Bota në luftë kundër plastikës

Qeset e plastikës mund të gjinden kudo. Me rritjen e vetëdijes ndaj dëmeve të shkaktuara nga plastika e cila nuk zbërthehet në natyrë, shumë njerëz po përpiqen të kufizojnë përdorimin e tyre.

Revista National Geographic përdori një ilustrim në koperinë për të kapur vëmendjen e blerësve. Ata madje krijuan një kampanjë #PlanetorPlastic dhe vendosën të mos i mbështjellin më revistat e tyre me plastikë.

 

Mirëpo lufta me plastikën nuk filloi tani. Në 2002, Bangladeshi u bë vendi i parë që ndaloi përdorimin e qeseve të plastikës, pasi u zbulua se ato kishin mbyllur kanalet e zbrazjes së ujit gjatë përmbytjeve.

Këtë shembull e morën edhe vendet e tjera, qoftë duke vendosur taksa për përdorimin e qeseve të plastikës apo ndjekën shembullin e Bangladeshit dhe ndaluan përdorimin e tyre. Në këtë luftë përpos qeseve, hyjnë edhe shishet dhe enët e ndryshme të plastikës.

Bashkimi Evropian po ndjek hapa të njëjtë për 28 shtetet anëtare, për të ndaluar diҫka që sipas Frans Timmermans, zëvendës kryetarit të Komisionit Evropian “merr 5 minuta për tu prodhuar, përdoret për 5 minuta dhe merr 500 vjet për tu zhdukur.

BE planifikon që deri në 2030 të gjitha paketimet ushqimore të jenë të riciklueshme apo për shumë përdorime. Gjithashtu ata duan të reduktojnë përdorimin e qeseve nga 90 në vit për banor, në 40 deri në 2026.

Shumë shtete afrikane gjithashtu kanë ndaluar përdorimin e qeseve të plastikës , përfshirë Gambinë, Senegalin dhe Morokon. Ndërsa lufta më e ashpër kundër plastikës po bëhet në Kenia me ligjin më të ashpër kundër plastikës në botë që u miratua në gusht të 2017 me dënime të shtrenjta apo dënim me burg. Mirëpo as kjo përpjekje nuk ndaloi prodhimin e plastikës dhe u konsiderua të shtohen kontrollet gjatë natës për të ndaluar prodhimin ilegal të qeseve të plastikës.