KosovaLive360

Dea Rexhepi është rritur në një familje që ka diskutuar lirshëm për gjithҫka, përfshirë edhe temat seksuale. Ajo nuk hezitoi asnjëherë të bënte pyetje për trupin e saj dhe shëndetin mendor.

“Unë lexoja gjithnjë kapitullin në librin e biologjisë dhe pyesja prindërit dhe motrat, që ishin më të vjetra se unë, për gjërat që unë nuk i dija, për shembull ndryshimet fizike në trupin tim gjatë adoleshencës, ciklin menstrual, etj.”, thotë Rexhepi.

Megjithatë, 22-vjeҫarja që studion psikologji e dinte se shumë njerëz nuk flisnin për tema seksuale me familjet e tyre apo në shkollë sepse i konsiderojnë tabu.

“Unë gjithmonë mendoj për shoqërinë time dhe njerëzit që njoh, që nuk mundnin të flisnin me familjet e tyre dhe shpesh merrnin informatat e gabuara”, thotë ajo.

Rexhepi pa se si mosdija për shëndetin seksual po lëndonte njerëzit në komunitetin e saj, sidomos gratë. Kjo është arsyeja pse Rexhepi iu hodh mundësisë së parë për të ndërgjegjësuar kosovarët e rinj për shëndetin e tyre seksual.

Rexhepi dhe tri studente të tjera të psikologjisë në Universitetin e Prishtinës – Tuena Govori, Eurisa Rukovci dhe Vlora Shabani – dizajnuan një program për telefonët e mençur që e quajtën “Shnet”. Është ky një aplikacion informues që u ofron përdoruesve të tij material për aspektet e një jete të shëndetshme seksuale.

Informatat janë të ndara në katër kategori: Të flasim për seksin, Sigurt është seksi, Anatomia e seksit, Fakte për seksin dhe Njihe veten. Këto tema përfshijnë gjithçka, nga cikli menstrual deri te vendosja e kondomit.

Govori thotë se mungesa e edukimit seksual në shkolla dhe në familje, i shtyu ato të zgjedhnin një aplikacion për telefona mobilë si platformë për të shpërndarë informacione te të rinjtë.

Krijimi i Shnet-it u financua nga një grant 2,000 euro nga Upshift, një projekt për barazi gjinore nga UNICEF Innovations Lab. Është lansuar në shkurt dhe mund të shkarkohet në Google Play.

Para lansimit, krijueset e Shnet mbajtën prezantime në dhjetë shkolla të Prishtinës për të marrë përshtypjet e nxënësve dhe mësuesve.

Rexhepi thotë se kjo punë do të ishte më e lehtë po qe se shkollat në Kosovë të kishin lëndën e edukimit seksual, që nxënësit t’i marrin informatat e nevojshme.

“Edhe pse koha kalon, kjo po mbetet e njëjta”, shtoi ajo. “Ishte njësoj për mua para 10 vjetësh dhe është ende njësoj për të rinjtë sot.”

Govori tregon se Shnet u prit mirë nga publiku.

“Edhe pse për këtë temë thuajse fare nuk diskutohet, nxënësit nuk hezituan aspak të bëjnë pyetje”, thotë Govori. “Ata gjithashtu thanë se një aplikacion i tillë është shumë i nevojshëm për vendin tonë. Edhe mësuesit na dhanë mbështetjen e tyre për realizimin e këtyre prezantimeve.”

Edukimi i mirëfilltë seksual, sidomos në lidhje me kontraceptivët, thotë ajo, është ajo që shumë të rinjve i duhet sot.

Kudo në Kosovë, kontraceptivët janë në dispozicion. Në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, një barnatore ofron gjërat bazike mjeksore – leukoplastë, shurup kolli dhe proteza të madhësive të ndryshme për nyje të ndryshme. Përgjatë një muri, një seksion i vogël me rafte mban qeskat e plastikës me pilula kundër shtatzënisë. Këto pilula mund të blihen me apo pa recetën e mjekut dhe kushtojnë një deri në tri euro. Kondomët e mbështjellur qëndrojnë në një enë mbi banak apo të paketuar në kuti kartoni në një raft.

