Besa Muçaj, shenjat e para të autizmit te djali i saj i kishte vërejtur që kur ai ishte rreth 4 vjeç. Pas dy vitesh ajo kishte vërtetuar dyshimet, pas kontrollave në pediatër, neurologë dhe psikologë.

“Ka qenë e vështirë, e para e punës që unë të bindja njëherë veten, pastaj të kuptoja faktin që fëmija im është ndryshe nga të tjerët. Pastaj e kam lënë veten dhe jam marrë me pjesën që fëmija im ka nevojë shumë për ndihmën time dhe do shumë punë që të kishte rezultatet që ai ka sot”, thotë Muçaj.

Djali i saj sot është 12 vjeçar,

E pasigurt se a do ta pranojnë moshatarët në shkollë të rregullt, nëna e tij ka vendosur ta çojë në shkollë speciale, por jo ta fshehë.

“Nga kush do ta fshehësh? Nga shoqëria? Unë mendoj që sot secili prej nesh ka të paktën disa elemente nga autizmi, por në rast se fshehet ky fëmijë, atëherë ke probleme me veten tënde,” shprehet Muçaj .

Në Kosovë sot nuk ekzistojnë statistika të sakta se sa persona ballafaqohen me autizëm, ndonëse pranohet fakti se numri i tyre është rritur.

Vetëm për gjashtë muajt e vitit 2017, në “Asociacionin Nacional të Autizmit të Kosovës ” (ANAK) që vepron në Prishtinë dhe merret me diagnostifikimin dhe trajtimin e rasteve me autizëm janë paraqitur 25 raste të reja.

Fatime Sahiti nga ANAK-u, thotë se aktualisht në këtë qendër marrin trajtim 34 fëmijë, prej të cilëve 27 djem e 7 vajza.

“Disa nga shenjat janë kur, për shembull e thërret fëmijën, fëmija nuk të kthehet, nuk reagon në emër, nuk merr komanda të ndryshme si ‘mbylle derën’, nuk përdorë fjalë kur don kërkesa, nuk bën me gisht kur kërkon një send të caktuar. Autizmi shoqërohet me sjellje përsëritëse të cilat mund të jenë në disa raste lëkundje të duarve, lëkundje të gishtërinjve, lëvizje e vazhdueshme e trupit, të cilat janë pjesë përbërëse të autizmit”, thotë Sahiti.

Autizmi nuk varet nga faktorët gjenetikë ose ambientalë dhe secili rast në botë është unik. Shenjat e para të autizmit, rëndom vërehen relativisht herët, gjatë procesit diagnostifikues nga mosha dy e gjysmë deri në moshën tri vjeçare.

“Konsiderojmë që duhet të punohet në potencialet të cilat fëmijët i kanë, se edhe fëmijët me autizëm, tashmë është e njohur që secili prej tyre e ka një talent, dhe nëse punohet drejt në talentin e tij, ai mund të zhvillohet dhe mund të arrijë të jetë i përsosur në një pikë të caktuar, në mënyrën e tij”, ka shtuar ajo.

Kolegia e saj, Nausika Hoxha, e cila mbikëqyr trajtimet, insiston se suksesi i terapisë varet shumë nga bashkëpunimi me prindër.

Gjatë punës terapeutike ata përdorin metodologjinë e njohur si ABA që njihet si “analizë e sjelljes së aplikuar dhe verbale”.

“Për fëmijët të cilët janë joverbal është sistemi i komunikimit me fotografi – PEKS-i – që i stimulon fëmijët në të ardhmen për komunikim.”

Në Prishtinë gjendet edhe “Shoqata e Autizmit të Kosovës”, e cila me ekspertizën e psikologëve dhe terapistëve trajton 45 fëmijë.

Seancat e terapisë në këtë qendër zgjasin nga 15 minuta, ku fëmija ka aktivitete në tavolinë, për të vazhduar pastaj me aktivitete jashtë tavolinës, me lojëra me gjësende që fëmijës i pëlqejnë.

Kjo shoqatë është organizatë private, prandaj prindërit paguajnë vetë për terapinë e fëmijëve të tyre.

Një numër i fëmijëve me autizëm pas terapisë arrijnë t’i vazhdojnë mësimet në shkolla të rregullta.

Në shkollën gjithëpërfshirëse “Ismail Qemali” në Prishtinë, aktualisht vijojnë mësimet 30 fëmijë me nevoja të veçanta. Nga këta fëmijë, 10 janë me autizëm: gjashtë në klasë të veçantë dhe katër janë të integruar në klasa të rregullta.

Puna e mësueses mbështetëse për nxënësit në klasa të integruara, Fatmire Rama, konsiston në bërjen e planeve individuale, përgatitjen e materialeve, mbajtjen e orëve individuale me ta, sikur edhe në ndihmë mësimdhënësve. Gjithë këta fëmijë, sipas saj, janë shumë të shoqërueshëm.

“Ndodhë ndonjëherë që të kenë ndonjë krizë të vogël edhe duhet t’i largojmë prej klasës e t’i dërgojmë në klasë të bashkangjitur deri sa ata të qetësohen pak, pastaj përsëri i kthejmë në klasë të rregullt”, thotë mësuesja Rama.

Sipas Teuta Bytyqit, eksperte e autizmit e cila punon me klasën e veçantë në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, ende ka paragjykime sa i përket natyrës së fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Ne japim informacione të përditshme, qoftë detyra të shtëpisë ose këshilla që ndikojnë në gjendjen emocionale, në përmirësim të gjendjes së tyre që ia vlen të punohet në këtë pjesë të shoqërisë, sepse pavarësisht asaj që janë ndryshe, ne mund t’i pranojmë ashtu siç janë, qoftë me nevoja apo nevoja”, thotë Bytyqi.

Rina Kryeziu