KosovaLive360

Edhe pse policia thotë se po mundohet ta mbajë nën kontroll rendin dhe ligjin, gjatë një ankete të vogël anonime të bërë nga KosovaLive me disa të rinjë të moshës 15-20 vjeçare, ata potencuan se e legalizuar apo jo, marihuana është duke u konsumuar nga një numër i madh i të rinjve.

Tetë nga 25 të anketuarit ishin kundër legalizimit “sepse do keqpërdorej”, “do të krijonte varshmëri”, dhe se marihuana, përgjithësisht “ka ndikim negativ në shëndetin psiqik”.

“Të rinjtë duhet të mirren me gjëra më me vlerë se marihuana, për këtë shkak nuk do ta legalizoja”, tha njëri nga të anketuarit.

Kurse 17 nga 25 të rinj të anketuar, ishin pro legalizimit të marihuanës, për arsye të ndryshme si: shfrytëzimi i lirshëm i të mirave të kësaj substance, të hyra për shtetin apo edhe benefitet shëndetësore… Sipas disave, kurreshtja për gjërat e paligjshme do ta ulte përdorimin me rast të legalizimit.

“Përderisa diçka më e dëmshme se marihuana siç është alkooli është legale nuk mendoj se kjo temë duhet të mbetet tabu edhe për shumë gjatë”, pohoi njëri nga të rinjtë e anketuar.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës (PK) thotë se konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në funksion të realizimit të objektivave dhe aktiviteteve të parapara me Strategjinë Kombëtare kundër drogave dhe legjislacionit në fuqi, në vazhdimësi gjatë vitit që po lëmë pas por edhe gjatë këtij viti ka realizuar operacione të suksesshme në parandalimin dhe luftimin trafikimit me narkotikë.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, PK ka kryer 307 operacione të drogës, ka arrestuar 619 persona, ka sekuestruar 1,461 kg e 394.12 gr marihuanë, 7.92 gr hashash, 13.8 gr heroinë, 465.35 gr kokainë, 5,036 gr bimë të kanabisit, 1439 ml vaj kanabisi si dhe 200 gr proteinë kanabisi dhe një sasi tjetër të droga të tjera.

“Ne në bashkëpunim edhe me autoritetet tjera relevante në vazhdimësi po punojmë për parandalimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike. Megjithatë, në aspektin ligjor ne do të ndërmarrim masa të ashpra ligjore ndaj të gjithë atyre që janë të involvuar në trafikim me substanca narkotike dhe vepra tjera të kundërligjshme që rrezikojnë shëndetin e të rinjëve tanë”, pohon Polica e Kosovës.

Nga masat preventive që janë ndërmarrë, PK përmend intensifikimin e takimeve me burime në terren, vizitat lokacioneve të ndryshme të frekuentuara nga trafikantët, takimet me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, fushata vetëdijësimi në shkollat e mesme për pasojat nga përdorimi i drogave si dhe janë shtuar kapacitetet logjistike (pajisje për identifikimin e drogave).

Dy institucione në vend merren me parandalimin dhe rehabilitimin direkt me përdoruesit e drogës, organizata joqeveritare “Labyrinth” edhe Klinika e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e cila ka një repart të veçant për trajtim të përdoruesve të drogave.

Lindor Bexheti nga “OJQ Labyrinth” thotë se programet e tyre kryesisht kanë target femrat dhe fëmijët nën moshën 8 vjeçare, sepse ata i shohin si pjesë që janë më të paktit që i shfrytëzojnë shërbimet për trajtim të drogave.

“Programet tona kryesisht janë për femrat për arsye se është një përqindje e vogël që marrin trajtim, sepse nuk ka shumë staf që të dalin në terren e të munden t’i gjejnë dhe t’iu ofrojnë shërbime”, thotë Bexheti.

Ai thotë se përfundimisht nuk ka përgjigje për legalizim, sepse për ta pranuar legalizimin apo dekriminalizimin në vendin tonë, sipas tij duhet të rregullojmë shumë gjëra.

“Paraja mund të keqpërdoret, nuk ka staf të mjaftueshëm dhe qendra vetëdijësuese dhe rehabilituese mjaftushëm që t’i bëjë ballë numrit të të trajtuarve”.

Bexheti pranon se qendra nuk ka hulumtime të sakta për numër të përdoruesve të drogave, që të përfshijnë gjithë popullatën. Por, edhe pse shifra të sakta nuk ka, në bazë të numrit të të trajtuarve, sipas tij,  Kosova nuk ka numër të përdoruesve më të madh se shtetet fqinje.

“Të rinjtë kudo në botë eksperimentojnë me kanabisin dhe nuk është shumë shqetësuese, por në shtete tjera kanë programe vetëdijësuese dhe nuk do të thotë që ne në Kosovë kemi më shumë përdorues”, tha Bexheti.

 Sipas tij, është teori e moçme që kanabisi është dritare për drogat e tjëra. Këtë teori, ai thotë se e kanë përdorur më shumë për ta ulur përdorimin e tij.

“Në qendrën tonë, kur pyesim përdoruesit e heroinës apo kokainës se cila ka qenë droga e parë e marrë, shumica përgjigjen me kanabis, duke e anashkaluar se alkooli është drogë, dhe nuk e mendojnë fare arsyet se pse janë qasur me drogat”, thotë Bexheti.

