Haradinaj: Ta vazhdojmë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zot në atë çfarë bëjmë në jetë

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka marr pjesë në hapjen e Panairit të të 20-të të Librit, që u organizua nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

“Qeveria është e vendosur që të përkrahë botimin, shpërndarjen e librit, duke bërë lehtësira në taksa, me TVSH zero, por edhe me zbatimin ligjit, i cili do ta garantojë këtë, e që do të jetë funksional në muajin shtator”, tha Haradinaj.

Haradinaj e cilësoi këtë vit jubilar, duke thënë se panairi i 20-të i librit meriton porosi të çmuar nga Qeveria.

“Porosia ime për ju sot, për ata që shkruajnë është “shkruani se dilni në dritë”, tha Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se si brez i lirisë ka lexuar, është frymëzuar, ka marrë nga rilindësit, nga heronjtë, patriotët, burrat e zonjat e mëdha që ka dhënë kombi ynë për qëllimin më të madh, qëllimin e lirisë.

“Mendoj se njeriu që lexon është i lirë, ka liri. Ai që lexon është vetvetja, është sovran, sepse merr vendime dhe si i tillë lexuesi është fitues çdoherë. U bëjë thirrje qytetarëve të të gjitha moshave që ta vazhdojnë lidhjen me librin, sepse kështu do të jemi më të zotë në atë çfarë bëjmë në jetë”, tha Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, tha se kjo është ngjarja më e madhe kulturore e organizuar në Kosovë, ngjarja dhe organizimi më stabil për 20 vjet rresht. Duke kujtuar vitet e vështira kur është organizuar edicioni i parë i Panairit të Librit, kryetari Demaku porositi të gjithë që ta mbrojnë pastërtinë e gjuhës shqipe.

Pjesëmarrës në këtë edicion të 20- të Panairit të Librit “Prishtina 2018”, ishin botues nga Kosova, Shqipëria dhe vende tjera nga hapësira mbarë shqiptare.

Me nga një fjalë të pranishmeve iu drejtuan, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Më pas kryeministri Haradinaj vizitoi disa nga shtëpitë botuese, pjesëmarrëse në këtë panair.

Me të marr mandatin, Qeveria ka marrë vendim që të zbres taksën e TVSH-së në zero për botuesit e librit, si nismë për të përkrahur shkrimtarët, botuesit dhe për të nxitur lexuesit për blerjen e librit.