KOSOVALIVE – gusht 2018 – Sipas anketës të cilin vitin e kaluar e bëri Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në mesin e kolegëve të vet, në pyetjen cilët faktorë ndikojnë në punën e tyre, 84 për qind nga ta janë përgjigjur: këtë ndikim në tërësi, shumë apo pjesërisht e kanë redaktorët e tyre, 44 për qind menaxherët, ndërkohë që pronarët e mediave 42 për qind.

Sipas anketës së njëjtë, 14 për qind të gazetarëve të anketuar kanë deklaruar se politikanët dhe zyrtarët qeveritarë pak a shumë ndikojnë në shkrimet e tyre. Ata po ashtu kanë theksuar edhe faktorin e censurës, kryesisht nga eprorët e tyre dhe autocensurën, si rrjedhojë e interesave politike apo ekonomike.

Nëse kësaj i shtohet se mediat ballafaqohen edhe me një situatë jostabile financiare, meqë kryesisht mbijetojnë nga marketingu, sikur edhe fakti se viteve të fundit janë hapur shumë portale mediale, pronarët e të cilave zakonisht nuk dihen, atëherë shtrohet edhe pyetja, sa janë sot mediat dhe gazetarët profesional në kryerjen e punës së tyre.

Lavdim Hamidi, kryeredaktor i së përditshmes “Zëri” konsideron se pikërisht portalet e shumëta, ku punon një numër shumë i vogël i gazetarëve, i plasojnë lajmet në bazë të statuseve të politikanëve në rrjetet sociale.

“Nëse një politikan drejton akuza në llogari të rivalit tjetër politik, artikulli publikohet i pabalancuar me pikëpamjen e palës tjetër, dhe këtu vjen deri te shkelja e standardeve, rregullave të gazetarisë në Kosovë”, pohon Hamidi.

Serbeze Haxhiaj, redaktore në Radio Televizionin e Kosovës, e cila merret me gazetari hulumtuese, thotë se në të gjitha mediat kosovare dominon gjenerata e re e gazetarëve, që do të thotë se ata nuk kanë përvojë të mjaftueshme dhe se shpesh “ecin nëpër fusha të minuara etike”.

“Nën kushtet jo të mira të sigurisë në punë, duke punuar në mediat joprofesionale që nuk respektojnë standardet etike dhe profesionale, me këta gazetarë, në mënyrë që ta mbajnë vendin e punës, lehtë manipulohet apo, të themi kështu, ata bëhen dorë e zgjatur e pronarëve në shërbim të agjendave të caktuara. Kjo është karakteristikë në përgjithësi e mediave në Ballkan, ku kemi gazetarë që paguhen shumë pak, të cilët kanë pak përvojë dhe me të cilët lehtë manipulohet”, thotë Haxhiaj.

“Kemi një numër të madh gazetarësh tek të cilët inspekcioni i punës ka gjetur se vetëm vitin e kaluar 34 gazetarë kanë punuar pa kontrata pune. Në disa media ka vonesa me paga dhe punohet përtej orarit. Kjo në njëfarë mase ndikon edhe në cilësinë e artikujve që botohen në mediat tona, si në ato të shtypura ashtu edhe në mediat online dhe në TV”, shton Lavdim Hamidi.

Lavdim Hamidi, megjithatë, konsideron se pa marrë parasysh pakënaqësitë, përfshirë edhe presionet e ndryshme dhe censurën në përgjithësi, në Kosovë ka liri të shprehjes, për dallim nga Serbeze Haxhiaj e cila thotë se në Kosovë nuk ka liri të plotë të mediave.

Si problem ajo thekson edhe faktin se shumë gazetarë veten e shohin përkohësisht në këtë profesion, që u shërben vetem si kalim në ndonjë ministri apo lidhje me ndonjë biznes me qëllim të sigurimit të privilegjeve më të mëdha.

“Edhe kjo fushë lulëzon mjaft në Kosovë. Si thash më herët, mediat përbëhen nga mercenarë të cilët u shërbejnë strukturave të caktuara dhe kjo pak a shumë bëhet karakteristikë kryesore e mediave në Kosovë. Meqë pushteti, sikur edhe fushat e tjera, godet edhe mediat. Me goditje, presione, kërcënime, cenzurë të caktuar, automatikisht ka zvogëluar vullnetitn dhe gatishmërinë e gazetarëve që të shkojnë tutje. Në fund të ditës shtrohet pyetja a e vlen lufta, të gjitha kërcënimet dhe flijimet, nëse nuk je i paguar mirë, nëse nuk je i mbrojtur, nëse nesër e humb vendin e punës? Pra, ka shumë që kalkulohen në kokën e një gazetari që të hyjë në rrezikun e kryerjes së punës që është në të mirë të shoqërisë ose i cili hedh në sipërfaqe llogaridhënien, keqpërdorimet apo gjërat e tjera…”, thotë Haxhiaj.

Në raportin “Indeksi botëror i lirisë së mediave”, që e ka publikuar sivjet organizata “Reporterët pë Kufij”, Kosova zë vendin e 78-të në listën për lirinë e mediave, që është përparim për katër vende në raport me vitin paraprak 2017.

