“Delegacioni”, filmi shqiptar në Festivalin e Varshavës

‘Warsaw Film Festival’ do të fillojë sot, më 12 tetor dhe do të vazhdojë deri më 21 tetor. Në këtë edicion të 34-të të festivalit, do të jepet edhe premiera botërore e një filmi shqiptar “Delegacioni”.

Filmi i realizuar nga NSH Bleri Production Kosovë në bashkëpunim me Art film Shqipëri, Zorba Production France dhe Graal films Greqi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Regjinë e ka bërë Bujar Alimani, skenarin Artan Minarolli, ndërsa producent është Blerim Gjinovci. Ky i fundit është shprehur mjaft entuziast dhe optimist se “Delegacioni” do të dalë me çmime nga ky festival.

Tematika e filmit në thelb sjell ngjarje nga fundi i periudhës komuniste në Shqipëri. Drejtuesi i delegacionit që vie në Shqipëri për të mbikqyrur reformat demokratike si dhe zbatimin e të drejtave të njeriut, ka qenë shok shkolle me një shqiptar të cilit ia rrëfen të gjitha të vërtetat për shtypjen e demokracive në Shqipëri. Shoku i tij shqiptar kishte 17 vjet që ishte futur në burg politik nga Qeveria Komuniste Shqiptare. Ai urdhërohet që t’i raportojë mikut të huaj që në Shqipëri çdo gjë po shkon ashtu siç duhet.

Festivali i Varshavës është një nga festivalet më të rëndësishme të kategorisë A dhe i përket të njëjtës elitë të festivaleve të njohura nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Producenteve FIAPF si Cannes, Venice, Berlin, Locarno, San Sebastian, Karlovy Vary, Tokyo, Moscow, Mar del Plata, Montreal, Shanghai, Cairo, Goa, dhe Tallinn.

Por ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi për filmin shqiptar pasi pas Varshavës, ekipi i filmit do të udhëtojë edhe në Greqi, Gjermani e vende të tjera.