KosovaLive360

Rreth 264 mijë nxënës të shkollave fillore në Kosovë e kanë mundësinë të mësojnë për edukimin seksual, kryesisht në kuadër të biologjisë ose një lëndeje zgjedhore, por jo të gjithë mësuesit e trajtojnë kapitullin e edukimit seksual, i parashikuar edhe me planprogramet e hartuara nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologji së Kosovës (MASHT).

K.SH. mësuese e klasës së pestë, e cila i ka kaluar të ‘40-tat, që deshi të mbetet anonime sikundër që nuk deshi të zbulonte as shkollën ku punon, në një prononcim për KosovaLive pranon se ajo shmang ligjërimin e edukimit seksual.

“Është një pjesë ku shpjegohet edukimi seksual tek fëmijët e klasës V por unë personalisht e kam anashkaluar temën. Arsyet kryesisht ishin se unë nuk isha komode aq sa t’ia shpjegoja në detaje këtë proces, e nuk isha edhe shumë e përgatitur për mënyrën se si do të reagonin nxënësit. Mendoj se është detyra e arsimtarëve të biologjisë dhe prindërve t’ia shpjegojnë këtë fëmijëve, e jo e imja”, thotë K.SH.

Në vitin 2004, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kishte përkrahur një hulumtim  rreth njohurive, qëndrimeve dhe shprehive të të rinjëve për shëndetin seksual dhe riprodhues, me 900 të rinj dhe 13 grupe fokus me 122 pjesëmarrës. Një nga përfundimet e hulumtimit ishte se të rinjtë kishin njohuri të mangëta dhe se duhet të punohet më shumë, “si në hartimin e materialeve edukuese, ashtu edhe në ngritjen e cilësive së materies programore të edukimit shëndetësor si lëndë mësimore alternative”. Një vit pas hulumtimit (2005/2006), në afro 100 shkolla të mesme të ulta në Kosovë, është pilotuar për herë të parë lënda me zgjedhje për nxënësit e klasës VIII-“Aftësitë për jetën”, që përmban kapitullin e veçantë për edukimin seksual “Çfarë është seksualiteti”.

Kapitull fillon me atë se “edukimi seksual nuk ka lidhje më kryerjen e marrëdhënieve seksuale” dhe se ka të bëjë më të gjitha aspektet e qenieve njerëzore.

Kapitulli është fokusar në kuptimin e edukimit seksual, pubertetin dhe ndryshimet që ndodhin në trupin e vajzave dhe djemve në këtë periudhë, seksualiteti tek adoleshentët, si ndodh shtatëzania, çfarë është kontraceptivi, çfarë është aborti…

Edhe pse Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji (MASHT) në bashkëpunim me UNICEF e kishte futur këtë lëndë në planprogram para mbi dhjetë vjetëve, nuk ka informata të sakta se sa shkolla e zbatojnë atë. Arsyeja kryesore është se “Aftësitë për jetën“ është lëndë zgjedhore dhe stafi i shkollave ka mundësinë të vendosë vetë për inkuadrimin apo jo të saj në planprogramin e vet.

Duke parë nevojën për informimim e saktë të nxënësve në periudhën e pubertetit, menjëherë pas miratimit të vendimit për futjen e kësaj lënde në planprogramin e shkollave, UNICEF kishte siguruar falas librin për mësues dhe nxënës, i cili më vonë ishte botuar edhe nga “Libri shkollor”.

UNICEF, njëherësh kishte organizuar trajnime për mësimdhënësit e 500 shkollave nga qytetet dhe fshatrat e Kosovës.

Vjollca Thaqi, arsimtare e biologjisë në shkollën fillore “Xhemail Mustafa”, një nga pjesëmarrëset e trajnimit, rrëfen për përvojën e saj.

“Trajnimi është mbajtur nga Ministria e Arsimit me trajneret Hajrie Balidemaj dhe Besime Mikullovci për 3-5 ditë. Unë jap lëndën e biologjisë dhe nuk e kam problem ta trajtoj temën, por në trajnim kemi pasur arsimtarë jo të lëndës përkatëse të cilët ceknin, se nuk do ta shpjegonin nxënësve edukimin seksual sepse nuk ndiheshin rehat me temën”, thotë Thaqi për KosovaLive.

Ajo ligjëron edhe “Aftësitë për jetën” për nxënësit e klasës VIII dhe thotë se tema e edukimit seksual trajtohet si të gjitha temat e tjera dhe se ajo nuk e ka fare problem shpjegimin e detajuar të kësaj teme.

“Nxënësit edhe pse në fillim paraqiten pak të ndrojtur, gradualisht hapen me temën dhe nuk ngurrojnë të bëjnë pyetje. Lënda e cila ka interesim nga ana e të dy gjinive ligjërohet për nxënësit të cilët vetëm sa kanë filluar periudhën e pubertetit dhe është një moshë shumë e mirë për të diskutuar më në detaje edukimin seksual”, shpjegoi Thaqi.

Era dhe Erëza, nxënëse të klasës së nëntë të kësaj shkolle thonë se lënda “Aftësitë për jetën” iu ka ndihmuar shumë për mësimin e edukimit seksual.

“Ka qenjë një formë shumë e mirë vetëdijësimi sepse mësuam më shumë për sëmundjet që shkaktohen nga pakujdesia gjatë marrëdhënieve seksuale, parandalimin e tyre, ndryshimet që ndodhin në trupin tonë gjatë pubertetit. Për ne ka qenë një lëndë e mirëpritur. Sa i përket në përgjithësi klasës, shumica e kanë trajtuar si një temë mjaft serioze. Por, ka qenë një numër i vogël i nxënësve që nuk e kanë marrë si temë shumë e dëshirueshme, mirëpo pas një kohe e kanë kuptuar deri në një masë rëndësinë e edukimit seksual”, thotë Era.

Të dyjat shtojnë se pas informatave që i kanë marrë në shkollë rreth edukimit seksual e kanë pasë më të lëhtë që këtë temë ta diskutojnë edhe me prindërit.

“Edhe në shoqëri u diskutua si temë, por asnjëherë me informata të sakta e shumë herë u cilësua si një temë tabu”, thotë Erëza.

Shpresa Shala, drejtoreshë e shkollës fillore “Xhemail Mustafa” thotë se ky institucion arsimor i kushton rëndësi që fëmijët t’i marrin informatat e nevojshme rreth edukatës seksuale.

“Në shkollën tonë nuk anashkalohet tema e edukimit seksual. Ajo shpjegohet nga arsimtarët e biologjisë, por si temë fillon nga klasa e 5-të me mësues. Më vonë tek cikli i lartë, shkolla zgjodhi si lëndë zgjedhore lëndën ‘Aftësitë për jetën’, ku në mesin e temave është edhe edukimi seksual…”, thotë Shala.

Agjencia e Statistikave të Kosovës kishte njoftuar se në vitin 2015 në vendin tonë ishin regjistruar gjithsej 105 martesa të hershme, dhjetë më shumë se një vit më parë, të vajzave 16-17 vjeçare me burra më të vjetër. Po të njëjtin vit, zyrtarët për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kishin njoftuar për gjithsej 20 nëna me moshë 17 vjeçare, 8 nëna 16 vjeçare dhe 3 nëna 15 vjeçare. Nga ana tjetër, sipas repartit infektiv në QKUK, në vitin 2016 ishin regjistruar 33 pacientë me AIDS, ndërkohë që bëhet me dije se për çdo vit ka mesatarisht 2-3 raste të reja.

Renea Begolli

Të Rekomanduara