Edicioni i shtatë i Komedia Fest me shumë të reja

Gjatë gjashtë edicioneve të kaluara, Komedia Fest jo vetëm që ka tërhequr vëmendjen e njerëzve por edhe i ka dhënë jetë teatrit dhe Çarshisë së Vjetër të Gjakovës. Këtë edicion, synohet që me anë të komedisë të thyhen paragjykimet në shoqëri.

Në këtë edicion të shtatë, që fillon me 16 shtator dhe përfundon me 22 të po këtij muaji, do të ketë shumë të reja. Me një shtrirje të gjerë gjeografike, Komedia Fest do të përfshijë shfaqje komedi nga gjithë trojet shqiptare, program për fëmijë dhe performanca nga artistë të ndryshëm.

“Komedia Fest në edicionin e shtatë do të përmbajë edhe disa aktivitete tjera shtesë që kanë për synim promovimin e kulturës dhe zgjerimin e njohurive përfushën e artit, gjithmonë duke mbajtur frymën e zhanrit të komedisë. Këto aktivitete shtesë përfshijnë edhe debate dhe ligjërata ditore me aktorë që kanë dhënë kontribut të çmuar në art, si dhe trendet e fundit globale”, bëhet e ditur në njoftimin e Komedia Festit.

Trupat teatrore që do të marrin pjesë vijnë nga qytete të ndryshme si: Prishtina, Mitrovica, Presheva, Tetova, Gjilani, Peja, Tirana.

“Shfaqjet për fëmijë do të prezantohen në terminet e mesditës. Në skenën e muzikës do të ngjiten artistë të shumtë dhe do të ketë befasi të tjera”, thuhet më tej në njoftim.