I pavlerësuar e i shikuar si “luks”, arti ende mbetet jo shumë fitimprurës

Për Rrushe Hysenin, studente e vitit të dytë të artit, arti në Kosovë vlerësohet pak, edhe nga arsyeja se nuk ka njerëz që e vlerësojnë apo merren me art dhe nuk kanë informata të mjaftueshme për ata që merren me art.

“Një artist në Kosovë mund të mbijetojë, por mundësitë janë shumë të pakta, shkaku që nuk kemi hapësirë të mjaftueshme për të shprehur talentin tonë dhe gjithashtu jemi shumë vend i mbyllur!” shtoi Rrushe Hyseni.

Fakulteti i saj, në kuadër të Universitetit AAB, organizon ekspozitë një herë në vit. Në këtë të fundit, në prill të vitit të kaluar, në Hamamin e Prizrenit, kishte arritur t’ua shiste një pikturë të saj turistëve turq me një çmim prej 50 eurosh.

Kjo ishte njëra prej gjithsej dy pikturave të shitura gjatë gjithë ekspozitës.

Blerta Surroi dhe Vale Blakçorri në qershor të vitit të kaluar hapën “Monet Art & Books”, një vend alternativ në Prishtinë ku mund të ekspozohen dhe shiten pikturat. Aty çdo muaj organizohen ekspozita, ndërsa e fundit ishte ajo me punime në qeramikë kushtuar Shën Valentinit. Krahas veprave të artit, shiten edhe libra dhe shërbehet kafe. Blerina Zeka nga Monet Art & Books thotë se çmimet e punimeve të artit sillen prej 99 deri 450 euro.

Por a thua se si në realitet e përjeton krejt këtë situatë një piktor që nuk merret me asgjë tjetër përveç artit.

Mina Krasniqi thotë se ekspozitat e saj kryesisht i ka vetëfinancuar, e të pakta janë ato për të cilat ka gjetur përkrahje. Ekspozitat në Kosovë më shumë i ka bërë me qëllim të reklamës, e në aspektin financiar më shumë ka humbur se sa që ka fituar. Kjo për dallim nga përvoja që ka pasur në Gjermani apo Itali, ku pati përfitime shumë të mëdha nga shitja. Thotë se të gjithë këtë e bën për shkak të dëshirës për art dhe i inkurajon artdashësit që të vazhdojnë të merren me këtë profesion, pa marrë parasysh pengesat.

“Edhe pse ka vështirësi kohë pas kohe, është normale kjo, sepse arti këtu nuk vlerësohet edhe sa duhet dhe këtë normalisht e dimë të gjithë, mirëpo ata që e dojnën artin nuk dorëzohet edhe e gjejnë rrugën gjithqysh për t’u marrë me art.”

Fitim Aliu, prodekan i Universitetit të AAB-së, Dega e Arteve dhe Arkitekturës thotë se është shumë problem që artistët të jetojnë nga të hollat që i sigurojnë përmes shitjes së pikturave.

“Shumë artista vazhdojnë të sillen rrugëve, piktorët sidomos, duhet që të merren  privatisht me kurse të pikturës, që të shesin aty këtu ndonjë, kur t’ju jipet rasti. Kështu që është një perspektivë pak jo premtuese në pikturë”, thotë Aliu për KosovaLive.

Aliu tregon se edhe pse ky profesion është shumë i nevojshëm për vendin, për dallim nga koha menjëherë pas luftës, sot e gjitha që mund të të ofrojë është një vend pune si pedagog. Madje, edhe ajo, sipas tij, është vështirë e arritshme për shkak të zvogëlimit të orëve të artit nëpër shkolla.

Zgjim Zyba, student i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, tregon se artistët nuk kanë hapësira të ekspozojnë krijimtarinë e tyre artistike në Kosovë dhe se arti vazhdon të konsiderohet luks. Ai tregon se përkundër këtij fakti, në Kosovë ka çështje shoqërore, politike, ekonomike, sipas tij tema të jashtëzakonshme të cilat mund të trajtohen në mënyra të ndryshme dhe të ndihmojnë në formësimin e një artisti, prandaj artin bashkëkohor në Kosovë ai e quan “fat në fatkeqësi”.

“Unë jam student në master të artit bashkëkohor, dhe përpos ekspozitave studentore nuk na është dhënë mundësia për të ekspozuar edhe pse vërtet ekzistojnë disa vende të caktuara. Është Galeria Kombëtare, po ashtu është edhe (ish) Klubi i Boksit ku ne mund të ekspozojmë artin tonë bashkëkohor. Mirëpo, kjo është brenda Prishtinës. Po të dalësh jashtë Prishtinës  është shumë e vështirë të qasesh me artin bashkëkohor dhe t’i prezantosh veprat e tua artistike para publikut,  përderisa arti vazhdon të mos jetë shumë i vlerësuar”, potencoi Zyba.

Qëllimi kryesor i artistëve, sipas tij duhet të jetë shpërfaqja e ideve të tyre përmes krijimeve dhe jo përfitimet materiale.

Fatlinda Daku