KosovaLive360

“Informacioni është nafta e shekullit 21, kurse analiza e informatave është motori djegës.” – Peter Sondergaard

Shuma e të dhënave në botë ka ‘shpërthyer’ në dekadën e fundit, dhe analiza e këtyre të dhënave – të ashtuquajtura ‘big data’ (të dhënat e mëdha) – është bërë bazë e rëndësishme e bizneseve.

Kur përmendet ‘big data’, zakonisht i referohet analizimit të një shume të madhe të dhënash që kompanitë mbledhin përmes ueb-faqeve të tyre, rrjeteve sociale apo edhe publikimeve të bëra nga kompanitë lidere të sektorëve të ndryshëm. Analiza e këtyre të dhënave bëhet me qëllim të nxjerrjes së njohurive më të thella për konsumatorët, konkurrentët dhe industrinë në tërësi. Sipas kompanisë së njohur konsulente, McKensie & Company, të dhënat e mëdha apo ‘big data’ do të kenë rolin kryesor në inovacion, konkurrencë dhe produktivitet. Ata kanë parashikuar se të dhënat do të vërshojnë çdo industri, dhe se do të bëhen një element kyç i çdo biznesi krahas punës dhe kapitalit.

Sipas një studimi të bërë nga Cisco, numri i pajisjeve të lidhura në internet pritet që të rritet në 50 miliardë deri në vitin 2020, me një popullsi prej 7.6 miliardë. Kjo do të thotë se do të ketë mbi 6 pajisje të lidhura për person. Rritja e pajisjeve të lidhura në internet është treguesi më i mirë se sa të dhëna do të kemi në të ardhmen dhe se sa e rëndësishme do të jetë për të menaxhuar dhe analizuar të gjitha këto të dhëna për kompanitë e ndryshme.

Faktorët më të rëndësishëm që e shtyjnë një firmë të bëj analizën e të dhënave janë: Gjetja e korrelacionit midis të dhënave nga burime të ndryshme; Parashikimi i sjelljes së konsumatorëve; Parashikimi i shitjeve të produktit apo shërbimit; Parashikimi i riskut etj., si dhe një numër i madh i kompanive mendojnë se nëse nuk do të bëjnë analizimin e të dhënave, do të humbin pozitën e tyre konkurruese.

A do ta trazojë ‘big data’ industrinë e konsulencës?

Trazimi apo ndryshimet fundamentale në industri të ndryshme kanë goditur shumë biznese tradicionale gjatë viteve të fundit. Qëkur interneti u be pjesë e jetëve tona në fund të viteve ‘90, trazimi i industrive ka qenë një fakt i kohës. Industritë si tregtia me pakicë, turizmi dhe mediat janë transformuar që nga ardhja e shërbimeve të internetit. Kompanitë e internetit si Google, Amazon dhe eBay kanë korrur suksesin e tyre duke përdorur ‘big data’ si bazë thelbësore e bizneseve të tyre. Kompanitë konsulente nuk i kanë shpëtuar këtij trendi. Sipas një artikulli të Harvard Business Review (HBR), emrat e mëdhenj të konsulencës si McKinsey, Bain, dhe Boston Consulting Group (BCG) kanë shfaqur dobësitë e tyre karshi ‘big data’ dhe kanë ndërmarrë hapa konkretë për të qenë në hap me kohën. McKinsey ka themeluar “McKinsey Solutions”, një platformë softuerike që mundëson shfrytëzimin e të dhënave për të arritur te rezultatet e shpejta duke shfrytëzuar teknologjinë. Kompania e konsulencës BCG, në anën tjetër, vazhdon të krijoj partneritete me ekspertë dhe kompani të vogla që fokusohen në analizimin e ‘big data’ në mënyrë që të arrijë më shpejtë te rezultatet, te transformimi i modelit të biznesit, dhe te maksimizimi i vlerës. Megjithatë, ardhja e “shkencëtarëve” të të dhënave (data scientists) nuk e eliminon nevojën për konsulencë tradicionale. Përkundrazi, fusha e biznesit, teknologjisë informative (IT), dhe fusha e analizimit të të dhënave duhet të punojnë së bashku për të arritur më shpejtë te rezultatet e sakta. Njohja e thellë e proceseve të biznesit, tregjeve dhe sjelljes së konsumatorëve është e nevojshme për të bërë pyetjet dhe hipotezat e duhura. Kompanitë e reja të konsulencës që bazohen në ‘big data’ duhet t’i posedojnë këto njohuri, t’i fitojnë ato vet apo në të kundërtën janë të “detyruar” të bashkëpunojnë me ndonjë kompani tjetër që tashmë i posedon ato.

Në këtë pikë mbetet për t’u parë nëse shtëpitë tradicionale të konsulencës do të jetë në gjendje për t’iu përgjigjur kërcënimeve të lojtarëve të rinj duke zhvilluar shërbimet e tyre në hap me teknologjinë – apo lojtarët e rinj do arrijnë të ‘mundin’ kompanitë lidere të konsulencës. Historia e kohëve të fundit tregon se ndryshimet teknologjike në çdo industri kanë qenë trazuese.

Egzon Berisha

Autori është konsulent junior në Recura Financials

Të Rekomanduara