KosovaLive360

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot nismën për negocimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin dhe zbatimin e përbashkët të Projektit “CETEP (Creating Employment Through Export Promotion)-Krijimi i vendeve të reja të punës përmes promovimit të eksportit”.

Marrëveshja do të lidhet në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik të Gjermanisë (BMZ), dhe do të implementohet nga GIZ.

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj është shprehur i kënaqur me  nisjen e negociatave për këtë Marrëveshje pasi, sipas tij, projekti do të mundësojë shfrytëzimin e potencialit të NVM-ve për tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e punësimit.

“Projekti CETEP synon shfrytëzimin e potencialit të NVM-ve kosovare për tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e punësimit. Projekti është i përqendruar në tre sektorë të përzgjedhur: bujqësi, teknologji e informacionit dhe komunikim, si dhe prodhimtari”, tha ministri Beqaj.

Ministri Besim Beqaj theksoi se synimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  është që të përshpejtohet qasja inovative dhe potenciali për eksporte për kompanitë kosovare dhe në këtë mënyrë të mbështetet krijimi i qëndrueshëm i vendeve të reja të punës.

Të Rekomanduara