KosovaLive360

20 Dhjetor 2016
Fondacioni Lumbardhi nderohet me Çmimin për Demokraci

Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO –K), Ministria e Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike” (DSP) i ndanë “Çmimin për Demokraci 2016” Fondacionit Lumbardhi për iniciativën e suksesshme të mbrojtjes së Kinemasë Lumbardhi në Prizren.

Çmimi për Demokraci vlerëson kontributet e individëve dhe organizatave në fusha të ndryshme, të cilat ndikojnë në procesin e demokratizimit në Kosovë. Qëllimi i çmimit është që të vlerësohet dhe të njihet kontributi i shoqërisë civile, si rezultat i zbatimit të një nisme të suksesshme, natyrës inovative të nismës, ndikimit të kësaj nisme duke përfshirë potencialin për zgjerim dhe guximin e organizatës apo individit të shprehur përmes nismës në fjalë.

Patrick Etienne, drejtor i Zyrës Zvicerane për Kosovë, në hapje të ceremonisë së ndarjes së çmimit, tha se ky është çmimi i parë këtij lloji i ndarë nga ne në Kosovë.

“Projekti i DSP-së bazohet në premisat që për të ndërtuar dhe zhvilluar një demokraci transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, qytetarët duhet të jenë më aktiv dhe të kërkojnë qeverisje më të mirë dhe gjithëpërfshirje në vendimarrje. Ky është çmimi jonë i parë për Demokraci. Ne jemi të lumtur që po e përkrahim këtë kauzë të një grupi të të rinjëve entuziast”, tha Etienne. 

Venera Hajrullahu, drejtore ekzekutive e KCSF-së, theksoi rolin e rëndësishëm të qytetarëve aktivë dhe organizatave, në veçanti kontributin e tyre në procesin e demokratizimit në Kosovë.

“Kjo nismë sigurisht që nuk është e vetmja. Në Kosovë ka mjaft qytetarë, nisma qytetarësh e organizata të shoqërisë civile që bëjnë punë të shkëlqyeshme për të mirën e përgjithshme. Kino Lumbardhi është një nga ato. Por, ta shfrytëzojmë mesazhin pozitiv të kësaj nisme për të nxitur njëri-tjetrin që të angazhohemi më shumë për hapësirën tonë të përbashkët dhe të mirën publike, në lagjen, qytetin e shtetin tonë”, theksoi Hajrullahu. 

Në emër të Fondacionit Lumbardhi, Ares Shporta pas pranimit të çmimit u zotua të vazhdojë angazhimin rreth mbrojtjes dhe funksionalizimit të Kinemasë Lumbardhi.

“Ishte iniciativa ajo që shënoi herën e parë në Kosovë, kur qytetarët vendosen se çka është trashëgimi, si dhe herën e parë kur një aset kaloi nga lista e privatizimit në listën e trashëgimisë kulturore”, deklaroi Shporta. 

Tutje, Shporta theksoi se iniciativa Lumbardhi u shëndrrua në simbol të rezistencës, shembull i qytetarisë aktive, thirrjes për çlirim të hapësirave publike dhe adresimit të kërkesave të qytetarëve.

Në përfundim të fjalimit të tij, ai u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të zgjidhin çështjen e pronësisë së kinemasë sa më shpejt që është e mundur dhe kërkoi ndihmën e partnerëve në konzervimin e strukturës të objektit të kinemasë.

Përveç këtij çmimi, skema e DSP-së përkrahë projekte që ndikojnë pozitivisht në shoqëri, si dhe ofron përkrahje institucionale për organizata të cilat i nxisin dhe përcjellin sistematikisht këto ndryshime.

Që nga viti 2014, 45 projekte në tërë Kosovën janë mbështetur nga kjo skemë me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 3 milionë eurove. Projekti do të vazhdojë të zbatohet deri në vitin 2018.

Informata shtesë mbi Çmimin për Demokraci: Thirrja për nominime për Çmimin për Demokraci ka qenë e hapur për të gjitha palët e interesuara që të nominojnë personat apo organizatat për të cilat konsiderohet se kanë dhënë kontribut të shquar në demokratizim të vendit. Në Nëntor të vitit 2016, Bordi i DSP-së për Grante dhe Çmime në mes të gjashtë (6) të nominuarve, vendosi që çmimi për këtë vit t’i ndahet Fondacionit Lumbardhi.

Fondacioni Lumbardhi është vazhdimësi e Iniciativës për Mbrojtjen e Kinemasë Lumbardhi, iniciativë kjo e përkrahur nga 58 organizata të shoqërisë civile të cilat u bashkuan duke shfaqur gatishmëri për të përdorur të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar shkatërrimin e ndërtesës ose ndryshimin e funksionit të aktivitetit të Kinemasë Lumbardhi në Prizren.

Si rezultat i këtij angazhimi dhe iniciative, procesi i likuidimit të Kinemasë Lumbardhi nuk është më në agjendën e procesit të privatizimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe kjo kinema tanimë është nën Mbrojtjen e Përkohshme si Objekt i Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.

Të Rekomanduara