KosovaLive360

12 Korrik 2017
Hapet panairi tradicional me moton “Ti je pjesë e atdheut”

Organizuar nga Ministria e Diasporës, sot në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, u hap panairi me veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale, me moton “Ti je pjesë e atdheut”. Në këtë panair, punimet dhe prodhimet e tyre i prezantojnë 55 shoqata të grave nga Kosova dhe Shqipëria.

Përmes këtij panairi, që karakterizohet për veshje kombëtare, punime dore e ushqime tradicionale,  bashkatdhetarëve do t’u prezantohet tradita shqiptare.

Hapjen e panairit e bëri ministri i Diasporës, Valon Murati, i cili tha se tashmë ky  aktivitet nga viti në vit po bëhet tradicional.

“Ky panair është pjesë e aktiviteteve tona  të mirëseardhjes për bashkatdhetarët, të cilët vijnë për pushime në atdhe. Me gjithë sfidat, bashkatdhetarët tanë janë të prirë që gjërat tradicionale, qoftë veshjet, ushqimet e shenjat kombëtare t’i kultivojnë,  ta ruajnë identitetin kombëtar e kulturor, por edhe ta promovojnë këtë kulturë e identitet edhe ne vendet ku jetojnë”, theksoi ministri Murati.

Panairi do të qëndrojë i hapur nga dita e sotme deri më 15 korrik.

Në kuadër të këtij panairi, më 14 korrik  do të zhvillohet edhe një aktivitet tjetër –sofra tradicionale, me rapsodë të folklorit.

Të Rekomanduara