Genti Shehu, një farmacist 41-vjeçar nga Prishtina, thotë se nuk sheh shumë adoleshentë që blejnë kontraceptivë.

“Ato më në moshë blejnë më së shumti pilula dhe në të shumtën e rasteve kanë recetën e mjekut”, thotë ai. “Por, të rinjtë jo edhe aq, madje as kondomë”.

Edukimi seksual është i rrallë në Kosovë dhe praktikimi i seksit jo të sigurt është i shpeshtë, sidomos tek adoleshentët dhe të rinjtë në të njëzetat.

Sipas një ankete nga United Nations Fund for Popular Activities (UNFPA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), një në katër adoleshentë në Kosovë që janë aktivë seksualisht thonë se nuk përdorin asnjë formë të mbrojtjes apo kontraceptivë për të parandaluar shtatzëninë apo sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Mostra ishte marrë nga 4,531 adoleshentë 11-15 vjeҫ. Hulumtimi gjithashtu vuri në pah një mungesë të ndërgjegjësimit për kontraceptivë, me ç’rast më shumë se gjysma e nxënësve seksualisht aktivë të anketuar thanë se nuk kanë përdorur asnjë formë të mbrojtjes gjatë marrëdhënies së fundit seksuale.

Kadri Gashi e konsideron të papranueshme mungesën e ndërgjegjësimit seksual në Kosovë.

Gashi, menaxheri i projekteve në organizatën joqeveritare Peer Educators Network (PEN), thotë se një program për edukimin seksual, i hartuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ekziston në shkolla, por mësimdhënia shpeshherë nuk është e përshtatshme. Për këtë arsye barra e edukimit të gjeneratave të reja për temën e seksit i bie organizatave joqeveritare si PEN.

“Rininë duhesh ta informosh në fillim”, thotë Gashi. “Po ashtu, mësuesit e biologjisë dhe mësuesit e tjerë, kur ligjërojnë një temë dhe dalin te kontraceptivët dhe për seks në përgjithësi, ata e kalojnë atë faqe dhe dalin në faqen tjetër sepse ajo temë është ende tabu. Më kujtohet kur isha në shkollë, askush nuk fliste për seks, për seksologjinë, në përgjithësi, për burrin apo për gruan”.

PEN u themelua më 2002 dhe punon me projekte të shumta që e mbështesin zhvillimin e të rinjve në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Pak kohë më parë ata vizituan disa shkolla të mesme në tërë Kosovën duke folur për rëndësinë e kontraceptivëve për një jete të shëndetshme seksuale. Gashi kujton si anëtarët e PEN-it shpesh u desh të ligjëronin pa praninë e mësuesve që nxënësit të mos ndiheshin në siklet. Nganjëherë madje duhej  ndarë djemtë nga vajzat.

Gashi thotë se nuk do që e njëjta mungesë e ndërgjegjësimit t’i ndikojë vajzat e tij filloriste, dhe sa i tashmë ka filluar t’iu flasë për kontraceptivët dhe rëndësinë e seksit të sigurt.

Dr.Myrvete Paҫarada, profesoreshë dhe gjinekologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se kjo mungesë e edukimit seksual, sidomos në lidhje me kontraceptivët dhe seksin e sigurt, duket se po prek më shumë gratë se burrat. Ajo shpjegon se ekziston stereotipi që marrja e kontraceptivëve është përgjegjësi e grave.

Përmes një përkthyeseje, Paҫarada thotë se ajo sheh një spektër të gjerë të pacienteve gra, por jo shumë paciente janë të reja.

“Fatkeqësisht, ne merremi më pak me adoleshentët, mbase kjo është detyrë e arsimtarit në shkollën e mesme apo e shkollave të mesme të merren me ta dhe t’u japin këshilla për edukimin seksual”, thotë ajo.

Kur u pyet se a mendon se shkollat e mesme po e bënin këtë, Dr.Paҫarada thjesht tundi kokën në shenjë mohimi dhe një psherëtimë i doli nga buzët.

Rexhepi kujton mungesën e saj për edukim seksual përgjatë shkollimit.