Në këtë raport poashtu theksohet se mediat në Kosovë lëngojnë nga përzierja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e politikës, presioni financiar dhe pronësia tejmase e përqendruar.

Lavdim Hamidi thekson se mu politika e cila ka potencial të reklamimit, dhe bizneset që janë të lidhura me politikë vendosin se cilat media duhet mbështetur.

“Kryesisht nuk i mbështesin mediat që janë kritike ndaj pushtetit dhe që punën e tyre e kryejnë në mënyrë të pavarur. Nga ana tjetër, kemi edhe reklama nga institucionet buxhetore në media. Edhe ato po ashtu janë në ndikimin e politikës meqë udhëhiqen nga ana e politikanëve. Bëhet fjalë për ministritë, kryetarët e komunave, etj…”, thotë Hamidi.

Përkundër vështirësive me të cilat sot ballafaqohen mediat dhe gazetarët, Hamidi konsideron se Këshilli i Mediave të Shkruara ka kontribuar dukshëm që mediat ta zbatojnë etikën gazetareske.

Nehat Islami, kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara thotë se ky këshill vetëm më 2015 ka marrë mbi 100 vendime kundër përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës së papranueshme.

“Dihet se me shtimin e numrit të portaleve janë shtuar edhe rubrikat e komenteve të lexuesve, ku ka pasur mjaft gjuhë të urrejtes dhe kjo nga arsyeja se këto portale kanë qenë jasht çdo kontrolli dhe janë krijuar në funksion të luftës partiake dhe luftës klanore dhe interesave të grupeve dhe grupacioneve të ndryshme… Nga ana tjetër, anëtarët tani shumica nga të cilat janë nga portalet, e kanë parë të udhës që tërësisht t’i heqin rubrikat e lexuesve, jo për të penguar apo shkelur lirinë e shprehjes, por nga arsyeja që nuk kanë qenë në gjendje të menaxhojnë numër aq të madh të shkeljeve në ato rubrika të komenteve të lexuesve”, thotë Islami.

Islami po ashtu thekson se në tri vitet e kaluara nuk kanë pranuar asnjë ankesë rreth gjuhës së urrejtjes, sidomos në raport me komunitetet pakicë. Ky këshill për 12 vjet të ekzistimit ka marrë vendime lidhur me 700 ankesa të mediave apo gazetarëve. Vetëm më 2017 nga 67 ankesa të paraqitura, ka marrë vendim në 33 raste, ndërkohë që ka dhënë mendimin e vet lidhur me 34 ankesat e drejtuara kundër mediave që nuk janë anëtare të këtij Këshilli.

Islami po ashtu rikujton se sanksionet e këtij Këshilli janë vetëm të natyrës morale dhe se në Evropë vetëm Këshilli i Mediave të Shkruara i Suedisë shqipton dënime në të holla.

“Por, ne në fakt jemi shkalla e parë e vendimit mbi ankesat lidhur me etikën, e ata që nuk janë të kënaqur me vendimit tona apo kërkojnë dëmshpërblim shkojnë në gjyq. Dhe pastaj, si shkalla e dytë, gjyqet merren me to. Mirëpo, përvoja tregon se shumica e njerëzve janë të interesuar që sa më parë ta zgjidhin padrejtësinë që u është bërë në media përmes Këshillit, meqë ne vendosim brenda një muaji ndërkohë që në gjykatat vendimet merren deri në pesë vjet”, thotë Islami.

Sipas Serbeze Haxhiajt efikasiteteti i pamjaftueshëm i drejtësisë kosovare dhe fakti se janë shqiptuar vetëm dënime simbolike në rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve në fakt kanë dërguar vetëm një porosi “Kujdes, se do të dënohesh”.

“Mendoj se kjo do të ushqejë frikën, presionin dhe autocensurën në media, meqë njerëzit kuptojnë se nuk ka mekanizëm që të mbron. Unë nuk mendoj se për mediat në Kosovë, pos ligjit ekziston ndonjë mekanizëm tjetër mbrojtës, dhe nëse nuk ka sundim të ligjit atëherë është shumë vështirë të pritet që gazetarët të jenë të sigurt”, thotë Haxhiaj.

Pos Radio Televizionit publik të Kosovës, që e financon Kuvendi i Kosovës dhe disa mediave periodike që pas një kohe të caktuar mbylleshin, pasi që pronarët e tyre i kishin arritur qëllimet e tyre politike dhe afariste, në Kosovë nuk ka pasur investime më të konsiderueshme në këtë sferë. Për dallim nga regjioni, në Kosovë nuk ka investime të jashtme, që po ashtu mund të kontribuonte jo vetëm që mediat të kenë të ardhura më të sigurta nga reklamat, por edhe të jenë më të pavarura nga politika dhe grupet e interesit. Dhe, ç’është më me rëndësi të raportojnë në mënyrë të lirë, pa kurrfarë kalkulimesh.