KosovaLive360

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar fabrikën e prodhimeve farmaceutike “TrePharm”. Me këtë rast ministri Beqaj ka takuar pronarin e kësaj fabrike dhe është njoftuar nga afër me punën e saj.

Beqaj u shpreh se do ofrojë përkrahje për këtë ndërmarrje në rritjen e kapaciteteve eksportuese jashtë Kosovës. Ai u shpreh i impresionuar me punën që po bënë kjo fabrikë në lëmin e farmaceutikës dhe me rritjen e nivelit të eksporteve që ka shënuar.

“Kosovës i duhen ndërmarrës që nuk prodhojnë vetëm për Kosovën. Unë do t’i ofrojë mbështetjen e ministrisë që ta përkrahim brenda kapaciteteve tona. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në fokus e ka rritjen e të punësuarve në Kosovë, të cilët merren me çështje inovative. Më gëzoj fakti se kjo fabrikë punon edhe për emra të njohur farmaceutik”, tha ministri Beqaj.

Mërgim Prishtina, drejtor ekzekutiv i “TrePharm”, theksoi se kompania që ai drejton ka kapacitete teknike që të eksportojë produktet e prodhuara. Ai tregoi që aktualisht eksportojnë në pesë shtete e synim kanë edhe vendet e tjera.

“Kompania eksporton produktet e saj në 5 shtete, edhe pse jo kënaqshëm, por jemi në proces të regjistrimit edhe në vende të tjera, duke përfshirë vendet e Bashkimit Evropian“, tha drejtori Prishtina.

Në fund të vizitës ministri Beqaj ka theksuar se një nga sektorët me prioritet të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është edhe shëndetësia, duke theksuar se lidhja e shkencës me sektorin privat është esenciale.

Të Rekomanduara