KosovaLive360

Ambasadorja e Greqisë në Prishtinë, Konstantina  Athanassiadou, ka thënë se shteti i saj nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por ka shtuar se Greqia nuk e përjashtojnë mundësinë e njohjes.

Në një ligjëratë të mbajtur me studentët e Universitetit AAB, ajo ka deklaruar se kjo është pikë që duhet ta kenë si referencë, ndërsa ka shtuar se në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Greqia është shteti më fleksibil.

“Unë nuk hezitoj të them që ne ofrojmë ndihmë teknike për çdo gjë që nevojitet. Fjalët që janë  përdorur dhe po përdoren në marrëveshje dhe kompromise sa i përket vendimeve të organizmave ndërkombëtarë janë kontribut i Greqisë. Ne nuk i përfaqësojmë pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ndihmojmë në gjetjen e kompromiseve”, theksoi ambasadorja  Athanassiadou.

Ajo ka përmendur edhe ndihmat konkrete që Greqia i ka bërë Kosovës në anëtarësimin e saj në  organizatat ndërqeveritare.

“Në vitin 2009 ne kemi votuar që Kosova të futet në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në vitin 2011, kemi votuar që Kosova të jetë anëtare e Bankës Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZH). Po ashtu, në vitin 2013 e kemi përkrahur Kosovën në Komisionin e Venecias të Këshillit Evropian”, ka theksuar ajo.

Lidhur me atë se çfarë e pengon Greqinë që ta njohë Kosovë, diplomatja greke theksoi se kjo çështje kërkon momentum të duhur politik .

“Ne nuk flasim për pengesën, ne flasim për rrugën që do ta ndjekim. Në një moment të duhur do të marrim  vendimin e duhur. Kjo është një çështje që kërkon një momentum të duhur politik. Janë shumë faktorë që kanë të bëjnë me këtë punë, situata e brendshme politike, rajoni, konstituimi i qeverisë e shumë faktorë të tjerë që imponojnë një proces që nuk është shumë i thjeshtë. Kemi një qark të mbyllur në politikën greke, është një çështje që unë do ta diskutojë me qeverinë e ardhshme greke”, është shprehur Athanassiadou.

Të Rekomanduara