KosovaLive360

1 Prill 2016
“Faruk Begolli”, një nga teatrot më modern në rajon

Në praninë e një numri shumë të madh artistësh, artdashësish, zyrtarëve të institucioneve shtetërore e studentëve, në ambientet e Kolegjit AAB u inaugurua Teatri i Kolegjit AAB “Faruk Begolli”.

Me këtë rast, prerjen simbolike të shiritit të AAB Teatrit “Faruk Begolli”, e  bënë kryetari  i Bordit të Kolegjit AAB, aktori Ilir Tafa, motra e aktorit të ndjerë Faruk Begolli, Asliha Binishi dhe aktori Enver Petrovci.

Në këtë ceremoni solemne, drejtoresha e Teatrit të Kolegjit AAB “Faruk Begolli”, Burbuqe Berisha, tha se në kohën kur digjitalizimi na ka përfshirë të gjithëve dhe thellësisht jemi pjesë e telefonave dhe pajisjeve të mençura, një institucion si AAB ka vendosur që të sjellë në vatrën e vet një art të vjetër, e ai është teatri.

Ajo u shpreh shumë e lumtur për pjesëmarrjen e një numri kaq të madh, dashamirë të artit skenik dhe shpalosi planet se AAB Teatri “Faruk Begolli”, do të ketë një repertor të përhershëm në skenën e mbrëmjes si dhe repertorin e veçantë për fëmijë.

Në emër të familjes së aktorit Faruk Begolli, i nipi i tij Gramos Begolli, ka shprehur falënderimet e familjes së tij për AAB-në, duke i uruar këtij teatri jetëgjatësi, siç tha ai, sa krejt trojet shqiptare.

Këtë ceremoni e bëri edhe më të veçantë edhe prezenca e ish-bashkëshortes së aktorit të ndjerë Faruk Begolli, hungarezja e cila vazhdon ta mbajë mbiemrin e tij, ndërsa u shpreh jashtëzakonisht e emocionuar për këtë ngjarje, duke theksuar se Faruk Begolli e ka merituar një nderim të këtillë.

begolli

E veja e Faruk Begollit gjatë fjalës së saj të rastit në përurim

Pas prerjes së shiritit u dha edhe premiera e shfaqjes “Profesor, jam talent…”, një shfaqje e punuar nga profesori Luan Daka, bashkë me ekipin e aktorëve Fatlume Bunjaku, Vjosa Malokaj, Vjollca Hoti, Adelina Zekolli, Valmir Krasniqi, Laureta Gashi, Arta Lahu dhe Furtuna Aliu.

Teatri i AAB-së “Faruk Begolli” po cilësohet si një nga teatrot më modern në rajon, ndërsa do të funksionojë si institucion i pavarur profesionist i hapur për të gjithë shikuesit me repertorin e vet të rregullt, në skenën për të rritur dhe skenën për fëmijë.

Ky teatër, i pajisur me teknologjinë përkatëse më të sofistikuar, ka kapacitet prej 400 ulësesh, dhe krahas shfaqjeve teatrore synon të shërbejë edhe për të gjitha veprimtaritë kulturore e artistike që do të zhvillohen jo vetëm në nivel vendi por edhe më gjerë.

Të Rekomanduara