KosovaLive360

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Junikut, me ç ‘rast u prit nga kryetari i Komunës, Agron Kuçi me bashkëpunëtorë.

Pas takimit me kryetarin Kuçi, kryeministri i shoqëruar nga ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zhvilloi një bashkëbisedim me asamblistë dhe qytetarët e kësaj komune.

“Jemi afër përvjetorit të Hakifit, Zahirit, Edmondit dhe është lehtë ta kujtojmë se Juniku i sotëm, Kosova e sotme është falë një rruge të gjatë e të vështirë deri në liri, flijimeve dhe vuajtjeve të mëdha. Jemi afër shënimit të 10-të vjetorit të pavarësisë dhe e dimë që asnjë shtet nuk është lindur dhe rritur lehtë, por me gjithë vështirësitë në të cilat po kalon vendi, po punohet për anëtarësimin e Kosovës në BE, në NATO, dhe fuqizimin e miqësisë me SHBA-në” , tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri përmendi gjendjen në arsim, si prioritet i Qeverisë që drejton.

“Testi PISA është një test ndërkombëtar dhe nëse del i keq na turpëron. Është me interes që drejtorët e shkollave, drejtori i arsimit ta marrë seriozisht këtë” , tha kryeministri Haradinaj.

Në takim, ai tha se është biseduar edhe për sistemin e shëndetësisë, ofrimin e barnave esenciale, furnizimin me energji, por edhe për projekte tjera me rëndësi, siç janë përfundimi i rrugës për Gjeravicë, objekti i ri i shkollës, transformatori 110 kilovat, ujëmbledhësi për grumbullimin e rezervave të ujit të pijshëm, shtëpinë e kulturës, palestrën e sportit dhe probleme të tjera të kësaj Komune.

Duke u ndalur te çështja  e liberalizimit dhe demarkacionit, kryeministri tha se po punohet që shumë shpejt të arrihet liberalizimi i vizave.

Kryetari i Komunës, Agron Kuçi theksoi se ky është moment historik për faktin se për herë të parë zyrtarisht në Komunën e Junikut, vjen kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Kryetari Kuçi e njoftoi kryeministrin me zhvillimet në komunë, sfidat, nevojat, por edhe me objektivat e qeverisë komunale.

“Kryeministri e njeh problematikën tonë dhe ai i pranoi me mirëkuptim sfidat dhe objektivat tona. Jam i sigurt se komuna e Junikut, qytetarët tanë do ta ketë një perspektivë dhe një ardhmëri të sigurt” , tha kryetari Kuçi.

Të Rekomanduara