KosovaLive360

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2011, në komunën e Vushtrrisë jetojnë 68 banorë të komunitetit romë dhe 143 banorë të komunitetit ashkali. Aktualisht janë dymbëdhjetë nxënës që vijojnë mësimin në disa shkolla të mesme të ulëta dhe të mesme në Vushtrri.

Milaim Ramadani, udhëheqës i organizatës joqeveritare “Përparimi Rinor i Ashkanlive të Mitrovicës – PRAM” vlerëson se gjendja psiko-sociale, arsimore e komuniteteve në Vushtrri nuk është e mirë.

“Në Vushtrri meqë është një numër i vogël i komuniteteve komuna duhet me gjet një mundësi si t’iu ndihmohet. Edhe kryesuesi i Kuvendit ka deklaruar se komuniteti ka nevojë për ndihmë,” tha ai.

Sipas tij, PRAM do të përpiqet që, bashkarisht me komunën, t’i tejkalojnë vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky komunitet dhe t’i ofrohet një mbështetje më e madhe.

Një nga aktivitetet e planifikuara është edhe organizimi i takimeve me udhëheqësit e shkollave dhe diskutimet për problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas.

Sahit Parduzi, drejtor i shkollës të mesme të ulët “SHMU2” në Vushtrri thotë se shpeshherë ka keqkuptime kur bëhet fjalë për integrimin e fëmijeve të komunitetit, dhe shton se në këtë shkollë  asnjëherë nuk janë bërë dallime.

“Ne nuk kemi shkuar në atë drejtim se ky është nxënës i komunitetit,shkaku  duhet të sillemi ndryshe. Këtu vijnë fëmijë – nxënës. S’kemi bërë dallime”, thotë Parduzi.

Parduzi thekson se mu për shkakun se në këtë shkollë nuk i ndajnë nxënësit sipas etniteteve, edhe nuk e di numrin e saktë të nxënësve të komuniteteve.  Nga ana tjetër, megjithatë, thotë se në mesin e nxënësve nga komunitetet ka shembuj për krenari.

“Vitin e kaluar në ekipin e futbollit të shkollës e kemi pasur një nxënës të komunitetit ashkali, që ka qenë më i miri prej tyre. Ai e ka përfaqësuar shkollën në nivel shtetëror dhe shkollën e ka përfaqësuar si nxënës dhe lojtar i mirë. Janë në të njëjtën klasë, punojnë bashkë, mësojnë bashkë, rrinë bashkë, luajnë bashkë. Nuk ka telashe mes tyre, asnjëherë s’kemi pasur”, thotë ai.

Në shkollën e mesme të ulët “Mustafë Venhari” në Vushtrri vijojnë mësimin pesë nxënës të komunitetit ashkali dhe sipas drejtorit të kësaj shkollës, Shyqeri Bunjaku ka pasur vetëm një rast kur një nxënës nga ky komunitet e ka braktisur shkollën, por se janë bërë përpjekje të kthimit të në mësim.

Në vitin 2014, bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë aprovoi Planin Lokal të Veprimit për Integrim të Komuniteteve Romë dhe Ashkali në këtë komunën.  Në fushën e arsimit përcaktohen disa objektiva për rritjen e pjesëmarrjes së mësimdhënësve të komuniteteve në sistemin shkollor.

Enver Bajrami, zëdhënës në Drejtorinë  Komunale të Arsimit tregon se aktualisht vetëm një pjesëtar i komunitetit ashkali punon si mësimdhënës në shkollën e mesme të ulët “Nazmi Zhegrova” në Stanofc të Poshtëm.

“Prej komuniteteve kemi pasur raste që e kanë braktisur shkollimin në vitet e mëhershme, dhe në këtë rast kemi arritur t’i kthejmë”, thotë Bajrami dhe shton se aktualisht numri i nxënësve të komuniteteve që e braktisin shkollën është reduktuar dukshëm.

Në Mitrovicën fqinje, me rreth 3000 banorë të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptas, sipas Ramadanit të PRAM-it, gjendja e komuniteteve është e mirë, sado që ka nevojë për vetëdijësimin e nxënësve për mosanashkalimin e shkollave.

Ai mendon se problemi më i madh me të cilin ballafaqohet komuniteti është mospërkrahja nga niveli lokal, e që po ndikon që fëmijët të braktisin shkollimin.

“Ka raste që fëmija e ka braktis shkollimin sepse mendon që u diskriminua në arsim. Arsye tjetër është edhe për çështja ekonomike, sociale”, thotë Ramadani.

Punësimi i këtij komuniteti, sipas tij, është simbolik për çka dëshmojnë edhe të dhënat se mbi 90% jetojnë me asistencë sociale. Pjesëtarët e këtij komunitetit udhëheqin vetëm tri biznese të vogla, hapjen e të cilave me mjete të punës ka ndihmuar PRAM.

“Jemi të barabartë para ligjit, sado që mendoj se ka devijime ngapak. Mirëpo ndjehemi te diskriminuar vetëm që s’përfaqësohemi në nivelin komunal të Mitrovicës. Nuk ekziston as zyrtari për kthim dhe komunitete”, thotë Ramadani.

Organizata joqeveritare PRAM nga Mitrovica, që nga viti 2000 vepron me qëllim riintegrimin dhe fuqizimin e komuniteteve, ngritjen e pjesëmarrjes në shoqërinë civile dhe në aktivitete, si dhe në përfaqësimin e komuniteteve në nivel lokal.

Krahas tjerash, kjo organizatë anagazhohet edhe në riatdhesimin dhe integrimin e pjesëtarëve të këtij komunitetit. Në këtë komunë janë riatdhesuar mbi 45 pjesëtarë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas ishin larguar nga Kosova gjatë valës së migrimeve drejt Evropës më 2014-2015.

Shkurte Berisha

Të Rekomanduara