“Siҫ e dimë të gjithë, në planin e shkollës fillore dhe asaj të mesme nuk ka lëndë të edukimit seksual. Ka vetëm një kapitull në lëndën e biologjisë, por arsimtarët e trajtojnë rrallë dhe i kalojnë këta kapituj për ta evituar këtë temë. Këta arsimtarë janë zakonisht në të 40-at apo më të vjetër dhe ndihen të turpëruar të flasin për seks me nxënësit e tyre”, thotë Rexhepi.

Nocionet kulturore dhe fetare i vështirësojnë vajzave të reja marrjen e informacioneve për praktikimin e seksit të sigurt. Në Kosovë, vajzat nën moshën 18-vjeçare që dëshirojnë të kontrollohen te gjinekologu janë të obliguara me ligj të jenë të shoqëruara nga njëri prind. Nëse familja beson se diskutimi për seks është tabu, atëherë vajza nuk ka mundësi të konsultohet me gjinekologun, thotë Paҫarada.

Për më shumë, opsionet që gratë kanë për kontracepsion janë të limituara. Paҫarada tregon se forma më e shpeshtë e kontracepsionit që ajo u këshillon pacienteve janë pilulat. Pasi që procedura e vendosjes së mjeteve intrauterine (IUP) nuk bëhet në klinikë, kontraceptivi i dytë më i shpeshtë janë kondomët.

Megjithatë Paҫarada thotë se kjo mund të paraqesë problem për gratë që kërkojnë kontraceptivë.

“Njerëzit këtu e shohin kondomin si përgjegjësi të burrit. Por ka burra që nuk blejnë kondomë sepse e shohin si obligim të gruas të vijë këtu të konsultohet. Kështu që nëse gruaja e lë anash këtë pjesë, mund të vijë deri te problemet me shtatzëni të padëshirueshme”, thotë ajo.

Rexhepi thotë se ideja që edukimi seksual po i prek më shumë gratë sesa burrat i shtyu ekipin e tyre drejt krijimit të Shnet.

“Kjo është arsyeja kryesore që ne e filluam këtë projekt për aplikacionin Shnet”, thotë ajo. “Shumë shoqe tona u detyruan të martohen si pasojë e shtatzënive nga mungesa e informacionit për kontaceptivë. Apo nëse ҫifti ka vendosur ta abortojë fëmiun, prapë barra bie mbi gruan sepse është ajo e cila duhet të kalojë nëpër dhembjen fizike gjatë abortit, nëpër problemet mentale dhe gjendje të rëndë emocionale. Është gjithashtu mentaliteti ynë ai i cili u jep burrave fuqi dhe gratë që kalojnë nëpër këto gjëra shumë shpesh etiketohen me emra si: kurvë, rrospi, etj. Dhe sigurisht këto janë vetëm disa nga qindra probleme që gratë kanë nga mungesa e edukimit seksual”.

Shnet ka më shumë se 1,500 shkarkime në Google play. Govori thotë se ajo ka një qëndrim pozitiv për të ardhmen e edukimit seksual në Kosovë.

“Unë mendoj se të rinjtë në vendin tonë kanë filluar të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e edukimit seksual në shëndetin e tyre. Megjithatë, duhet të punohet shumë në lidhje me këtë”, thotë Govori.

Rexhepi dhe Govori shpresojnë të lansojnë edhe platformën IOS të aplikacionit Shnet në të ardhmen e afërt, dhe mundësisht të vazhdojnë ligjërimet dhe diskutimet për shëndetin riprodhues në pjesët e tjera të Kosovës.

Rexhepi thotë se ekipi i saj do të punojë së shpejti që ta masë efikasitetin e aplikacionit Shnet në komunitet. Ndërkohë, Shnet është e lidhur me një blog që inkurajon kosovarët e rinj të marrin pjesë në diskutime të sigurta dhe të hapura për jetë seksuale të sigurt.

Rexhepi thotë se ka pasur një rritje të pjesëmarrësve në blog, që shpreson të vazhdojë, ndërkohë që gjithnjë e më shumë adoleshentë kosovarë kuptojnë se mund të sfidojnë stigmën lidhur me seksin.

(Kierra Sondereker është praktikante që shkruan për KosovaLive këtë verë në bashkëpunim me Universitetin e Majamit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Përkthim dhe përshtatje: Bulza Çapriqi)

 

 

Të Rekomanduara