KosovaLive360

Gjatë muajit tetor në Qendrën Emergjente Universitare të Kosovës, ndihmë nga intoksikimi kanë kërkuar gjithsej 34. individë.

Mjeku kujdestar në këtë qendër, Avdush Bajgora thotë numri i të rinjve që kërkojnë ndihmë, në rend të parë për shkak të pasojave nga konsumimi i tepërt i alkoolit po shtohet sidomos gjatë uikendit.

“Rastet më të shpeshta janë grupmoshat prej 16 vjeç e tutje dhe në shumë raste ndodh që personi i njëjtë të kërkojë ndihmë,” thotë Bajgora duke shtuar se intoksikimet rëndom reflektohen me humbje të vetëdijes, konfuzitet dhe se personat e tillë janë asocial, jokomunikativ dhe hiperaktiv.

Sipas tij, përqindja e vajzave që kërkojnë ndihmë është më e ulët se tek djemtë.

Për një trend në rritje dhe për disa rreziqe të reja nga intoksikimi flet edhe Safet Blakaj, drejtor i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”.

“Ne e kemi vërejtur që numri i përdoruesve ekseciv është në rritje, për arsye se shpesh disa prej grupeve të drogave përdoren me alkool. Kjo është problematikë tjetër kur kombinohen këto të dyja, psh. kokaina dhe alkooli, që janë shumë të lidhura mes vete. Pjesa më e madhe e atyre që përdorin kokainë, përdorin edhe alkool shumë. Në fazat e mëvonshme nuk e dimë mirë se a është i varur prej alkoolit apo kokainës: shpeshherë janë që të dyjat, krijojnë varshmëri të dyfishta”, thotë Blakaj.

Fatkeqësisht të dhëna të përgjithshme për përdoruesit kronikë të alkoolit nuk ka, ndonëse, sipas tij numri i alkoolistëve kronikë, megjithatë është i ulët. Gjatë vitit ndihmë në “Labyrinth” për varësi nga alkooli mund të kërkojnë mësatarisht deri tre individë.

Duke u bazuar në atë që po shihet në teren, Blakaj megjithatë vlerëson se pas 4-5 viteve, numri i alkoolistëve dhe problemi i varshmërisë kronikë do të shtohet.

“Për alkool ka disa terapi që janë të mbeshtetura në terapinë psikiatrike por terapi specifike nuk kemi edhe pse ekzistojnë disa terapi me ilaçe që janë kogja të shtrenjta. Mirëpo, ne nuk kemi pas shumë raste që të fillojmë me atë terapi”, thotë Blakaj.

Artan Krasniqi, sociolog, thotë se faktorët socialë dhe kulturorë qoftë kafeteritë, marketet, mediat ndikojnë në përdorimin e alkoolit. Ekspozimi i alkoolit ua zgjon kurreshtjen të rinjve që ta provojnë atë.

Sipas tij, ndikim mund të ketë edhe procesi i socializimit apo kultura familjare.

“Procesi i socializimit të femijëve ndikon që të rinjtë të pijnë alkool. Nëse ata rriten në një ambient, në të cilin prindërit e tyre pijnë alkool brenda familjes, gjasat me e marrë atë model janë shumë më të mëdha. Duhet të ekzistojë një lidhje më e fortë mes shtetit dhe institucioneve tjera: psh. familja, me pas gatishmëri dhe vullnet pë rtë luftuar këtë dukuri që po e shohim si shqetësuese, sidomos te konsumimi te të rinjtë. Shteti mundet me e ngrit akcizën, me e rrit çmimin e alkoolit. Ndërsa, familja me i kontrollu më shumë fëmijët e vetë, në mënyrë që mos me i leju që ata të konsumojnë alkool, sidomos në moshën e tyre të hershme”, thotë Krasniqi.

Besnik Avdiu, kamarier sezonal në një nga restorantet e Vushtrrisë kujton numrin relatvisht të madh të të rinjve që kanë konsumuar alkool gjatë verës. Konsumuesit të alkoolit ishin prej moshës 15 vjeç e lartë.

“Ka pasur raste kur të rinjtë kanë pirë alkool deri në ora 3-4 të mëngjesit… Shumica prej tyre kanë qenë meshkuj, mirëpo ka pasur edhe femra. Në shumë raste kanë shkaktuar edhe incidente, duke i thyer gotat, pjatat dhe kanë filluar t’i pengojnë të tjerët”, thotë ai.

Arian Mehmeti, student i Fakultetit Ekonomik, tregon për KosovaLive se asnjëherë nuk ka pirë alkool dhe nuk e sheh të arsyeshme përdorimin e tij. Ai mendon se përdorimi i alkoolit, sidomos në masë të madhe, paraqet rrezikshmëri dhe mund të arrijë deri te humbja e kontrollit.

“Alkooli, asnjëherë nuk mund të jetë zgjidhje e problemeve, përkundrazi një ndër shkaktarët më të mëdhenjtë problemeve te të rinjtë, mbetet ai”, ka thënë Mehmeti.

Bekrie Maxhuni, profesoreshë e Psikologjisë në Gjimnazin “Eqrem Qabej”, në Vushtrri, konsideron se të rinjtë nganjëherë i kthehen alkoolit edhe nga mosnjohuria për dëmet që mund t’i shkaktojë: ndikimin negativ në procesin e të menduarit, dëmtimin e kujtesës, harresën, ulje e vëmendjes, koncentrimit, gjykimit personal…

Ajo e sheh si problem mungesën e institucioneve për rehabilitimin e personave të varur nga alkooli mundet me sjellë problem të mëtutjeshme.

“Edhe nëse njerëzit kanë dyshime ose dëshirojnë me e ndërpre përdorimin e alkoolit, nuk kanë ku të adresohen…. Do të duhej të krijohej një institucion që do të merrej me trajtimin pas ndërprerjes”, thotë Maxhuni.

Ajo mendon se dukuria e konsumimit të alkoolit do të mund luftohej me krijimin e politikave të ndryshme që e parandalojnë alkoolin në institucione dhe që nuk do të lejojnë blerjen e alkoolit nga persona nën 18 vjeç.

Sipas një ankete para disavitëshetëshe të UNICEF-it, në kuadër të hulumtimit me titullin “Psikoaktive Kosovë”,  45.2% e të rinjve meshkuj kishin konsumuar alkoolin, krahasuar me 30.5% e në mesin e femrave të reja.

Shkurte Berisha

Të Rekomanduara