KosovaLive360

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë”, për vitin 2016.

Bazë e këtyre të dhënave janë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile në Kosovë. Kështu, në vitin 2016 janë grumbulluar gjithsej 17 410 fleta statistikore për kurorezime DEM-3.

Këto të dhëna tregojnë se në Kosovë, në vitin 2016, janë kurorëzuar 16 051 çifte-bashkëshortore, kurse jashtë Kosovës jane kurorëzuar 1 359.

Përkatësia etnike e femrave dhe meshkujve të kurorëzuara është: shqiptare (femra me 92.2% dhe meshkuj me 95.7%); serbe (femra me 0.9% dhe meshkuj me 0.9%); turke (femra me 0.4% dhe meshkuj me 0.5%); boshnjake (femra me 1.2% dhe meshkuj me 1.2%);  rome, ashkalike dhe egjiptiane (femra me 1.2% dhe meshkuj me 1.2%); kurse me përkatësi tjeter janë (femra me 4.2% dhe meshkuj 0.6%).

Mosha mesatare e të martuarve ishte 29.8 vjeçare. Prej tyre mosha mesatare e meshkujve ishte 31.6 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave 28.1 vjeçare.

Kurorezimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeç me 5 238 raste ose 32.6%, ndërsa tek meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 4 877, ose 30.4%.

Komuna e Prizrenit zë vendin e parë në Kosovë me 1 486 kurorëzime, ose 8.5%, pastaj vjen Prishtina me 1 372 kurorëzime, ose 7.9%. Ndërsa, në vendin e tretë është Ferizaj me 995 kurorëzime, ose 5.7% etj.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri  i femrave të kësaj kategorie është 10 037, ose 62.5%, dhe e meshkujve 11 476, ose 71.5%.

Të Rekomanduara