KosovaLive360

Mungesa e perspektivës për punësim dhe dëshira për jetesë më të mirë i shtynë shpesh prindërit të ‘’zgjedhin’’ për fëmijët e tyre vet shkollimin, ndërsa nesër edhe profesionin. Edhe pse në raste të tilla ekziston një mospajtim, zakonisht fëmijët janë të detyruar të pranojnë ‘’ofertën e vetme në tavolinë’’.

Një pedagoge në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, tregon se entuziazmi i saj për zgjedhjen e shkollimit, ishte shuar nga prindërit qysh në moshë të re.

’’Kur isha e re kisha dëshirë që ta studioja edukatën fizike. Sportin e kam dashur gjithmonë, pasi që më ka tërhequr energjia dhe adrenalina e tij. Isha e përgatitur fizikisht, vrapoja shumë shpejt, por shkaku që në atë kohë është paragjykuar që femra të jetë e fokusuar në sport, unë ndoqa një rrugë tjetër, dhe sot nuk ndihem krejtësisht e plotësuar”, thotë M.A. që deshi të mbetet anonime.

Edhe Fitore Zeka, 18 vjeçare, e cila është në përfundim të gjimnazit ‘’Hoxhë Kadri Prishtina’’, për KosovaLive tregon se gati çdo ditë diskuton me prindërit se çka është më e mira për perspektivën e saj dhe për punësim.

“Mua më pëlqen arti figurativ. Në Gjimnazin Ekonomik u regjistrova sepse prindërit e mi kishin dëshirë, duke më thënë që ky drejtim siguron jetesë më të mirë në të ardhmen. Këto tri vite i kam kaluar me vështirësi. Dhomën e kam të mbushur plotë me piktura që më japin vullnet, por në anën tjetër jam në siklet për shkak të  prindërve të mi që më shtyjnë në diçka tjetër”, shprehet Zeka.

Numri i studentëve të pranuar në universitetet publike në Kosovë për vitin  2016-2017 ishte 15,487 ndërsa vetëm në Universitetin ‘’Hasan Prishtina’’ 7,806.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm në Universitetin e Prishtinës gjatë vitit 2013-2014, numri i të diplomuarve në studimet bachelor dhe master ishte 7 mijë e 621. Numri më i madh i studentëve të diplomuar sipas ASK-së, del të jetë në Fakultetin Ekonomik me 1,312 studentë në vit, e më pas prinë Fakulteti i Edukimit.

Florentina Dushi, psikologe organizative në ‘’Kolegjin Dardania’’ në Prishtinë konsideron se imponimi në arsim fillon qysh në kohë të hershme të fëmijerisë, ku fillojnë t’u jepen modele jashtëzakonisht të ndara, se si femrat dhe meshkujt duhet të zhvillohen.

‘’Në këtë aspekt, ka tendencë të krijimit të diskriminimit më shumë tek femrat. Kjo bën që më tutje në sferën e zhvillimit profesional ato të mos synojnë ngritje profesionale, por përjetojnë stagnim. Stagnimi i tillë potencialisht reflekton në ulje të nivelit të përkushtimit dhe vet-motivimit në vendin e punës’’, thotë Dushi.

Ngjashëm mendon edhe Isa Thaçi, mësimdhënës i psikologjisë në Gjimnazin “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë. Ai thotë se shkollimi është ndikuar nga rrethi familjar, nga baza ekonomike e familjes, por edhe nga kërkesa për tregun e punës. Ndikimi nga familja për përzgjedhjen e shkollimit për fëmijet, si thotë Thaçi, mund të jetë me pasoja më të thella.

 ‘’Pa vullnet e dashuri në përzgjedhjen e shkollimit, personi në fjalë ka mundësi të dështojë gjatë studimeve, poashtu edhe në menaxhimin e suksesshëm të punës në praktikë,” thotë Thaçi.

Imeri 40 vjeçare, nënë e katër fëmijëve, nga Prishtina, përkundër faktit se do që vajza e saj e madhe pas përfundimit të shkollës së mesme të vazhdojë arsimimin, dyshon se do ta arrijë këtë.

“Kam shumë dëshirë që vajza ime të vazhdojë studimet, por për shkak që unë nuk mund ta mbështes vetëm me anë të ndihmës sociale, ajo duhet ta ndërpresë shkollimin”, thotë ajo.

Brenda një viti në universitetet kosovare diplomohen qindra studentë në drejtimet e ekonomisë, juridikut, sociologjisë, edukimit, pedagogjisë, psikologjisë, por vetëm një numër i vogël i tyre mund të gjejnë një vend pune.

Sipas Agjencisë së Statistikave numri i të rinjëve që kanë kërkuar punë vetëm në vitin 2016 ishte 145,807, ku prej tyre 64.342 vetëm femrat.

Mihane Fetahu

Të Rekomanduara