TV Telma – gusht 2018 – Në  takimin e fundit të  liderëve, ku u mblodhën politikanë të Maqedonisë të pushtetit e opozitës në përpjekje për të arritur marrëveshje mbi çështje të rëndësishme, në vend të politikanëve lajm u bënë fotoreporterët.

Ndodhi që fotoreporterëve nuk iu lejua t’i fotografojnë liderët e partive politike para hyrjes në Klubin e Deputetëve, ku zhvillohej takimi i liderëve. Diçka që në shumë takime të mëhershme të liderëve ishte normale, në vendin ku më herët punonin pa pengesë. Në mesin e tyre ishte edhe Borče Popovski.

“Na është thënë se, për shkaqe sigurie, nuk guxojmë të qëndrojmë aty ku më parë i fotografonim liderët dhe punonim. Policia na tha të merremi vesh me protokolin, e protokoli se policia ka thënë ashtu dhe tërë kohën e gjuanin topin,” thotë fotoreporteri Borče Popovski.

Atëherë, në shenjë proteste, fotoreporterët i lëshuan aparatet në tokë dhe nuk bënë fotografi nga takimi i liderëve.

Në pamundësimin e punës së fotoreporterëve reaguan të gjitha asociacionet e gazetarëve në Maqedoni. Ato kërkuan që punëtorëve medial t’u lejohet puna e papenguar.

“Kemi reaguar në komentimet dhe në tentimin që fotoreporterëve, për arsye sigurie, të mos u lejohet të qëndrojnë në hyrje të objektit ku mbahej takimi i liderëve, me komentime të pahijshme të llojit: “deri tani keni heshtur, e tani keni gjetur të flisni”, thotë Tamara Čausidis, kryetare e Sindikatës së pavarur të gazetarëve të Maqedonisë.

Komentimi të cilit i referohej Čausidis janë në fakt fjalët e Marjan Zabrčanec, këshilltar për marrëdhënie me publikun i kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kur fotoreporterët u ankuan se nga ai vend kishin fotografuar deri atëherë, dhe se një qasje e tillë ndaj tyre është e papranueshme, Zabrčanec u porositi:

“11 vjet ju kanë shkelur e keni heshtur. Tani, keni gjetur të flisni!”

Me këto fjalë ai aludoi në vitet e sundimit të VMRO-DPMNE, gjatë të cilave mediat ishin nën presionin dhe kontrollin e fuqishëm të pushtetit të Nikola Gruevski-t.

“Reagimi lidhur me 11 vjetët e shkeljes ishte reagim ndaj sulmeve verbale se po i shkelnim gazetarët. Nuk mund të pajtohem dhe kurrë nuk do të pajtohem me këtë, meqë ne veprojmë kundër një sjelljeje të tillë dhe angazhohemi për profesionalizëm dhe raportim të lirë për të gjitha mediat,” thotë Zabrčanec.    

Një ditë pas ndalesës, në një takim të ri të udhëheqësve, fotoreporterëve iu lejua të fotografojnë nga lokacioni i vjetër, në hyrje të Klubit të deputetëve.

Zabrčanec thotë se kjo mosmarrëveshje tashmë është tejkaluar.

“Në koordinim më shërbimet e sigurimit është gjetur një zgjidhje që një pjesë e atyre mediave që duan, mund të fotografojnë në hyrje dhe brenda, sipas protokolit të sigurisë,” thotë Zabrčanec.

I tërë kontesti përfundoi edhe me një fotografi të përbashktët të fotoreporterëve dhe protokolit të Qeverisë së Maqedonisë, para Klubit të Deputetëve.

Edhe xhiruesit edhe shoqatat e gazetarëve duan të besojnë se bëhet fjalë vetëm për një mosmarrëveshje, e jo për moskuptimin e punës së punëtorëve medial. Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kanë tërhequr vërejtjen se këto incidente paraqesin një sulm direkt mbi lirinë e mediave dhe një tentim që të kriminalizohet puna e punëtorëve medial të cilët në publik duhet të prezantoheshin si njerëz të rrezikshëm. Nëse edhe ka pasur arsye të sigurisë për instalimin e praktikës së re për përcjelljen e ngjarjeve publike, fotoreporterët dhe xhiruesit është dashur të informohen me kohë në mënyrë që të sigurohet një mënyrë alternative për mbulimin e ngjarjeve, pa krijuar konfuzion dhe nervozë.

“Incidentet e tilla të panevojshme, seriozisht komprometojnë edhe angazhimin e pushtetit të ri të Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë për një qeveri të përgjegjshme dhe i kthejnë hijet e së kaluarës,” konsideron Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.