KosovaLive360

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë pune në Komunën e Deçanit, ku është pritur nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe drejtorët e drejtorive komunale, nga të cilët u njoftua me gjendjen në këtë komunë.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se qytetarët dhe komuna e Deçanit do ta kenë vëmendjen e ekzekutivit.

Pas këtij takimi, kryeministri Haradinaj bashkë me ministrin Besim Beqaj, në sallën e Asamblesë Komunale u prit nga asamblistët, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, si dhe qytetarë të shumtë të komunës, para të cilëve premtoi se projektet që vijnë nga kjo komunë do të trajtohen me prioritet nga Qeveria e Kosovës.

Ai foli për investimet në infrastrukturë, si dhe për identifikimin e projekteve në Deçan, duke thënë se janë dy rrugë që na qojnë te kapacitetet tona turistike, njëra që ka karakter të një rruge ndërshtetërore dhe projekte tjera që lidhen me infrastrukturën dhe me aspekte tjera të jetës në Deçan.

Duke folur për gjendjen në arsim, kryeministri Haradinaj tha se testi PISA ka shumë rëndësi sepse është një tregues se çfarë parametra do të arrihen në këtë test.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se pret lajme të mira nga komuna e Deçanit e që sjellin investime konkrete në këtë komunë.

“Do të ketë subvencione dhe grante edhe për fermerët e kësaj komune”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri duke folur rreth punës dhe angazhimeve të qeverisë, tha se ushtria e Kosovës është e nevojshme dhe nuk përmbyset Ballkani me ushtrinë e Kosovës, por vetëm stabilizohet dhe se bisedat për Kosovën nuk mund të shkojnë në pakufi.

Po ashtu ai përmendi aktivtetet që po zhvilohën në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, duke theksuar se kujtimi dhe nderimi për luftën është nder, obligim, njëkohesisht edhe kur na kontestohet ajo duhet të mbrohet me nderë.

Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, falënderoi kryeministrin për vizitën, duke thënë se tashmë i ka ardhur koha Deçanit.

Të Rekomanduara