KosovaLive360

Ferat Spanca, nga Vushtrria para një kohe kishte qenë viktimë e një vjedhjeje të rëndë e cila kishte ndodhur deri sa kishte qenë në një aheng së bashku me familjen e tij.

“ Atë natë shumën e parave e kam mbajtur të fshehur në banesë. Atë natë, dikur mbas mesnatës dikush e kishte thyer banesën dhe i kishte gjetur gjithë të hollat. Po ashtu kishte marrë dhe dukatin e gruas me vlerë prej 2 mijë euro. Policia ka arritur menjëherë pasi që kemi lajmërur, ka kryer punën e vet mirëpo vjedhësi nuk është gjetur kurrë. Tash e sa vjet nuk ka asgjë prej kësaj. E gjithë pasuria ime me vlerë prej 38 mijë euro është zhdukur brenda një ore”, thotë Spanca.

Vjedhjet e shpeshta, si kjo, jo vetëm në shtëpi private por edhe në ndërmarrje private siç janë pompat, degët e bankave, sidomos në muajt e fundit, pothuajse në çdo komunë të Kosovës ngrisin shqetësim tek qytetarët.

Statistikat e Policisë së Kosovës flasin për 2.985 vjedhje, shumica prej tyre – 2.788, vjedhje të rënda, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2017. Gjatë vjedhjeve zakonisht përdoren mjete nga më të ndryshme: kaçavidha, gërshërë… që hyjnë në punë për prerjen e drynave ose thyerjen e tyre, thyerjen e dyerve, dritareve, murit…

Në komunën e Vushtrrisë gjatë nëntë muajve të po këtij vitit janë shënuar gjithsej 209 raste të vjedhjeve.

Avni Zahiti, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, e që përfshin edhe komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Skenderaj, thotë se në komunën e Vushtrrisë në periudhën janar-shtator kanë dominuar vjedhjet në shtëpi/banesa -gjithsej 117 raste,. ndërsa 89 raste në lokale/biznese.

”Motivi i vjedhjeve është përfitimi në pasuri. Ata nuk kanë ndonjë cak të veçantë të vjedhjeve. Ata marrin gjithçka që iu siguron atyre të ardhura”, thotë Zahiti.

Miliam Zhegrova, qytetar i Vushtrrisë thotë se kohëve të fundit ky fenomen është duke krijuar frikë te qytetarët.

”Dukuria e cila po ndodhë në Vushtrri dhe më gjerë në Kosovë është mjaft brengosëse. Arsyeja është se familjet të cilat janë shënjestër e këtyre keqbërsëve janë të rrezikuar edhe me jetën e tyre. Duhet secili qytetar, duke u nisur nga familja, lagjeja, institucionet edukativo-arsimore, institucionet fetare të japin maksimumin në edukimin e brezave të rinjë dhe në fund të zbatohen edhe masat ligjore ndaj atyre që i bëjnë këto vjedhje”.

Në kontekst të asaj se kryesit e vjedhjeve zakonisht janë të moshës së re, profesori i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës Artan Krasniqi, thotë se për zvoglimin e dukurive negative, në mesin e tyre edhe vjedhjeve, roli i familjes dhe bashkëpunimi me organet kompetente janë shumë të rëndësishme.

“…duhet të shikohet edhe perspektiva e të rinjëve, se si shteti e organizon atë perspektivë, se çka ata presin prej vetës. Vjedhja është një akt individual i njerëzve, se sa që i takon një kolektivi apo një shtrese të caktuar. Domethënë, edhe shtresa e pasur vjedhë, mirëpo ata vjedhin më shumë, ata vjedhin me letra edhe ata që janë të varfër vjedhin një pule. Pra vjedhja nuk varet shumë se cilës kategori sociale i takon”, shtoi Krasniqi.

Rol të pazëvendësueshëm në parandalimin e kësaj dukurie, gjithsesi luajnë organet e drejtësisë.

Sipas zëdhënësit Zahiti, situata në Vushtrri konsiderohet e qetë dhe e menaxhueshme, për faktin se në çdo zonë të këtij qyteti ka qasje policia.

“Ka patrulla të mjaftueshme për sigurinë në Vushtrri, numri ndryshon varësisht nga dita ose nga ngjarjet që ndodhin”, thotë ai duke shtuar se policia intensifikon patrullimet dhe prezencën gjatë manifestimeve e festimeve të ndryshme, kur edhe shtohet mundësia e paraqitjes së vjedhjeve.

Sipas Kodit Penal të Republikës se Kosovës, personat që kryejnë vjedhje apo grabitje me përdorim të forcës apo kanosje serioze për personin tjetër, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, dënohen me burgim nga 3 deri në 12 vjet.

Shkurtë Spanca

Të Rekomanduara