KosovaLive360

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar rënie të rasteve të gripit sezonal nën pragun epidemik.

Nga 01 tetori deri më 16 mars 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 54.917 raste të dyshimta në grip, 4955 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 102 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute). Gjatë javës 10–të 2018 janë raportuar 2458 raste të dyshimta në grip, 230 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 10 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

Në laboratorët e Qendrës Kombëtare të gripi, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit të gripit, 273 persona kanë rezultuar pozitive në Influencë. Sipas tipit, 120 raste janë pozitive në Influencën A dhe 153 në Influencën B. 56 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 74 raste tjera janë A të pa subtipizuara. 162 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, 90 prej tyre janë subtipi Yamagata (“Gripi Japonez”).

Epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet dhe është përgjysmuar në intensitet duke shënuar rënie të vazhdur. Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidomos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familiar për të parandaluar komplikimet. Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Evropë dhe botë.

Të Rekomanduara