Arrestohen hakerët që modifikuan videot e Vevo-s në YouTube

Dy qytetarë 18-vjeçarë të Francës u arrestuan në Paris dhe u ngarkuan me akuza për krime lidhur me hakimin e llogarive Vevo në YouTube muajin e kaluar që përfunduan me mesazhe pro-Palestine të postuara në video të famshme, sipas prokurorëve.

Prokurori i zyrës së Parisit i identifikoi dy të dyshuarit si “Nassim B.” dhe “Gabriel K.A.B.”, po ashtu të njohur me nofkat e tyre online “Prosox”, përkatësisht “Kuroi’ish”.

Autoritetet supozojnë se dyshja ka marrë qasjen në llogarinë YouTube të mirëmbajtur nga Vevo, për ta ndryshuar përmbajtjen e shumë videove muzikore, duke përfshirë “Despacito” nga Luis Fonsi – videoja më e shikuar në YouTube për vitin 2017, e cila kohët e fundit i ka kaluar 5 miliardë klikime. Hakerët po ashtu shënjestruan video nga Selena Gomez, Taylor Swift, Katy Perry, Chris Brown dhe Shakira, duke i zëvendësuar pamjet kryesore të videove, titujt dhe përshkrimet. Vevo menjëherë i ka larguar ndryshimet e bëra nga hakerët në videot e saj në YouTube.

Arrestimet dhe akuzat për rastin ishin rezultat i një bashkëpunimi mes Zyrës së Prokurorit të Parisit dhe Avokaturës së Qarkut Manhattan, zyra në New York, ku Vevo e ka bazën. Prokurorët e Parisit e akuzuan Gabriel K.A.B. me pesë akuza kriminale dhe Nassim B. me gjashtë akuza, duke përfshirë “modifikim fals i të dhënave të vendosura në një sistem të automatizuar të procesimit të të dhënave”.

Përveç kësaj, javën e kaluar Vevo njoftoi se do t`i mbyllë aplikacionet e telefonave mobil dhe web-faqet për konsumatorë, për t`u përqendruar në shpërndarjen e videove në YouTube. Pronarët kryesorë të Vevo-s janë Universal Music Group dhe Sony Music Entertainment, me pak aksione nga Alphabet, kompania mëmë e Google, si dhe YouTube dhe Abu Dhabi Media.