KosovaLive360

12 Maj 2017
“Azili” për pleqëri dalëngadalë lirohet nga mendësia e trashëguar?!

Vendosja e të moshuarve në Shtëpinë e Pleqve dhe rrjedhimisht edhe përfundimi i ciklit jetësor aty, nuk ka qenë një ide aq edhe e afërt me kulturën dhe mentalitetin e shqiptarëve.

Pak nga paragjykimi se të moshuarit dërgohen aty me dhunë nga mospërkujdesja familjare, pak nga druajtja që në atë shtëpi nuk kanë trajtim të mirë e përkujdesje të mjaftueshme, edhe kosovarët kanë qenë më të prirur që përgjegjësinë për familjarët dhe të afërmit ta marrin mbi vete.

Elfete Shabani, 73 vjet, e ulur në një nga bankat e parkut të qytetit, teksa kujdeset për nipin dhe shijon kohën shikon atë duke luajtur, tregon se nuk do të mund të paramendonte pleqërinë e saj më ndryshe nga sa i ka ardhur. Ajo tregon se ndihet e lumtur që fëmijët e saj ia kanë shpaguar mundin që ajo dikur e ka bërë për ta dhe tani po i dhurojnë një pleqëri të qetë.

“Burri më ka vdekur që dy vjet e unë jetoj me djalin dhe familjen e tij. Nuk kisha mundur të paramendoj të më vijë pleqëria ndryshe. Tërë jetën unë e burri jem jemi munduar për këta fëmijë e besoj që e meritoj t’i jetoj këto vjet të fundit të jetës afër tyre”.

Për Behlul Qerimin, Klubi i Pensionistëve është bërë tashmë një rutinë. Ai çdo mëngjes e fillon ditën me një çaj në një nga tavolinat e lokalit ku lexon gazetën dhe takohet me miqtë e tij.

“Çdo mëngjes vij këtu për të kaluar kohën e për t’u takuar me shokët e mi. Kam dy djem të martuar jashtë, e gruaja më ka vdekur vitin e kaluar. Jetoj vet e këtu vij sa herë që mërzitem”.

Ai thotë se e kishte menduar shkuarjen në shtëpi të pleqve dhe se nuk e përjashton mundësinë që ajo të ndodhë së shpejti.

Megjithatë, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kjo është e pamundur ngase, siç pohojnë edhe shërbyesit social, pranimi i të moshuarve në Shtëpinë për Persona të Moshuar dhe pa Përkujdesje Familjare (SHPMPF) në Prishtinë është i rregulluar mbi bazën e Udhëzimit Administrativ nr 07/2011, përkatësisht me nenin 6 ku njëri ndër kriteret bazë është që personi të mos ketë pasardhës biologjik.

Në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, për dallim nga Shabani dhe Qerimi, flasin bashkëmoshatarët e tyre të cilët ndryshe nga ta, nuk kishin fatin që të përjetojnë ndjenjën e të qenit prind. Si pasojë e kësaj, pas vdekjes së bashkëshortit prehjen e vetme e gjetën tek Shtepia e Pleqve nga mosdëshira per t’ju bërë barrë familjarëve tjerë.

“Pas vdekjes së burrit, disa vjet kam ndejtur vet në shtëpi dhe jam kujdesur vetë për veten. Kur e pashë që nuk po mundem më tepër, vendosa me ardhë këtu”, thotë Xhevrije Sylejmani, 69 vjeçe nga Podujeva.

Ajo pohon se të gjitha procedurat për vendosje në shtëpi të pleqve i kreu vet dhe se asnjë nga familjarët tjerë të saj nuk e kishin ditur derisa ishte vendosur aty.

“Nuk dojsha me ju bë barrë. N’ditë të sotit krejt po i kanë punët e gajlet e veta e nuk dojsha me ju ‘ba havale’”.

Kurse Hatë Ukën, 75 vjeç, në këtë shtëpi e kishin vendosur nipërit me kërkesën e saj.

“Dy muaj pasi që më vdiq burri unë erdha te nipat në Prishtinë për të jetuar me ta. Ama dita ditës e shihsha që nuk po kam vend unë aty edhe pse ata u kujdesshin për mua. S’dojsha me ju bë barrë e ju thashë që po dua me shku ‘n’shpi t’pleqve”.

Linda Gusia, sociologe, pohon se pleqtë në Kosovë nuk janë të trajtuar sa duhet dhe madje sipas saj Shtëpia e Pleqve në Kosovë ka një konotacion të braktisjes dhe nuk ka fare konceptin e shtëpisë së pleqve në perëndim.

“Kultura e shqiptarëve është shumë tradicionale dhe në këtë sens edhe kujdesjen ndaj kësaj kategorie të ndjeshme siç janë pleqtë, ka qenë gjithmonë e pranishme. Megjithatë, kultura nuk është diçka absolute dhe ajo me kohë mund të ndryshojë e kjo vjen si pasojë e shumë faktorëve: dinamika e punëve, kushtet e rënda ekonomike, fatkeqësitë e ndryshme etj. Mirëpo, e papranueshme për ne është fakti që nuk po u ofrojmë atyre mundësi dhe përkrahje te mjaftueshme. Nuk kanë nevojë për përkujdesje vetëm të moshuarit që nuk kanë pasardhës biologjik. Njëjtë kanë nevojë edhe të moshuarit tjerë të cilët për arsye të ndryshme mund të kenë nevojë për përkrahje shtetërore.’

Ajo shton se nuk ka asnjë iniciative për përmirësimin e kesaj gjendje, e sipas saj mundësitë janë të shumta.

“Në shtetet skandinave për shembull, është aplikuar një program shumë efikas ku studentët janë kompensuar me ndonjë stimulim apo bursë simbolike dhe janë vendosur të jetojnë me pleq, e kjo natyrisht se ka pasur të mirat e saj nga të dy anët”.

Gusia thotë se nuk është kjo ideja e vetme e përkrahjes së të moshuarve, kjo mund të bëhet në shumë mënyra tjera, dhe se ka shumë arsye që shoqëria jonë të kërkojë ndihmë ekstra për të moshuarit e saj, të paktën t’ju ofrohen kushtet e nevojshme.

Shtëpia e Pleqve në Prishtinë është ndërtuar gjatë viteve 1963/64. Numri aktual i rezidentëve është 70, prej tyre 37 meshkuj e 33 femra.

Sipas një raporti të Zyres së Avokatit të Popullit, nga viti 2016, lavdohet aspekti i furnizimit me barna, higjiena në kuzhinë dhe ushqimi, sikurse edhe trajtimi dhe përkujdesja e stafit ndaj të moshuarve, ngrohja qëndrore… në Shtëpinë e Pleqve, Megjithatë, në raport theksohen edhe një numër aspektesh që kërkojnë të përmirësohen, si p.sh. inventari i vjetërsuar, personeli i pamjaftueshëm dhe kushtet e vështira të punës. Të gjitha këto sikundër edhe një bashkëpunim më mirëfilltë mes Shtëpisë së Pleqve dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ishin theksuar në raport si rekomandime nga Zyra e Avokatit të Popullit.

Trëndëlinë Haliti

 

 

Të Rekomanduara