I është dhënë lamtumira e fundit dirigjentit Bahri Çela

Me këngën “Lamtumirë” të kompozuar nga Rauf Dhomi, i është dhënë lamtumira e fundit dirigjentit dhe pedagogut Bahri Çela i cili vdiç më 29 shtator në moshën 77 vjeçare.

Në varrimin e tij, përveç miqve dhe familjarëve,  morrën pjesë shumë figura të njohura të fushës së artit dhe muzikës. Gjithashtu, u mbajt edhe një mbledhje komemorative në amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës ku u çmuan lart vlerat dhe kontributi i profesor Çelës si një prej figurave më me ndikim në fushën e muzikës.

Në këtë mbledhje komemorative, Marjan Demaj, rektor në Universitetin e Prishtinës, tha se ishin me fat gjithë ata që arritën ta njihnin ose të ishin studentë të tij pasi që ai ishte i afërt dhe i dashur me të gjithë.

Ndërsa, Valbona Pula-Petrovci e cila foli në cilësi të koleges por edhe nxënëses  së tij tha se ka mësuar shumë prej tij.

Ceremonia ka vazhduar me “Norcturna” të Chopin të interpretuar nga mbesa e tij Bora Çela. Më pas, Kori i Filarmonisë së Kosovës ka interpretuar këngën “Nënë” të Kushtrim Gashit dhe “Një Lule” të Rexho Mulliqit.

Në fund të ceremonisë është shfaqur një fragment nga Oratorumit “Messiah” i Handelit ku dirigjent kishte qenë pedagogu Çela.