vushtrri.

“Përgjatë disa orëve ne kemi qëndruar së bashku me këta fëmijë, duke iu dhuruar lodra … Në një farë forme kemi dashur të solidarizohemi me ta”, thotë Hoxha.

Në qendër të Vushtrrisë është zhvilluar aktiviteti tre ditor për shitjen e ëmbëlsirave. Në tavolinën e drurit, u vendosën disa lloje ëmbëlsirash të përgatitura me shumë dashuri, nga të rinjtë vullnetarë. Përmes shitjes së ëmbëlsirave ata grumbulluan 600 euro, përmes të cilave kanë ndihmuar rreth dymbëdhjetë familje me pako ushqimore dhe me nga 25 kilogramë miell.

“Së bashku kemi ndarë kohë, së bashku kemi punuar dhe së bashku do t’i gëzojmë familjet që kanë nevojë për ndihmë”, thotë kryetari i iniciativës rinore bamirëse të Vushtrrisë (IRBV), Arbër Hoxha .

Një mbrëmje tjetër humanitare ishte organizuar për grumbullimin e fonde për dërgim për shërim jashtë vendit të një djaloshi nga komuna e Vushtrrisë.

“Në fillim ka pasur dyshime sepse fillimisht ne jemi vetëm iniciativë e vogël por, në fund e kemi parë se secila punë që fillon me vullnet të mirë, gjysma e punës veç se përfundohet. Nuk ka qenë e vështirë sepse vullneti për t’iu ndihmuar atyre që kanë nevojë ka qenë çdo herë i madh”, thotë Adnan Jashari, po ashtu anëtar i IRBV-së.

Sado që vullnetarët nganjëherë janë ndeshur me injorimin e disa banorëve, pjesa dërrmuese e qytetarëve u ka ofruar përkrahje, qoftë me të holla apo gjëra të tjera materiale.

Kastriot Tahiri, nxënës në shkollën e mesme të lartë, Gjimnazi “Eqrem Qabej” thotë se donacione ka pasur edhe nga qytetarët e tjerë, që kontribuan duke filluar nga shumat e vogla prej 50 eurosh e tutje. Ndihmë në aksionet vullnetare iu kanë ofruar edhe kompanitë e ndryshme vushtrriase.

Kastrioti konsideron se ndihma, sado e vogël që është nga ana e tyre, për familjet nevojtare do të thotë shumë. Sipas tij, është emocionuese kur i sheh të tjerët të lumtur dhe premton se nuk do të ndalen me kaq.

“Duhet të kemi më shumë konsideratë për të varfërit, nëse kemi mundësi t’iu ndihmojmë të tjerëve, pse mos me vepru. Kështu arrijmë me i gëzu ata sadopak”, thotë Tahiri, anëtar i IRBV-së.

Arbnor Hasani, student shton se pa mbështetjen e familjeve për kryerjen e punëve vullnetare, e gjithë puna do të ishte e kotë.

“Familja ime gjithmonë më ka përkrahur në kryerjen e çfarëdo pune vullnetare, që ështe në të mirë të shoqërisë”, thotë Hasani.

“Kryqi i Kuq”, që vepron edhe në Vushtrri që nga viti ‘99 ka tubuar rreth 60 vullnetarë aktivë, nga mosha 16 vjeç e tutje. Kumrije Zhabari, sekretare e degës së “Kryqit të Kuq” në Vushtrri, mendon se vullnetarët vushtrrias janë gjithmonë të gatshëm per t’i ndihmuar komunitetit.  Ndër aktivitetet e shumta me të rinj, ajo përmend aktivitetin “Gjithëpërfshirja Sociale”, që u mbajt vitin e kaluar.

“Për gjashtë muaj i kemi pasur përmbi 600 të rinj që janë inkuadruar. Kanë qenë të trajnuar gjashtë vullnetarë në Prishtinë, për takime të ndryshme dhe tema të ndryshme lidhur me të rinjtë. I kemi përfshirë edhe komunitetet e ndryshme edhe rome, turke dhe shqiptare, sigurisht. Ajo ka qenë një punë e madhe që e kemi bërë. Dhe aty e kemi pa që fuqia e vullnetarizmit është shumë e madhe”, thotë ajo.

Shkurta Berisha

Të Rekomanduara