KosovaLive360

Në kuadër të Konferencës së katërt të Ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, të enjten është diskutuar për tema të ndryshme ku panelistë nga fushat përkatëse kanë paraqitur pikëpamjet e tyre për temat si në vijim: “Kosova në kërkim të zhvillimit të bashkëpunimit me vendet e BRICS-it”, Partneriteti Strategjik Kosovë – Shqipëri dhe pritjet për vitin 2017″, “Fuqia e butë dhe Diplomacia 2.0;, “Ambasadorët e Kulturës dhe Sportit”.

Për këtë të fundit, pjesëmarrësit kanë vlerësuar se përdorimi i fuqisë së butë dhe shfrytëzimi i sportistëve dhe njerëzve të kulturës është njëri ndër mekanizmat më efikas të diplomacisë.
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell ka vlerësuar se për Kosovën, ideja e fuqisë së butë është shumë e rëndësishme, pasi sipas tij, kjo është e mirë sidomos për shtetet që nuk kanë një brend dhe nuk njihen shumë.

Ai ka theksuar se puna e Fadil Vokrrit nuk ka pasur nevojë për ambasadorë, pasi këtë e ka bërë vetë dhe pranimi i Kosovës në UEFA e FIFA është raportuar në të gjithë botën. Po ashtu, ai ka thënë se këngët e Rita Orës dhe Era Istrefit nuk kanë nevojë të promovohen derisa i ka vlerësuar ato ambasadore të vendit. Të gjithë janë të interesuar për sportin sot, të gjithë e njohin Rita Orën, të gjithë e njohin Era Istrefin, ka deklaruar ambasadori O’Connell. Ambasasodri britanik ka bërë thirrje që të përdoret kultura, sporti dhe fushat e tjera të artit për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gazetari dhe publicist, Adriatik Kelmendi ka folur po ashtu për rëndësinë e sportit dhe të kulturës që ka në promovimin e shtetit. Ai ka marrë shembullin e Rita Orës. Kelmendi ka thënë se arritja që ka pasur Rita Ora, nuk e ka pasur për 50 vite asnjë këngëtar nga ish-Jugosllavia.

Ndërsa sa i përket temës “Kosova në kërkim të zhvillimit të bashkëpunimit me vendet e BRICS-it”, ish ministri i Punëve të Jashtme, Tritan Shehu ka theksuar se pavarësisht disa përjashtimeve, Kosova është fitimtare në bllokun perëndimor. Në tërësi, kjo ka çuar në konsolidim të brendshëm të Kosovës.

“Edhe Kina e ka pranuar se Kosova ka një konsolidim të brendshëm. Duhet të jemi koshientë se rruga përpara është jo e lehtë, shumëdimensionale që lidhet me njohje bilaterale, veçanërisht me hapat drejt NATO-s dhe BE-së”, është shprehur Tritani. Me këtë grupim vendesh, rolin thelbësor për përkrahjen e Kosovës në procesin e anëtarësimit në KS të OKB-së, sipas Shehut realizimin e KS mund ta luajë SHBA-ja që është shumë e rëndësishme për Brazilin, Kinën e Rusinë.

Nga ana tjetër ambasadori, Agim Nesho, ish Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në OKB, derisa ka vlerësuar sukseset e diplomacisë kosovare, ai ka theksuar se “në këtë situatë, dhe në vazhdimësinë e politikës së jashtme të Kosovës me vendet e BRIC duhet parë edhe rendin botëror për tu përshtatur me ndryshimet e reja dhe fenomenet në BE dhe në Amerikë, por edhe politikat e Rusisë dhe Kinës”.

Kurse ambasadori i Republikës së Kosovës, në Japoni Leon Malazogu, është shprehur se me përjashtim të Rusisë, që ka rol aktiv brenda BE-së, për vendet e tjera të BRICS, Kosova është në Evropë dhe se BRICS është një projekt ekonomik, por shpejt është shndërruar në një projekt politik, porse ka dallime të mëdha meqë nuk mund të mbijetojë si i tillë, meqë ka dallime ndërmjet vendeve anëtare të saj, ku mbetet të shihet se cila prej tyre do të mund të mbijetojë.

Të Rekomanduara