Safet Blakaj nga po kjo organizatë, tregon se numri zyrtar i përdorueseve problematik të substancave narkotike është rreth 5,000. Ai thotë se ditëve të fundit është shumë shqetësuese rritja e madhe e rasteve e të rinjve që kanë filluar t’i lënë substancat më të lehta narkotike dhe të përdorin kokainë.

“Këtyre viteve mosha që po fillon me përdorimin e drogës është 16-vjeçare”, ka treguar Blakaj.

Sipas një analize për varshmërinë e drogave, që posedon “Labyrinth”, rezulton se prijnë heroina dhe kokaina, pastaj drogat e klubeve të natës si ekstazi, kurse marihuana është më poshtë se cigarja. Kjo, sipas Bexhetit, jep një pikëpamje që marihuana nuk është shumë e varshme.

“Bazuar në atë se çfarë kam parë, ndikimi i marihuanës varet nga vetë personi, substanca vetëm ja potencon sjelljen më shumë ose ndodh e kundërta. Kryesisht në përdorim afatgjatë studimet tregojnë që ka pasoja. Ajo ndikon në kujtesë, në performancë , ndikon në produktivitet, të bënë përtac në punë dhe në shkollë”, tha Bexheti.

“Alkooli është me i keq në organizëm, është vdekjeprurës. Faktet janë që vdekjet aksidentale prej pasojës së përdorimit të alkoolit janë enorme, kurse kanabisi nuk bjen vdekje. Mirëpo kanabisi edhe pse nuk shkakton vdekje, kam parë që në përdorim afatgjatë krijon probleme psiqike…, por ata përdorues që dalin me asi lloj rezultate, zakonisht kanë pasur gjenetikisht probleme dhe pastaj kanabisi ka shfaqur në pah më shumë”, thotë ai.

Sipas tij, nëse marihuana dekriminalizohet, nuk do të thotë që do të blihet më shumë, nuk ka fakte që në ndonjë vend është rritur pirja për shkak se është dekriminalizuar marihuana. Ai gjithashtu thotë se nëse dekriminalizohet, atëherë do të ketë statistika më të sakta të përdoruesve, të shitësve, pastaj përdoruesit dalin në pjesën e trajtimit dhe jo te shtypja e tij.

“Në vendin tonë nuk ka shumë sherbime të rehabilitimit, shumica vijnë me dëshirën e tyre për rehabilitim. Policia nuk ka punë me të rehabilituarit sepse këtu është për qëllim trajtimi dhe jo inicimi në polici”, thotë ai. 

A.G. 17 vjeçar, përdorues i marihuanës thotë se kurreshtja ka qenë ajo e cila e ka shtyer ta provojë marihuanën.

“Në moshën 16 vjeçare kam filluar ta konsumoj atë. Së pari idea ka lindur në kafiteri me shoqëri dhe s’kam menduar asnjëherë ta lë por e di që nuk do ta kisha të vështirë”, thotë ai.

Ai konsideron se është i vetëdijshëm për anën negative të kësaj substance, por edhe për anën mirë.

 “Nesë përdoret në dozë të madhe, atëherë nuk mundesh t’i kontrollosh veprimet të cilat i bën. Nuk është vdekjeprurëse, është mjaft qetësuese dhe ngrit disponimin. Gjithashtu, nëse përdoret si bimë shëruese, ajo i mbyt qelizat e kancerit”, mendon ai.

A.G. gjithashtu pranon se në rrethin e tij konsumohet shumë dhe çdo ditë po bëhet lehtë e më lehtë ta gjesh dhe ta blesh  atë. Sipas tij çmimi nuk është shumë i lartë, bile në krahasim me rajon, ai thotë vetëm në Shqipëri është më i ulët.

Një tjetër përdorues që deshi të mbetet anonim, L.D 18 vjeçar, thotë se e konsumon marihuanën qe dy vite dhe pranon se në rrethin e tij përdorimi është shumë i shfaqur. Ai thotë se çmimi nuk është i lartë për të, 1-3 “joint” 5 euro. Ai kishte filluar ta konsumojë marihuanën “vetëm për shkak të dëshirës” , si “diçka qetësuese dhe për ngritje të disponimit”.

“Probleme me polici apo me ndokënd tjetër rreth kesaj çështje nuk kam pasur asnjëherë, dhe jam pro legalizimit të marihuanës, sepse edhe pse s’është e legalizuar ajo prap do të konsumohet”, thotë L.D.

Policia kërkon që edhe institucionet tjera relevante si ato për edukim dhe zhvillim, shoqëria civile, organizatat e ndryshme, të ndërmarrin veprime aktive në funksion të vetëdijsimit të rinisë lidhur me rrezikun që vjen nga drogat. Njëherësh, policia po përpiqet dhe pohon se është e gatshme edhe në këtë kontekst për bashkëpunim sa më të madh me të gjithë për të punuar bashkarisht që raste të tilla të reduktohet dhe të krijohet një ambient më i sigurt për të gjithë.

Njomza Berisha

Të Rekomanduara